Seminari
2 Nefi 26: T’i Shohim, t’i Duam dhe t’i Trajtojmë të Tjerët siç Bën Perëndia


“2 Nefi 26: T’i Shohim, t’i Duam dhe t’i Trajtojmë të Tjerët siç Bën Perëndia”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“2 Nefi 26”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

2 Nefi 26

T’i Shohim, t’i Duam dhe t’i Trajtojmë të Tjerët siç Bën Perëndia

Jezu Krishti i rrethuar nga njerëz

Çdo ditë përballemi me mesazhe dhe informacione që kanë për qëllim të ndikojnë te ndjenjat dhe këndvështrimet tona. Te 2 Nefi 26, Nefi dha mësim për këndvështrimin e Perëndisë. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i shohësh, duash dhe trajtosh të tjerët siç bën Perëndia.

Ndihma ndaj nxënësve që të ndiejnë se kontributi i tyre vlerësohet. Tregojuni nxënësve që i vlerësoni pyetjet dhe komentet e tyre duke i dëgjuar me kujdes dhe duke bërë një përpjekje të sinqertë për t’i kuptuar. Komunikojeni interesimin tuaj duke u përqendruar tek ajo që thonë nxënësit dhe jo tek ajo që ju do të thoni në vijim.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të pyesin prindërit ose një shok a shoqe të besuar se si përpiqen ata t’i shohin të tjerët ashtu siç bën Shpëtimtari.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Këndvështrimi ynë

Në vend që t’i paraqitni figurat vijuese, mund të sillni lloje të ndryshme syzesh që nxënësit t’i provojnë dhe më pas të diskutoni se si e ndryshon secila palë shikimin dhe këndvështrimin e tyre. Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë përvojat e tyre vetjake me mbajtjen e syzeve të ndryshme ose thjerrave korrigjuese dhe ndryshimin që sjell ajo gjë.

Këqyri figurat vijuese dhe mendo se si ndikojnë syzet e ndryshme te shikimi ynë.

vajzë me syze 3D
e re me syze dielli
i ri me syze noti
e re me syze për Realitet Virtual [VR]
  • Si mund të ndikojnë këto syze të ndryshme te këndvështrimi i dikujt?

  • Cilat janë disa gjëra që ndikojnë te mënyra se si i shohim dhe i trajtojmë të tjerët?

Gjej një çast për të reflektuar mbi perceptimin tënd për të tjerët. Mendo rreth asaj që mund të jetë duke i dhënë formë këndvështrimit tënd dhe faktit se si kjo mund të ndikojë tek ajo që ndien për të tjerët, dhe mënyra si i trajton ata. Ndërsa studion, kërko frymëzim për të ditur atë që mund të bësh për t’i parë dhe trajtuar të tjerët ashtu siç bën Perëndia.

Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i shohësh, duash dhe trajtosh të tjerët siç bën Perëndia.

Karakteri i Perëndisë

Te 2 Nefi 26, Nefi pa shërbesën e Shpëtimtarit mes nefitëve, si dhe ligësinë dhe shkatërrimin përfundimtar të popullit të tij. Ai pa edhe ligësinë e johebrenjve në ditët e fundit. Në kundërshtim me këtë, ai më pas theksoi përkujdesjen e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij.

Merri parasysh tri pyetjet vijuese ndërsa lexon vargjet te 2 Nefi 26:12–13, 23–33:

Jepuni nxënësve kohë të bollshme për të studiuar vargjet te 2 Nefi 26:12–13, 23–33 dhe merreni parasysh t’i ftoni ata të shenjojnë fjalët dhe frazat që u përgjigjen pyetjeve vijuese. Krijoni një atmosferë nderuese ku Shpirti mund të japë mësim. Mund të vini muzikë të qetë ndërkohë që ecni përqark dhomës, duke i pyetur me zë të ulët nxënësit se çfarë po mësojnë, ndiejnë ose shenjojnë ndërsa studiojnë.

Mund të jetë e dobishme t’i paraqitni pyetjet teksa nxënësit lexojnë.

  • Si i sheh Perëndia fëmijët e Tij dhe çfarë ndien për ta?

  • Si e demonstron Ai këtë?

  • Si dëshiron Ai që ne t’i shohim dhe t’i trajtojmë të tjerët?

Pasi nxënësit t’i studiojnë mësimet e Nefit rreth karakterit të Perëndisë, ftojini ata të tregojnë atë që mësuan. Pyetjet vijuese, krahas pyetjeve të tjera për ndjekjen e ecurisë, mund të ndihmojnë për të inkurajuar të treguarit. Përndryshe, nxënësit mund të renditin në tabelë të vërtetat që mësuan rreth Perëndisë, dhe më pas të diskutojnë kuptimin dhe domethënien e këtyre.

