“2 Nefi 6; 10: Mbledhja e Izraelit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“2 Nefi 6; 10”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
2 Nefi 6; 10
Mbledhja e Izraelit
Shumë profeci në shkrimet e shenjta trajtojnë ngjarjet e ditëve të mëvonshme, ose ditët në të cilat jetojmë tani. Vëllai i Nefit, Jakobi, tregoi profeci rreth kohës sonë dhe mbledhjes së Izraelit që mund të na ndihmojnë ta kuptojmë rolin tonë në punën e Zotit në ditët e mëvonshme. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh një dëshirë më të madhe për të marrë pjesë me Zotin në mbledhjen e Izraelit në ditët e mëvonshme.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Gjëra të rëndësishme po ndodhin
Fragmentet vijuese janë nga një mesazh i dhënë nga Presidenti Rasëll M. Nelson. Ndërsa i lexon, mendo për disa tema të cilave mund të ketë qenë duke iu referuar Presidenti Nelson.
-
“Nuk ka asgjë tjetër që po ndodh në tokë tani që është më e rëndësishme. … Nuk ka asgjë me pasoja më të mëdha se ajo. Absolutisht asgjë” (Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], ChurchofJesusChrist.org).
-
“Kjo … duhet të jetë gjithçka për ju” (Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”).
-
“Ky është misioni për të cilin u dërguat në tokë” (Rasëll M. Nelson, “Shpresa e Izraelit”).
-
Cilat janë disa nga temat që mendon se Presidenti Nelson mund të ketë qenë duke iu referuar me këto thënie?
Mund ta kesh kuptuar se Presidenti Nelson po i referohej mbledhjes së Izraelit. Shiko materialin filmik “Shpresa e Izraelit” nga kodi kohor 39:36 deri në 40:05, në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org, ose lexo sa vijon për të parë thënien e plotë të Presidentit Nelson.
“Rinia ime e dashur dhe e jashtëzakonshme, ju u dërguat në tokë pikërisht në këtë kohë, në kohën më vendimtare në historinë e botës, që të ndihmoni që Izraeli të mblidhet. Nuk ka asgjë tjetër që po ndodh në tokë tani që është më e rëndësishme se ajo. Nuk ka asgjë me pasoja më të mëdha se ajo. Absolutisht asgjë.
Kjo mbledhje duhet të jetë gjithçka për ju. Ky është misioni për të cilin u dërguat në tokë.” (Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], ChurchofJesusChrist.org)
-
Çfarë mendimesh ose ndjenjash ke rreth thënies së Presidentit Nelson?
-
Çfarë pyetjesh ke rreth mbledhjes së Izraelit?
Merri parasysh mendimet dhe ndjenjat e tua rreth pjesëmarrjes në mbledhjen e Izraelit, e cila përfshin predikimin e ungjillit tek ata që janë në tokë tani, dhe bërjen e historisë familjare dhe punës në tempull për ata që kanë vdekur tashmë, në mënyrë që të gjithë të kenë një mundësi për të ardhur tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Sa e rëndësishme është kjo punë për ty? Ndërsa studion sot, kërko mësimet që mund të të ndihmojnë për rritjen e gatishmërisë dhe aftësisë sate për të marrë pjesë me Zotin në mbledhjen e Izraelit.
Jakobi jep mësim për mbledhjen e Izraelit
Nefi e ftoi vëllanë e tij, Jakobin, të tregonte një profeci të rëndësishme nga profeti i Dhiatës së Vjetër, Isaia, rreth mbledhjes së Izraelit në ditët e mëvonshme (shih te 2 Nefi 6:4–7).
-
Johebrenj: Ashtu siç përdoret në shkrimet e shenjta, termi johebrenj ka disa kuptime. Në profecinë e Isaias (shih te 2 Nefi 6:5–7), njëri nga kuptimet e fjalës johebrenj mund t’u referohet njerëzve që nuk janë të prejardhjes izraelite (shih tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Johebrenj”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
-
Flamur: “Një shenjë rreth së cilës njerëzit bashkohen në një unitet qëllimi ose identiteti” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Flamur”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Me këto përkufizime në mendje, lexo te 2 Nefi 6:5–7. Renditi në ditarin tënd të studimit hollësitë e profecisë së Isaias që duken domethënëse.
-
Çfarë hollësish gjete nga profecia e Isaias që duken domethënëse?
-
Çfarë pyetjesh ke ende rreth kësaj profecie?
