“Alma 34:17–41: ‘Kjo Jetë Është Koha për Njerëzit që të Përgatiten të Takohen me Perëndinë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 34:17–41”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 34:17–41
Kjo Jetë Është Koha për Njerëzit që të Përgatiten të Takohen me Perëndinë
A e ke pyetur ndonjëherë veten se si do të jetë të takohesh me Atin Qiellor pas kësaj jete? Amuleku u kujtoi zoramitëve se “kjo jetë është koha … që të përgatiten të takohen me Perëndinë” (Alma 34:32) dhe iu lut atyre të mos e shtynin ditën e pendimit të tyre. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë në përpjekjet e tua që të përgatitesh të takohesh me Perëndinë.
Rëndësia e përgatitjes
Mendo për diçka për të cilën të është dashur të përgatitesh në jetën tënde, si një provim, një recital ose një ngjarje sportive.
-
Cilat ishin disa strategji që ti i përdore për të të ndihmuar të jesh i përgatitur?
-
Cilat ishin disa gjëra që e bënë ose mund ta bëjnë përgatitjen të vështirë?
Kujtohu se Alma dhe Amuleku i predikuan një grupi zoramitësh që ishin dëbuar nga sinagogat e tyre për shkak të varfërisë së tyre. Këta zoramitë nuk kishin besuar më parë te Jezu Krishti (shih tek Alma 31:16), ndaj Alma dhe Amuleku i këshilluan ata të bënin vend në zemrat e tyre që të rritej një dëshmi për Shpëtimtarin (shih tek Alma 32:27–28; 34:4–6). Ndërsa u jepte mësim këtyre njerëzve, Amuleku tregoi diçka për të cilën duhet të përgatitemi të gjithë.
Lexo tek Alma 34:32, duke kërkuar atë që Amuleku dha mësim.
Nga mësimet e Amulekut, ne mësojmë se kjo jetë është koha që ne të përgatitemi për t’u takuar me Perëndinë.
-
Cilat janë disa qëndrime dhe sjellje që ti do t’i prisje nga dikush që po përgatitet për t’u takuar me Perëndinë?
Gjeje një çast për të përsiatur për ndjenjat e tua rreth kthimit në praninë e Perëndisë. Merre parasysh nëse po përpiqesh të kthehesh denjësisht në praninë e Tij dhe çfarë mund të të shpërqendrojë nga ai synim. Ndërsa vazhdon të studiosh, mendo për mënyrat se si mund t’i zbatosh mësimet tek Alma 34 për të të ndihmuar të përgatitesh më mirë për t’u takuar me Perëndinë.
Mënyrat se si ne mund të përgatitemi për t’u takuar me Perëndinë
Shumë nga mësimet e Amulekut tek Alma 34 na ndihmojnë të kuptojmë se si mund të përgatitemi tani për t’u takuar me Perëndinë.
Zgjidh të paktën tre nga grupet vijuese të vargjeve për t’i studiuar, duke kërkuar mësimet që mund të na ndihmojnë të përgatitemi për t’u takuar me Perëndinë.
Mos e shty pendimin tënd
Referoju thënies së Amulekut te vargu 33: “Mos e shtyni ditën e pendimit tuaj deri në fund”. Merre parasysh ta shenjosh këtë frazë në shkrimet e tua të shenjta.
-
Përse mund të jetë tunduese për disa njerëz që ta shtyjnë pendimin?
Lexo tek Alma 34:33–35, duke kërkuar arsyet përse Amuleku na nxiti që të mos e shtyjmë pendimin tonë.
Na është mësuar se pendimi mund të ndodhë në botën e shpirtrave (shih te Doktrina e Besëlidhje 138:31, 33, 58). Por profetët e shkrimeve të shenjta dhe të ditëve të mëvonshme e kanë theksuar se sa e rëndësishme është që ne të pendohemi në vdekshmëri. Plaku Melvin J. Ballard [1873–1939], i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha këtë udhërrëfim:
“Është shumë më e lehtë të mposhtësh [mëkatin] dhe t’i shërbesh Zotit kur si mishi dhe shpirti janë të bashkuar në një. Kjo është koha kur njerëzit janë më të përpunueshëm dhe të prekshëm. … Kjo jetë është koha për t’u penduar.” (Melvin J. Ballard: Crusader for Righteousness (1966), f. 212–213; cituar te Dallin H. Ouks, “Të Pastruar nëpërmjet Pendimit”, Liahona, maj 2019, f. 94)
-
Çfarë të ndihmojnë të kuptosh vargjet 33–35 dhe kjo thënie rreth arsyes përse ne nuk duhet ta shtyjmë pendimin tonë?
Pendimi është një pjesë thelbësore e përgatitjes për t’u kthyer në praninë e Perëndisë. Kujtohu që Zoti ua jep me dashuri mëshirën atyre që përpiqen të pendohen, edhe kur ata e kanë të vështirë t’i mposhtin mëkate të caktuara.
Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:
“Nganjëherë [gjatë] pendimi[t] tonë, në përpjekjen e përditshme që të bëhemi më të ngjashëm me Krishtin, e gjejmë veten duke u përpjekur rishtas me të njëjtat pengesa. … Mos e humbni kurajën. Nëse po përpiqeni e po punoni për t’u penduar, jeni në procesin e pendimit.” (Nil L. Andersen, “Pendohuni … Që të Mund t’Ju Shëroj”, Liahona, nëntor 2009, f. 41)
Reflekto mbi atë që ke mësuar ose ndier sot rreth përgatitjes për t’u takuar me Perëndinë dhe për të mos e shtyrë pendimin. Mendo për veprimet që dëshiron të ndërmarrësh për shkak të asaj që ke studiuar sot. Shënoji mendimet dhe mbresat e tua në ditarin tënd të studimit.