  • Cilat fjalë, fraza ose të vërteta shenjove që mund t’u përgjigjen pyetjeve? Përse?

  • Çfarë mësove ose ndjeve rreth karakterit të Perëndisë?

  • Si mund të ndikojë të kujtuarit e këtyre të vërtetave rreth Perëndisë te marrëdhënia jote me Të? Si mund të ndikojë te mënyra se si i trajton të tjerët?

Nxënësit mund të kenë vënë re një larmi të vërtetash rreth karakterit të Perëndisë. Merreni parasysh t’i pyesni nxënësit pse të vërtetat që gjetën, janë kuptimplota dhe t’i lavdëroni për idetë e tyre. Pjesa në vazhdim e këtij mësimi do të përqendrohet tek e vërteta në vargun 33 se “të gjithë janë njësoj para Perëndisë”. Kjo do t’i ndihmojë nxënësit të përgatiten për ta përdorur këtë fragment tek ushtrimi i vënies në zbatim i zotërimit doktrinor në mësimin vijues.

Vër re se te 2 Nefi 26:33, Nefi theksoi shumë lloje të ndryshme të individëve duke i vendosur ata bashkë në grupe me dallime. Përkufizimet vijuese mund të të ndihmojnë t’i kuptosh më mirë këto. Mund të marrësh parasysh t’i shkruash këto përkufizime në shkrimet e tua të shenjta pranë këtij vargu.

  • Skllav: Një rob.

  • Idhujtar: Dikush që nuk beson në Perëndi.

  • Judenjtë dhe johebrenjtë: Një frazë që u referohet të gjithë atyre që i përkasin shtëpisë së Izraelit dhe të gjithë atyre që nuk i përkasin.

ikonë, zotërimi doktrinor 2 Nefi 26:33 është një fragment i zotërimit doktrinor. Merreni parasysh t’i shenjoni fragmentet e zotërimit doktrinor në mënyrë të dallueshme që të mund t’i gjeni me lehtësi. Ju do të keni mundësinë në mësimin e ardhshëm të ushtroni zbatimin e doktrinës që jepet mësim në këtë fragment, për një pyetje ose situatë.

  • Çfarë ndryshimi mund të sjellë po t’i pranonte dhe zbatonte bota mësimet te vargu 33?

Gjej një çast për të reflektuar mbi këndvështrimin tënd, përfshirë atë që ndien për të tjerët dhe si i trajton ata, në krahasim me këndvështrimin e Perëndisë dhe asaj që ndien Ai për të tjerët dhe si i trajton Ai ata.

Një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit të krahasojnë se si i trajtojnë ata të tjerët me mënyrën si i trajton Perëndia, është t’i vini nxënësit t’i riformulojnë pyetjet që thotë Nefi te 2 Nefi 26:25–28 për t’i zbatuar për veten e tyre. Për shembull: “A i bëj njerëzit të ndiejnë që unë dua që ata të më largohen? Të mos adhurojnë me mua? Ose a hamendësoj unë se ata nuk duhet të marrin nga mirësia e Jezu Krishtit?”

Nëse dëshiron, mund të shikosh materialin filmik “We Don’t Need to Be the Same to Be One” [“Nuk Ka Pse të Jemi Njësoj që të Jemi Një”] (01:00), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, duke reflektuar mbi atë që Zoti do të donte të përmirësoje.

1:0

Pyetjet dhe paragrafi vijues mund t’i ndihmojnë nxënësit që t’i vlerësojnë ndjenjat dhe veprimet e tyre kundrejt të tjerëve dhe më pas ta vënë në zbatim atë që po mësojnë. Nxënësit mund t’i shënojnë në ditarin e tyre ose t’i diskutojnë përgjigjet e tyre për pyetjet.

  • Si mund të ndikojë tek ti të kujtuarit e këndvështrimit dhe ndjenjave të Perëndisë kundrejt të gjithë njerëzve?

  • Në çfarë mënyrash po ia del mirë me të parit dhe trajtimin e të tjerëve ashtu siç do t’i trajtonin Ati Qiellor dhe Jezusi?

  • Si mund të të ndihmojë të kujtuarit e mësimeve rreth Zotit te 2 Nefi 26:33 që t’i shohësh, duash dhe trajtosh të tjerët siç bën Perëndia?

Gjatë ditëve në vijim, përpiqu të vësh re se si i sheh, çfarë ndien për të tjerët dhe si i trajton ata. Mbaj vesh për nxitje nga Fryma e Shenjtë dhe kërko ndihmën e Zotit për të bërë çfarëdo ndryshimi të nevojshëm për t’i dashur dhe trajtuar të tjerët më shumë si Perëndia.