Seminari
2 Nefi 21–24: Mijëvjeçari


“2 Nefi 21–24: Mijëvjeçari”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“2 Nefi 21–24”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

2 Nefi 21–24

Mijëvjeçari

një luan dhe një dele

Imagjino se si do të ishte jeta po të mos kishte fare ligësi në botë. Një ditë bota do të jetë kështu. Kjo do të ndodhë gjatë mbretërimit mijëvjeçar të Jezu Krishtit. Shumë profetë, përfshirë Nefin dhe Isaian, profetizuan rreth 1000 vjetëve të paqes të quajtura Mijëvjeçar. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh mbretërimin mijëvjeçar të Shpëtimtarit dhe të përgatitesh për të.

Përqendrimi tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Kur të vendosni se për cilat të vërteta ose parime t’i ndihmoni nxënësit që t’i zbulojnë, kërkoni ato që do t’i ndihmojnë ata të vijnë te Jezu Krishti. Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë ju dhe nxënësit që t’i dalloni të vërtetat rreth Shpëtimtarit dhe fuqisë së Tij shëlbuese në secilin parim të ungjillit, urdhërim dhe mësim profetik.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të reflektojnë për atë që dinë rreth Mijëvjeçarit, dhe të vijnë të përgatitur për të bërë pyetjet që mund të kenë rreth tij.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

E ardhmja

Nxënësit mund t’i shkruajnë përgjigjet e tyre për pyetjet vijuese në tabelë ose t’i diskutojnë në grupe të vogla.

  • Cilat janë disa ngjarje të rëndësishme në të ardhmen të cilat i pret me padurim? Përse?

  • Çfarë ndjenjash ke kur mendon rreth këtyre ngjarjeve?

  • Çfarë po bën për t’u përgatitur?

Mijëvjeçari

Një ngjarje domethënëse në të ardhmen është Mijëvjeçari.

Dëgjoni me kujdes se si u përgjigjen nxënësit pyetjeve vijuese. Merreni parasysh t’i renditni përgjigjet e nxënësve në tabelë. Në vend që t’u përgjigjeni drejtpërsëdrejti, inkurajojini nxënësit të kërkojnë përgjigje ndërsa studiojnë.

Përshtateni mësimin sipas përgjigjeve që japin ata. Për shembull, nëse shumë nxënës kanë të njëjtën pyetje, mund ta gjeni përgjigjen si klasë. Nxënësit që kanë pyetje të ngjashme, mund t’i vendosni në grupe për ta gjetur përgjigjen së bashku.

  • Çfarë di ti rreth Mijëvjeçarit? Çfarë pyetjesh ke për të?

Profeti Nefi shkroi rreth ditëve të fundit dhe përfshiu shumë nga profecitë e Isaias rreth ditëve të fundit. Isaia profetizoi për shkatërrimin e Asirisë dhe Babilonisë si një simbol për shkatërrimin në Ardhjen e Dytë (shih te 2 Nefi 2023). Ai profetizoi gjithashtu për Rivendosjen e ungjillit që i paraprin mbretërimit mijëvjeçar të Jezu Krishtit. Profecitë e tij janë të pasura me simbolikë dhe shëmbëlltyra që e thellojnë kuptueshmërinë tonë për Mijëvjeçarin.

Lexoji profecitë vijuese nga Nefi dhe Isaia dhe kërko përshkrime për Mijëvjeçarin.

Merrni parasysh të vendosni letra me referencat vijuese të shkrimeve të shenjta rreth e qark dhomës dhe t’i ftoni nxënësit të ecin përqark dhe t’i lexojnë fragmentet e ndryshme. Një mundësi tjetër është t’i ftoni nxënësit t’i vizatojnë në një ditar studimi ose në tabelë disa nga përshkrimet në këto vargje.

Sipas nevojës, ndihmojini nxënësit t’i kuptojnë shkrimet e shenjta. Për shembull, mund të vini në dukje se kafshët që rrinë bashkë pa luftuar, përfaqësojnë gjendjen e paqes (shih te 2 Nefi 21:6–7) ose ujërat që mbulojnë detin, përfaqësojnë diturinë e Zotit që mbulon tokën (shih te 2 Nefi 21:9).

  • Nga këto përshkrime, si mendon se do të jetë ndryshe jeta jote në Mijëvjeçar?

  • Çfarë përshkrimesh gjete për Shpëtimtarin? Çfarë të mësojnë ato rreth Tij?

