Seminari
Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 26:33: “Të Gjithë Janë Njësoj para Perëndisë”


“Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 26:33: ‘Të Gjithë Janë Njësoj para Perëndisë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 26:33”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 26:33

“Të Gjithë Janë Njësoj para Perëndisë”

grup njerëzish

Në studimin tënd të kapitullit 2 Nefi 26, ti mësove se “të gjithë janë njësoj para Perëndisë” (vargu 33) dhe se Perëndia i fton të gjithë fëmijët e Tij që të vijnë tek Ai. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë të zotërimit doktrinor për vargun te 2 Nefi 26:33, të shpjegosh doktrinën dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.

Fuqia nga përgatitja vetjake. Zoti i tha Hajrëm Smithit që së pari ta “fito[nte]” fjalën e Tij dhe më pas Shpirti do t’i jepte atij fuqi “për të bindur njerëzit” (Doktrina e Besëlidhje 11:21). Studioni me zell, lutuni dhe përsiatni përpara se të jepni mësim. Kjo mund ta lejojë Frymën e Shenjtë t’ju udhërrëfejë në përgatitjen e mësimeve dhe dallimin e nevojave ndërsa jepni mësim. Kapaciteti për të dhënë mësim me anë të Shpirtit vjen nga përpjekja vetjake dhe përgatitja e mësimit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i mësojnë përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë: 2 Nefi 26:33, “Të gjithë janë njësoj para Perëndisë”. Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë duke përdorur programin Doctrinal Mastery [Zotërimi Doktrinor].

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë pas mësimit “2 Nefi 26”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor te 2 Nefi 26:33. Nëse ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor duhet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që të jepni edhe mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Shpjego dhe mëso përmendsh

Lexo te 2 Nefi 26:33 dhe përsërit doktrinën që mësove në mësimin e mëparshëm që të gjithë janë njësoj para Perëndisë.

  • Cilat janë situatat ku doktrina në këtë varg mund të ndihmojë? Shpjego se si.

Jepuni nxënësve mundësi që ta mësojnë përmendsh referencën për fragmentin e zotërimit doktrinor te 2 Nefi 26:33 dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë që e shoqëron atë. Sa vijon është një shembull se si ta bëni këtë.

Shkruaje referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargun te 2 Nefi 26:33, “Të gjithë janë njësoj para Perëndisë” në ditarin tënd të studimit. Përsërite referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë disa herë (me zë ose me shkrim) derisa ta kesh futur në kujtesë.

Një mundësi tjetër është që gjysma e nxënësve të thotë referencën e shkrimit të shenjtë njëzëri, e ndjekur nga gjysma tjetër që përsërit frazën kyç të shkrimit të shenjtë. Përsëriteni këtë disa herë.

Ushtroje vënien në zbatim

Shqyrtoji parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore që jepen mësim te paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022).

Për t’i ndihmuar nxënësit t’i rishikojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore gjatë përgatitjes për ushtrimin vijues të vënies në zbatim, lexoni një fjali nga paragrafët 5–12 te pjesa “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022) për çdo parim. Ftojini nxënësit ta përcaktojnë parimin që theksohet në fjali. Merreni parasysh ta përsëritni disa herë me fjali të ndryshme.

Tregimi vijues, i përshtatur nga artikulli “Vërtet do ta Marr Këtë Gjë me Besim” nga Elizabet Maki (history.ChurchofJesusChrist.org), tregon rreth një burri që u ndikua nga kufizimi i priftërisë. Për të mësuar rreth kufizimit të priftërisë, shih kreun te Deklarata Zyrtare 2 në fund të librit Doktrina e Besëlidhje.

ikonë, fletushkëMerreni parasysh të paraqitni ose të siguroni një kopje të fletushkës “Historia e Xhorxh Rikfordit” më poshtë.

Ndërsa e lexon tregimin e Vëllait Rikford, kërko prova specifike të secilit nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në udhëtimin e tij.

Historia e Xhorxh Rikfordit

Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit – Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 26:33: “Të Gjithë Janë Njësoj para Perëndisë”

“Në vitin 1969, Xhorxh Rikfordi, një i ri në moshë madhore që jetonte në Lestër, Angli, takoi misionarë nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme. Fillimisht Xhorxhi nuk e pranoi mesazhin e tyre, por në fund ai filloi të takohej me misionarët. Pas tre muajsh hulumtimi të thellë, Xhorxhi u zgjua një mëngjes me bindjen se Kisha ishte e vërtetë.

Xhorxhi me padurim donte t’ua shprehte misionarëve dëshminë e porsagjetur. Përpara se të mund ta bënte, ata e vunë në dijeni se ai nuk do të kishte të drejtën të merrte priftërinë si anëtar i Kishës, për shkak të prejardhjes së tij racore të përzier, gjë që përfshinte paraardhësit me prejardhje afrikane zezake.

Një ditë, Xhorxhi po bisedonte me një mik të ngushtë rreth përvojës së tij me misionarët dhe filloi t’i mësonte mikut të tij rreth Profetit Jozef Smith. Ai kujtoi: ‘Teksa po e tregoja atë histori, befas u gjallërova, diçka më pushtoi dhe thjesht u çela në fytyrëʼ.

