“1 Nefi 3: Perëndia Përgatit një Udhë”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“1 Nefi 3: Perëndia Përgatit një Udhë”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
1 Nefi 3
Perëndia Përgatit një Udhë
Pasi udhëtuan prej ditësh në vendin e shkretë, Nefi dhe vëllezërit e tij u përballën me një provë të bindjes dhe besimit të tyre te Perëndia kur u urdhëruan të ktheheshin në Jerusalem për t’i marrë Labanit fletët prej tunxhi. Nganjëherë, edhe ty do të të kërkohet nga Zoti të bësh gjëra të vështira. Ky mësim mund të të ndihmojë të ushtrosh besim te Perëndia për të arritur atë që Ai të kërkon të bësh.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Urdhërime të vështira
-
Cilat urdhërime, standarde ose ftesa të tjera profetike janë më të vështira për t’iu bindur adoleshentët sot? Çfarë i bën këto më të vështira se të tjerat?
-
Çfarë do t’i thoshit dikujt që ndien se një urdhërim ose standard i caktuar është tepër i vështirë për t’u mbajtur?
Nëse ka një urdhërim që ka qenë i vështirë për ty që t’i bindesh, mbaje në mendje ndërsa studion kapitullin te 1 Nefi 3. Kërko të mësosh nga shembujt që studion dhe përsiat se si zgjedhjet e tua mund të ndikojnë te marrëdhënia jote me Zotin.
Zoti u jep një urdhërim bijve të Lehit
Lexo te 1 Nefi 3:1–6, duke kërkuar atë që u urdhëruan të bënin bijtë e Lehit.
-
Pse mendon se vëllezërit e Nefit ishin të saktë kur e quajtën këtë urdhërim “një gjë e vështirë”? (Vargu 5.)
Imagjino se si mund të jenë ndier bijtë e Lehit kur u larguan nga shtëpia e tyre dhe udhëtuan me qindra kilometra përmes një vendi djerrë në vendin e shkretë vetëm që t’iu kërkohej të ktheheshin në Jerusalem pak kohë më vonë për të marrë fletët nga Labani.
Lexo te 1 Nefi 3:7–8 dhe përcakto arsyen që dha Nefi për gatishmërinë e tij për të bërë atë që urdhëroi Zoti.
-
Çfarë kuptoi Nefi që vëllezërit e tij mund të mos e kenë kuptuar?
Një gjë që mësojmë te vargu 7 është se Perëndia përgatit një udhë që ne të plotësojmë çfarëdo që Ai na kërkon të bëjmë.
Merr parasysh se si lidhet kjo e vërtetë me urdhërimet që mund të jenë sfiduese për ty.
Ndonëse Perëndia do të të ndihmojë ta plotësosh atë që të kërkon, Ai nuk ka premtuar se kjo do të jetë e lehtë ose që orvatja jote e parë do të jetë e suksesshme.
Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, shpjegoi:
“Ndjekja e Shpëtimtarit nuk do t’jua heqë të gjitha sprovat. Sidoqoftë, ajo do t’i heqë pengesat midis jush dhe ndihmës që Ati Qiellor dëshiron t’jua japë. Perëndia do të jetë me ju.” (Diter F. Uhtdorf, “Dëshirim për Shtëpinë”, Liahona, nëntor 2017, f. 22)
-
Çfarë të ndihmon kjo thënie të kuptosh rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Mendo përsëri për urdhërimet, standardet ose ftesat e tjera profetike që përcaktove më herët në mësim si më të vështirat për t’iu bindur adoleshentët.
-
Cilat janë pengesat që mund ta bëjnë të vështirë t’u bindesh këtyre urdhërimeve?
-
Si mundet Zoti “[të] përgatit[ë] një udhë” për ta ndihmuar rininë t’iu bindet këtyre urdhërimeve?
Nefi dhe vëllezërit e tij orvaten të marrin fletët
Studioji ndodhitë vijuese të dy orvatjeve të para për të marrë fletët prej tunxhi. Shiko mënyrën se si reaguan vëllezërit e ndryshëm pas çdo orvatjeje. (Shënim: Në mësimin “1 Nefi 4–5” do të mësoni se si Zoti përfundimisht siguroi një udhë për ta që të kishin sukses.)
Orvatja e parë: Lexo te 1 Nefi 3:10–15 ose shiko materialin filmik “Nefi Udhëhiqet nga Shpirti për të Marrë Fletët prej Tunxhi” nga kodi kohor 04:43 në 08:18. Ky material filmik është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org. (Mund të jetë e dobishme të dish se hedhja e shortit është një mënyrë për të përzgjedhur në mënyrë rastësore një mundësi mes shumë të tillave.)
Orvatja e dytë: Lexo te 1 Nefi 3:22–31; 4:1, ose shiko materialin filmik “Nefi Udhëhiqet nga Shpirti për të Marrë Fletët prej Tunxhi” nga kodi kohor 08:18 në 15:10.
-
Çfarë mund të kenë mësuar këta vëllezër për veten nga sfidat që patën ndërkohë që përpiqeshin t’i bindeshin urdhërimit të Perëndisë?
-
Pse mendon se Perëndia ynë i dashur mund të na lejojë të mundohemi për ca kohë përpara se të sigurojë një udhë për ta plotësuar vullnetin e Tij?
-
Si mendon që ndikuan reagimet e ndryshme të vëllezërve ndaj asaj që ndodhi te besimi dhe marrëdhënia e tyre me Jezu Krishtin? Përse?
Zbatimi i kësaj ndodhie në jetën tënde
Shpëtimtari mund të të ndihmojë të kapërcesh pengesa që e bëjnë më të vështirë bindjen ndaj urdhërimeve të Tij dhe ndjekjen e këshillës së profetëve të Tij. Për të të ndihmuar ta zbatosh këtë në jetën tënde, përgjigju për pyetjet në vijim në ditarin tënd të studimit.
-
Imagjino sikur Nefi po të jep këshillë rreth një urdhërimi ose këshillën e profetit që të duket e vështirë t’i bindesh. Çfarë mendon se mund të të thotë ai?
-
Çfarë veprimesh specifike do të ndërmarrësh për t’iu bindur njërit nga urdhërimet e Zotit ose nga këshillat e profetit më plotësisht?
-
Çfarë ke parë ose përjetuar që të jep sigurinë se Zoti do të përgatitë një udhë për ty që t’u bindesh urdhërimeve të Tij dhe ta ndjekësh profetin e Tij?