“Alma 34:1–17: ‘Shlyerja e Pafundme dhe e Përjetshme e Jezu Krishtit’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 34:1–17”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 34:1–17
Shlyerja e Pafundme dhe e Përjetshme e Jezu Krishtit
A e ke menduar ndonjëherë se si do të ishte jeta jote pa Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij? Amuleku u dha mësim zoramitëve se të gjithë njerëzit janë të ngurtësuar, të rënë dhe të humbur pa flijimin e pafundmë dhe të përjetshëm të Birit të Perëndisë. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta kuptosh se si Jezu Krishti mund të të bekojë nëpërmjet flijimit të Tij shlyes të pafundmë dhe të përjetshëm.
Si do të ishte jeta ndryshe?
Si do të ishte jeta ndryshe pa …?
Mendo për disa mënyra se si mund t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje lidhur me njerëzit ose gjërat ku ti mbështetesh. Për shembull, ti mund të mendosh rreth mënyrës se si jeta jote do të ishte ndryshe pa një person të veçantë, një pjesë të teknologjisë ose mjeteve që ti i përdor shpesh ose një veprimtari që ti e pëlqen.
Gjeje një çast për të krijuar një listë në ditarin tënd të studimit rreth disa prej mënyrave se si jeta jote do të ishte ndryshe pa Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij. Ndërsa studion sot, ti do të mësosh të vërteta që mund të të ndihmojnë më mirë ta kuptosh nevojën tënde për Jezu Krishtin.
Amuleku u dëshmon zoramitëve rreth Jezu Krishtit
Mund të të kujtohet se Alma dhe Amuleku predikuan mes zoramitëve, që besonin se “nuk do të ketë Krisht” (Alma 31:16). Pasi Alma i përfundoi mesazhet e tij të shënuara tek Alma 32–33, Amuleku dha dëshminë e tij për Shpëtimtarin.
Lexo tek Alma 34:1–10, duke kërkuar atë që Amuleku tregoi rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij.
-
Cilat fjalë ose fraza rreth Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij t’u dukën veçanërisht kuptimplota? Përse?
-
Çfarë mësove nga këto vargje rreth arsyes përse ne kemi nevojë që Jezu Krishti të shlyejë për ne?
-
Si do t’i përmblidhje mësimet e Amulekut tek Alma 34:8–10 si një pohim të vërtete?
Mund të kesh përcaktuar një të vërtetë të ngjashme me sa vijon: Pa Shlyerjen e pafundme dhe të përjetshme të Jezu Krishtit, i gjithë njerëzimi do të ishte i humbur përgjithmonë.
-
Pse të gjithë njerëzit “do të mbaroj[n]ë patjetër” ose do të humbasin përgjithmonë pa Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij?
I pafundmë dhe i përjetshëm
Merre parasysh t’i shenjosh fjalët “i pafundmë dhe i përjetshëm” në fund të vargut 10 dhe ta kopjosh diagramin vijues në ditarin tënd të studimit:
-
Çfarë mendon se do të thotë që Shlyerja e Jezu Krishtit është e pafundme dhe e përjetshme?
Presidenti Rasëll M. Nelson tregoi pikëpamjet vijuese:
“Shlyerja e Tij është e pafundme – pa mbarim. Ishte gjithashtu e pafundme në atë që i gjithë njerëzimi do të shpëtohej nga një vdekje pa mbarim. Ajo ishte e pafundme në kuptimin e vuajtjes së Tij të pamasë. … Ishte e pafundme në shtrirje – duhej të bëhej njëherësh për të gjithë. Dhe mëshira e Shlyerjes shtrihet jo vetëm te një numër i pafundmë njerëzish, por gjithashtu te një numër i pafundmë botësh të krijuara prej Tij. Ishte e pafundme përtej çfarëdo shkalle njerëzore matjeje apo kuptimi njerëzor.” (Russell M. Nelson, “The Atonement”, Ensign, nëntor 1996, f. 35)
-
Çfarë të ndihmoi kjo thënie të mësosh ose ndiesh rreth Jezu Krishtit dhe flijimit të Tij shlyes?
Si lidhet kjo me ty?
Ndërkohë që Shpëtimtari mund të bekojë një numër të pafundmë njerëzish nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Ai mund të të bekojë edhe ty vetë. Merre parasysh ta përditësosh diagramin në ditarin tënd të studimit që të duket si në vijim:
Studioji burimet vijuese, duke kërkuar disa nga mënyrat se si Shpëtimtari mund të të bekojë vetë për shkak të Shlyerjes së Tij të pafundme dhe të përjetshme.
Presidenti Ted R. Kelister, ish‑President i Përgjithshëm i Shkollës të së Dielës, dha mësim:
“Me raste, kam takuar shenjtorë të mirë që kanë pasur vështirësi për ta falur veten, të cilët në mënyrë të pafajshme, por të gabuar, kanë vendosur kufizime në fuqitë shëlbuese të Shpëtimtarit. Padashur, ata e kanë kthyer një Shlyerje të pafundme në një Shlyerje të fundme, që në njëfarë mënyre nuk e prek mëkatin ose dobësinë e tyre të veçantë. Por ajo është një Shlyerje e pafundme sepse përfshin dhe përmban çdo mëkat e dobësi, si dhe çdo keqtrajtim apo dhembje të shkaktuar nga të tjerët.” (Ted R. Kelister, “Shlyerja e Jezu Krishtit”, Liahona, maj 2019, f. 85–86)