Që të dy, Nefi dhe Jakobi e shtjelluan këtë profeci në shkrimet e tyre. Kërko kuptueshmëri të mëtejshme rreth profecisë së Isaias duke lexuar së paku njërin nga grupet vijuese të vargjeve. Mund të jetë gjithashtu e dobishme t’i bëni referencë‑kryq ose t’i lidhni me hallkë lidhëse këto vargje me vargjet te 2 Nefi 6:5–7.
-
1 Nefi 22:6–12 (fjalët e Nefit)
-
2 Nefi 10:3–10 (fjalët e Jakobit)
-
Çfarë dhanë mësim Nefi ose Jakobi në këto vargje që të ndihmuan më shumë t’i kuptoje vargjet te 2 Nefi 6:5–7? Çfarë idesh të tjera fitove?
-
Si mendon, cila është “pun[a e] mrekullueshme” që do të ndodhë në ditët e fundit që “do të jetë me vlerë të madhe” për shumë njerëz (1 Nefi 22:8)? Nëse nxënësit kanë nevojë për ndihmë që ta kuptojnë se cila është puna e mrekullueshme, mund t’i drejtoni ata te një poshtëshënim ose të shpjegoni që ajo i referohet rivendosjes së ungjillit.
-
Sipas vargut 1 Nefi 22:12, çfarë do të arrijnë të dinë njerëzit e Izraelit të shpërndarë kur të mblidhen?
-
Çfarë roli do të luajnë kombet e johebrenjve në mbledhjen e Izraelit në ditët e mëvonshme (shih te 1 Nefi 22:8–9; 2 Nefi 10:8–9)?
-
Çfarë të ndihmojnë këto mësime të kuptosh rreth Jezu Krishtit dhe asaj që Ai ndien për të gjithë njerëzit?
-
Çfarë të ndihmojnë ato të kuptosh rreth rolit që luan ti në ndihmën për të mbledhur Izraelin?
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga profecia e Isaias dhe nga thënia e Presidentit Nelson nga pjesa më parë në mësim, është se si anëtarë të Kishës së rivendosur të Shpëtimtarit, ne kemi përgjegjësi të marrim pjesë me Zotin në mbledhjen e Izraelit në ditët e mëvonshme.
-
Çfarë të ndihmon të kuptosh kjo e vërtetë rreth asaj që Zoti ndien për ty?
-
Çfarë di për Shpëtimtarin që ta shton dëshirën për t’u mbledhur tek Ai? Po t’ua tregosh këtë të tjerëve, si mund ta shtojë kjo dëshirën e tyre për t’u mbledhur te Shpëtimtari?
Bëj një plan për ta ndihmuar Zotin që ta mbledhë Izraelin
Presidenti Nelson shpjegoi se çfarë mund të bëjmë për të ndihmuar të mblidhet Izraeli:
“Në çfarëdo kohe që bëjmë çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën anë të velit – që të bëjë dhe të mbajë besëlidhjet e veta me Perëndinë, ne po ndihmojmë për ta mbledhur Izraelin.” (Rasëll M. Nelson, “Lejojeni Perëndinë të Triumfojë”, Liahona,nëntor 2020, f. 92–93)
-
Me thënien e Presidentit Nelson në mendje, cilat janë disa gjëra specifike që mund të bësh për të marrë pjesë me Zotin për t’i ndihmuar të tjerët që të vijnë tek Ai?
-
Çfarë përvojash ke pasur në ndihmën ndaj të tjerëve që të mblidhen ose t’u vijnë më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Mendo se si mund të marrësh pjesë më plotësisht me Zotin në mbledhjen e Izraelit
-
Presidenti Rasëll M. Nelson dha ide të sugjeruara nga të rinjtë e të rejat e Kishës për mënyrën se si mund të ndihmojnë ata që të mblidhet Izraeli. Shiko materialin filmik “Shpresa e Izraelit” nga kodi kohor 40:29 deri në 43:38, në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org.
2:3 -
Vizito faqen share.churchofjesuschrist.org.
-
3:21
Bëj një plan veprimi për atë që mund të bësh për t’i ftuar të tjerët të mblidhen te Shpëtimtari ose, me fjalë të tjera, të vijnë te Krishti duke bërë besëlidhje me Të dhe duke i mbajtur ato. Sigurohu që të përfshish hapa specifikë që mund të ndërmarrësh. Kjo do të të ndihmojë të veprosh me besim. Një mënyrë për ta bërë këtë është duke plotësuar fjalitë vijuese:
-
Deri në fund të ditës, unë do të –
-
Në pjesën e mbetur të kësaj jave, unë do të –