Përvoja e ripohoi dëshminë e Xhorxhit, por sidoqoftë shqetësimet e tij rreth kufizimit të priftërisë nuk iu larguan. Ndërsa lutej për kuptim të mëtejshëm, i erdhi ky mesazh: ‘Nuk duhet të kuptosh çdo gjë rreth ungjillit tim përpara se të zotohesh ndaj tij. Përse nuk e tregon besimin tënd duke e pranuar atë që ke dëgjuar dhe pjesën tjetër të ma lësh mua në dorë?ʼ

I ngushëlluar nga mesazhi, Xhorxhi plot lutje u përgjigj: ‘Po, Zot, do ta bëj. Vërtet do ta marr këtë gjë me besim. Dhe faleminderit, për këtë, faleminderit!ʼ Dy muaj më vonë, Xhorxhi u pagëzua dhe u bë një anëtar besnik i Kishës.

Në vitin 1975, tre vjet përpara zbulesës mbi priftërinë, Xhorxhi e shprehu besimin e tij në një Perëndi të drejtë duke shkruar se ai e pranonte kufizimin ‘me besim, pa asnjë rezervëʼ. Ai shtoi: ‘Jam thjesht mirënjohës që priftëria e Zotit është edhe një herë në tokë, me të gjitha bekimet, autoritetin dhe përgjegjësinë e saj shoqëruese. Për mua ka më pak rëndësi se kush e ka dhe kush nuk e ka atë, por ka më shumë rëndësi se si përdoret ajo.ʼ

Në vitin 1978, Xhorxhi mësoi për zbulesën e shtrirjes së priftërisë tek të gjithë burrat e denjë (shih te Deklarata Zyrtare 2).

Sapo Xhorxhi u kthye në shtëpi, ai dhe Xhuni [bashkëshortja e tij], folën gjatë gjithë natës se çfarë domethënie do të kishte lajmi për familjen e tyre. Ndryshimi ishte madhështor. Të nesërmen në mëngjes, Xhorxh Rikfordi u shugurua prift në Priftërinë Aarone. Dy muaj më vonë, ai u shugurua I Shtatëdhjetë dhe u bë anëtari më me përvojë i kuorumit të Të Shtatëdhjetëve të kunjit. Dhe dy muaj pas kësaj, Xhorxh dhe Xhun Rikfordi u vulosën në Tempullin e Londrës në Angli, së bashku me katër fëmijët e tyre” (“Vërtet do ta Marr Këtë Gjë me Besim”).

  • Si mendon se mund të jetë ndier Xhorxhi kur dëgjoi se ai nuk kishte të drejtë të merrte priftërinë?

Merreni parasysh t’i lejoni nxënësit të japin idetë e tyre duke pyetur fillimisht: “Çfarë prove patë që Vëllai Rikford e përdori secilin nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore?” Përndryshe, nxënësit mund të punojnë në dyshe ose në grupe të vogla për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese ose atyre mund t’iu caktohet një parim tek i cili të përqendrohen.

Vepro me besim

  • Në ç’mënyra veproi Vëllai Rikford me besim? Si e ndihmoi kjo atë?

Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

  • Në ç’mënyrë përgjigjja e Atit Qiellor për lutjen e Vëllait Rikford e ndihmoi atë që ta shihte situatën e vet me një këndvështrim të përjetshëm? Si e ndihmoi kjo Vëllanë Rikford që ta ndiqte Zotin?

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

  • Në çfarë mënyrash qe Fryma e Shenjtë një burim i caktuar në mënyrë hyjnore që po e ndihmonte Vëllanë Rikford?

  • Çfarë burimesh të tjera të caktuara në mënyrë hyjnore në kohën tonë mund ta ndihmojnë dikë që ka pyetje rreth kufizimit të priftërisë? Si mund ta ndihmojnë atë Deklarata Zyrtare 2 dhe vargu te 2 Nefi 26:33?

Për informacion shtesë që të ndihmojë për pyetjet rreth kufizimit të priftërisë, referojuni pjesës “Komente dhe Informacion për Rrethanat” në fund të këtij mësimi.

Mund të jetë dobiprurëse të bëni pyetje shtesë të tilla si ato në vijim: Pse mendoni se 2 Nefi 26:33 është një fragment i zotërimit doktrinor? Çfarë keni mësuar ose ndier në studimin tuaj sot? Si mund ta vini në zbatim personalisht shembullin e Vëllait Rikford dhe këtë fragment në jetën tuaj?

Mbylleni duke dhënë dëshmi për dashurinë e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij ose duke i ftuar nxënësit të tregojnë ndjenjat dhe përvojat e tyre rreth të qenit njësoj para Perëndisë.

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Veprimtaria vijuese e përsëritjes duhet të përdoret në një mësim që do të jepet së afërmi pas këtij mësimi.

Ndajini nxënësit në grupe të vogla. Ftojini nxënësit në çdo grup të thonë me radhë një fjalë ose numër një e nga një derisa grupi ta ketë plotësuar të gjithë referencën dhe frazën kyç “2 Nefi 26:33: ‘Të gjithë janë njësoj para Perëndisë’”. Për shembull, nxënësi i parë do të thotë “2”, nxënësi i dytë do të thotë “Nefi” dhe kështu me radhë derisa një nxënës të thotë fjalën e fundit “Perëndisë”. Pastaj, nxënësi i radhës mund ta fillojë nga e para duke thënë “2”.

Ftojeni çdo grup ta thotë përmendsh dhe saktë referencën dhe frazën kyç aq herë sa të mundet në një sasi të dhënë kohe.