Seminari
1 Nefi 1: “Erdhën Shumë Profetë”


“1 Nefi 1: ‘Erdhën Shumë Profetë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“1 Nefi 1: ‘Erdhën Shumë Profetë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

1 Nefi 1

“Erdhën Shumë Profetë”

Lehi duke predikuar në Jerusalem

Profetët nuk japin gjithnjë mesazhe që janë të pranuara në botë, por mësimet dhe paralajmërimet e tyre demonstrojnë dashurinë e Zotit për popullin e Tij. Lehi u thirr nga Perëndia për t’i predikuar pendim popullit të Jerusalemit. Pavarësisht nga lutjet dhe paralajmërimet e tij, ata i refuzuan fjalët e tij dhe u përpoqën ta vrisnin. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh rëndësinë e pranimit dhe ndjekjes së profetëve të Perëndisë.

Përdorimi i dëshmisë së profetëve. Profetët thirren nga Perëndia dhe flasin për Të (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Profet”). Një mënyrë tjetër për të dëshmuar për Jezu Krishtin është që të lejojmë që dëshmia e profetëve të dëgjohet në klasat tona. Ndërsa kërkoni në shkrimet e shenjta ose studioni fjalimet e konferencave, kërkoni dëshmitë profetike për Jezu Krishtin. Përcaktoni mënyra të përshtatshme për t’i ndihmuar nxënësit t’i shohin dhe dëgjojnë këto dëshmi si pjesë e përvojës së tyre të të mësuarit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar paralajmërimet e fundit që kanë dëgjuar nga profetët dhe të përsiatin se si u janë përgjigjur atyre paralajmërimeve.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Paralajmërimet

Paraqiteni figurën, përshkrimin dhe pyetjen në vijim.

Imagjinoni sikur keni mundësinë të pluskoni ose të lundroni me kanoe në këtë lumë.

  • A do të kishit ndonjë shqetësim? Përse po ose përse jo?

një lumë i qetë

Ndërsa jeni gati për të filluar ekskursionin tuaj, dikush ju paralajmëron se lumi duket i qetë por një pjesë e tij do t’ju dalë i rrezikshëm dhe kërcënues për jetën.

  • A do t’i besonit personit që ju paralajmëroi? Përse po ose përse jo?

Fotografia në vijim është po ky lumë me pjesën që patë më parë të vënë në fokus:

Paraqiteni figurën vijuese dhe ftojini nxënësit t’iu përgjigjen pyetjeve që e shoqërojnë atë.

një lumë i qetë përpara një ujëvare
  • Çfarë do të dinit dhe ndienit tani për personin që dha paralajmërimin?

  • Çfarë mund të na mësojë kjo situatë imagjinare rreth rolit të profetëve të Perëndisë?

Kujtojuni nxënësve përgatitjen e tyre për mësim ndërsa përsiatin për këtë në vijim.

  • Rreziqet për të cilat profetët na kanë paralajmëruar në kohën tonë

  • Bekimet e bindjes dhe pasojat e mundshme të shpërfilljes së paralajmërimeve të tyre

  • Ndjenjat e tua rreth ndjekjes së paralajmërimeve të tyre

  • Arsyet përse ke nevojë për paralajmërimet e Perëndisë nëpërmjet profetëve të Tij

Ndërsa studion, kërko të vërtetat që mund të të ndihmojnë të ndiesh një dëshirë më të madhe për t’i ndjekur profetët e Perëndisë.

“Erdhën shumë profetë”

Libri i 1 Nefit fillon rreth vitit 600 pr.K në Jerusalem. Në këtë kohë, shumë nga judenjtë po e braktisnin Perëndinë dhe po adhuronin perëndinë e rreme Baalin, duke u mirëbesuar fjalëve të profetëve gënjeshtarë dhe duke u përfshirë në sjellje mëkatare të tilla si vjedhja, vrasja dhe imoraliteti i neveritshëm (shih Jeremia 27). Mendo për atë se si këto rrethana janë të ngjashme me botën e sotme.

Lexo te 1 Nefi 1:1–4, duke kërkuar se si e filloi Nefi analin e tij.

  • Çfarë mendon se është e rëndësishme të kuptosh nga këto vargje? Përse?

Profetët e përmendur te vargu 4 mund të përfshijnë profetët e Dhiatës së Vjetër: Jeremian, Habakukun, Abdian, Nahumin, Sofonian dhe të tjerë.

Lexo te 1 Nefi 1:5–15 dhe kërko hollësi rreth thirrjes së Lehit për të qenë profet. Nëse dëshiron, mund të shohësh materialin filmik “Zoti e Urdhëron Familjen e Lehit që të Largohet nga Jerusalemi” nga kodi kohor 00:39 në 05:53, që është në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

18:14
  • Çfarë të bëri më shumë përshtypje rreth përvojës së Lehit? Përse?

  • Çfarë mësoi Lehi rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit nga ato që pa?

  • Përse këto të vërteta për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin do të ishin të rëndësishme të dihen në rrethanat e tua?

Lexo te 1 Nefi 1:18–20 për të parë se çfarë dha mësim Lehi dhe se si u përgjigjën njerëzit e Jerusalemit. Nëse dëshiron, mund të shohësh materialin filmik “Zoti e Urdhëron Familjen e Lehit që të Largohet nga Jerusalemi” nga kodi kohor 05:53 në 07:26.