Një nga të vërtetat që mësojmë nga këto shkrime të shenjta, është se Jezu Krishti do të mbretërojë në tokë në drejtësi dhe paqe gjatë Mijëvjeçarit.

Përfytyroje në mendjen tënde se si mund të jetë të jetosh gjatë Mijëvjeçarit, kur Shpëtimtari të mbretërojë në drejtësi dhe në paqe. Reflekto për mënyrën se si mund ta bekojë jetën tënde paqja e Shpëtimtarit.

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, përshkroi një bekim tjetër të Mijëvjeçarit:

“Beqaria, mospasja e fëmijëve, vdekja dhe shkurorëzimi i pengojnë idealet dhe e shtyjnë përmbushjen e bekimeve të premtuara. … Zoti ka premtuar se, në përjetësi, asnjë bekim nuk do t’u mohohet bijve dhe bijave të Tij që i mbajnë urdhërimet, që janë të vërtetë ndaj besëlidhjeve të tyre dhe që dëshirojnë atë që është e drejtë.

Shumë nga mungesat më të rëndësishme të vdekshmërisë do të vihen në vendin e duhur në Mijëvjeçar, që është koha për përmbushjen e gjithçkaje që është e paplotë në planin e madhërishëm të lumturisë për të gjithë fëmijët e denjë të Atit tonë. Ne e dimë se kjo do të jetë e vërtetë për ordinancat e tempullit. Besoj se kjo do të jetë e vërtetë edhe për marrëdhëniet dhe përvojat familjare.” (President Dallin H. Oaks, “The Great Plan of Happiness”, Ensign, nëntor 1993, f. 75)

  • Çfarë të mëson kjo thënie rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

  • Cilin nga bekimet e Mijëvjeçarit dëshiron më së shumti? Përse?

  • Gjatë mësimit, çfarë përgjigjesh gjete për pyetjet e tua rreth Mijëvjeçarit?

Nëse nxënësit po kërkojnë ende përgjigje për pyetjet e tyre, drejtojini ata atje ku mund të gjejnë një përgjigje. Disa nga fragmentet vijuese mund të ndihmojnë: Doktrina e Besëlidhje 29:11; 88:110; 101:26–34; Nenet e Besimit 1:10. Shih edhe “Mijëvjeçar” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta.

Përgatitja për Mijëvjeçarin

Tempulli i Solt‑Lejkut në ndërtim e sipër

Në vitin 2020, filluan restaurimet në Tempullin e Solt‑Lejkut. Plaku Geri E. Stivenson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, foli rreth këtyre restaurimeve. Shihe se si i krahasoi ai ato me jetën tonë. Shikoje materialin filmik “Një Themel të Mirë për të Ardhmen”, në dispozicion te ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 14:51 deri në 15:26, ose lexo thënien më poshtë.

2:3

“Është shpresa e sinqertë e udhëheqësve të Kishës që restaurimet e rëndësishme të Tempullit të Solt‑Lejkut do të kontribuojnë në përmbushjen e dëshirës së Brigam Jangut që ta shihte ‘tempullin të ndërtuar në një mënyrë që ai do të durojë gjatë mijëvjeçarit’. Gjatë viteve të ardhshme, i lejofshim këto përmirësime të bëra Tempullit të Solt‑Lejkut që të na nxitin e frymëzojnë shpirtërisht, si individë e si familje, kështu që edhe ne – në mënyrë metaforike – ‘do të ndërt[ohemi] në një mënyrë që [do] të durojë gjatë mijëvjeçarit’.” (Geri E. Stivenson, “Një Themel të Mirë për të Ardhmen”, Liahona, maj 2020, f. 51–52)

  • Çfarë mendon se do të thotë të “ndërt[ohemi] në një mënyrë që [do] të durojë gjatë mijëvjeçarit”?

Merreni parasysh t’u referoheni sërish ngjarjeve në të ardhmen të cilat nxënësit po i presin me padurim, dhe të diskutoni se çfarë po bëjnë ata që të përgatiten për to. Më pas diskutoni mënyrat për t’u përgatitur për Mijëvjeçarin.

Nxënësit mund të përfitojnë nga dhënia e përgjigjeve për pyetjet vijuese në ditarët e tyre të studimit.

  • Kur mendon rreth mbretërimit mijëvjeçar të Shpëtimtarit, çfarë ndien?

  • Çfarë mund të bësh tani për t’u përgatitur për Mijëvjeçarin?

  • Me çfarë sfidash mund të përballesh ndërsa i bën këto përgatitje?