18:14
  • Ku ngjasonte Lehi me Jezu Krishtin në përpjekjet e tij?

  • Çfarë mëson rreth profetëve nga përvojat e Lehit?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga shembulli i Lehit është se Perëndia thërret profetë që të paralajmërojnë për pasojat e mëkatit dhe të dëshmojnë për Jezu Krishtin.

Ftojini nxënësit t’i diskutojnë pyetjet vijuese në dyshe ose grupe të vogla.

  • Si i keni parë profetët t’i përmbushin këto përgjegjësi në kohën tonë?

  • Në çfarë mënyrash disa njerëz sot tregojnë zemërim kundrejt profetëve ose i refuzojnë fjalët e tyre? Përse mendoni se ata përgjigjen në këtë mënyrë?

Plaku Nil L. Andersen, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi rëndësinë e asaj që na mësojnë profetët e Perëndisë:

Plaku Nil L. Andersen

“Hedhja e spirancës së shpirtit tonë te Zoti Jezu Krisht kërkon që t’i dëgjojmë ata që Ai i dërgon. …

Zëri i profetit, edhe pse flet me mirësi, shpesh do të jetë një zë që na kërkon të ndryshojmë, të pendohemi dhe të kthehemi te Zoti. Kur nevojitet korrigjim, mos u vonofshim. Dhe mos u alarmoni kur zëri paralajmërues i profetit ndeshet me opinionet e sotme, të pranuara gjerësisht. Goditjet e zjarrta të talljes nga njerëz të irrituar mosbesues gjithmonë ndizen në çastin kur profeti fillon të flasë. Kur jeni të përulur në ndjekjen e këshillës së profetit të Zotit, ju premtoj një bekim më të madh sigurie dhe paqeje. …

… Përgjegjësia më e madhe dhe dhurata më e çmuar e një profeti për ne është dëshmia e tij e sigurt, dituria e tij e patundur se Jezusi është Krishti.” (Nil L. Andersen, “Profeti i Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 26, 27)

  • Pse mendoni se përgjegjësia më e madhe e profetit është të japë dëshminë e tij për Jezu Krishtin?

  • Çfarë mund t’ju ndihmojë t’u përgjigjeni me besnikëri këshillës dhe paralajmërimeve të profetëve të Perëndisë në kohën tonë?

Roli i profetëve dhe rëndësia e ndjekjes së tyre

Paraqitini udhëzimet e mëposhtme. Jepuni nxënësve pak minuta që t’i mbajnë shënim mendimet e tyre.

Imagjino sikur shoku yt ose shoqja jote që nuk është anëtar/e i/e Kishës të dërgon mesazhin vijues në celular:

“Më kujtohet se the diçka rreth faktit që kisha jote ka profetë. A është e vërtetë kjo? Çfarë bëjnë profetët tuaj? A janë ata si profetët në Bibël?”

Duhet të sigurohesh që pyetjet e tij ose të saj të marrin përgjigje të qartë. Përgatit një përgjigje duke përdorur secilën nga të mëposhtmet:

Nxënësit mund të hyjnë te burimet në vijim në programin kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]. Nëse është e nevojshme, jepuni nxënësve kopje të shtypura që t’i shqyrtojnë.

  1. Fragmente dhe shembuj nga 1 Nefi 1 (dhe fragmente të tjera të shkrimeve të shenjta rreth profetëve për të cilat mund të jeni në dijeni) që mund t’i ndihmojnë ata të kuptojnë rolin e një profeti.

  2. Shembuj të mënyrës se si profetët modernë ju kanë ndihmuar të jeni më afër Jezu Krishtit. Merrni parasysh të jepni shembuj në të cilët profetët kanë ndikuar te ju nga fjalimet e konferencës së përgjithshme të fundit, nga artikujt e revistave të Kishës ose nga broshura Për Forcën e Rinisë.

  3. Shembuj nga jeta juaj ose nga jeta e të tjerëve që demonstrojnë pasojat pozitive nga të dëgjuarit e profetëve. Merrni parasysh të shtoni dëshminë tuaj vetjake për profetët.

Pas një kohe të mjaftueshme përgatitjeje, vendosini nxënësit në dyshe. Ftojini ata të imagjinojnë sikur vendosën t’i përgjigjen pyetjes së shokut ose shoqes ballë për ballë në vend që t’i përgjigjen me një mesazh në celular. Çdo nxënës mund ta bëjë me radhë sikur është anëtari/ja i/e Kishës që po i shpjegon shokut ose shoqes së vet.

Merrni parasysh të diskutoni shembuj të këshillave, korrigjimit dhe udhërrëfimit të fundit që kanë ardhur nga profetët dhe apostujt e gjallë.

Pas kësaj, jepni dëshminë vetjake se si ju kanë ndihmuar profetët të vini më afër Jezu Krishtit. Merrni parasysh t’i ftoni nxënësit e gatshëm të japin dëshmitë e tyre.

Përsiat se si u je përgjigjur paralajmërimeve të fundit nga profetët. Kërko ndihmën e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për të përcaktuar mënyra se si mund t’ua vësh veshin më me kujdes këshillës së tyre. Shkruaji ato ide në ditarin tënd të studimit dhe përzgjidh me lutje njërën për ta zbatuar në jetën tënde.