Seminari
Jakobi [LiM] 2:1–21: “Mos e Lejoni Këtë Kryelartësi … të Shkatërrojë Shpirtrat Tuaj”


“Jakobi [LiM] 2:1–21: ‘Mos e Lejoni Këtë Kryelartësi … të Shkatërrojë Shpirtrat Tuaj’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Jakobi [LiM] 2:1–21”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Jakobi [LiM] 2:1–21

“Mos e Lejoni Këtë Kryelartësi … të Shkatërrojë Shpirtrat Tuaj”

Jakobi duke dhënë mësim në tempull

Profeti Jakob e dinte me anë të zbulesës nga Perëndia se populli nefit po përfshihej në disa mëkate. Ai dha një predikim në tempull për t’i trajtuar këto mëkate, përfshirë mëkatin e kryelartësisë. Të gjithë ne kemi probleme me kryelartësinë nganjëherë. Ky mësim mund të të ndihmojë të bëhesh më i ngjashëm me Jezu Krishtin duke e dalluar dhe duke i rezistuar mëkatit të kryelartësisë.

Bëni pyetje që ftojnë zbulimin. Bëni pyetje që i ndihmojnë nxënësit t’i zbulojnë vetë të vërtetat e ungjillit. Pyetjet mund t’i angazhojnë nxënësit në procesin e të kuptuarit të shkrimeve të shenjta dhe mund t’i ndihmojnë ata t’i dallojnë dhe t’i kuptojnë të vërtetat e rëndësishme të ungjillit.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të vijnë të përgatitur për të dhënë shembuj të mënyrës se si e shohin kryelartësinë të shfaqet në botë sot.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Kryelartësia

Paraqitini skenarët vijues dhe ftojini nxënësit të kërkojnë prova për kryelartësinë.

  • Kledi shpreson që një anëtar i ekipit të vet të bëjë një gabim gjatë një ndeshjeje që ai të mund të luajë më shumë.

  • Silva i ekzagjeron arritjet e saj në mënyrë që të duket më mirë ose më e rëndësishme përpara të tjerëve.

  • Xheni nuk tregon mirënjohje dhe nuk e pranon të mirën që bëjnë të tjerët.

  • Eni tallet me të tjerët dhe i përqesh ata prapa shpine.

  • Çfarë prove të kryelartësisë gjete?

Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) dha mësim:

“[Kryelartësia] është një mëkat që mund të shihet menjëherë tek të tjerët, por rrallëherë pranohet te vetja.” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 249)

Tani, mendo për Shpëtimtarin. Pavarësisht nga arritjet dhe aftësitë e Tij të shumta, Ai ishte gjithnjë zemërbutë dhe i përulur (shih te Mateu 11:29). Ndërsa studion, mendo rreth mënyrave se si mund të shfaqet kryelartësia në jetën tënde. Ky mësim mund të të ndihmojë të bëhesh më shumë si Jezu Krishti duke i rezistuar mëkatit të kryelartësisë.

“Mos e lejoni këtë kryelartësi … të shkatërrojë shpirtrat tuaj”

Zoti e ndihmoi profetin Jakob t’i dinte mendimet e popullit dhe e urdhëroi atë të shkonte në tempull dhe të dëshmonte kundër mëkateve të tyre, përfshirë mëkatin e kryelartësisë (shih te Jakobi [LiM] 2:1–13).

Merreni parasysh ta plotësoni veprimtarinë vijuese si klasë në tabelë si dhe t’i ftoni nxënësit ta plotësojnë atë në ditarët e tyre të studimit.

Në ditarin tënd të studimit, vizato një vijë deri në mes të faqes. Në krye të anës së majtë të faqes, shkruaj titullin “Shfaqje të kryelartësisë”. Në krye të anës së djathtë, shkruaj “Mënyra se si mund të jemi si Shpëtimtari dhe t’i rezistojmë kryelartësisë”.

Ftojini nxënësit të dalin përpara klasës dhe të renditin shfaqje të kryelartësisë që gjejnë në vargjet vijuese në anën e majtë të tabelës.

Lexo te Jakobi [LiM] 2:12–16, duke kërkuar shfaqje të kryelartësisë. Shtoji ato në anën e majtë të shënimit në ditarin tënd. Mund të shikosh edhe materialin filmik “Jakobi Jep Mësim rreth Kryelartësisë dhe Dëlirësisë”, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 00:23 deri në 04:39.

5:56

Nëse dëshironi mund të shkruani të vërtetën vijuese të theksuar me ngjyrë të zezë në tabelë dhe t’i përdorni pyetjet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit të shprehin se si kryelartësia mund të ndikojë te ne sot.

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky fragment është se kryelartësia i shkatërron shpirtrat tanë (Jakobi [LiM] 2:16).

  • Si mendon se mund t’i shkatërrojë shpirtrat tanë kryelartësia?

  • Si mendon se paralajmërimi i Jakobit është ende aktual sot?

Plaku Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, dhe Presidenti Ezra Taft Benson (1899–1994) treguan mënyra të tjera se si kryelartësia mund të shfaqet në jetën tonë. Shto ide nga fjalët e tyre në anën e majtë të shënimit në ditarin tënd.

Paraqitini thëniet vijuese dhe ftojini nxënësit të japin ide nga thëniet dhe shtojini ato në anën e majtë të tabelës.

18:14

“Armiku kryesor i dashurisë hyjnore është krenaria. Krenaria është një nga arsyet më të mëdha që martesat dhe familjet hasin vështirësi. Krenaria është gjaknxehtë, jodashamirëse dhe ziliqare. Krenaria e zmadhon tepër vetë forcën e saj dhe i shpërfill virtytet e të tjerëve. Krenaria është egoiste dhe nxitet lehtë në zemërim. Krenaria hamendëson qëllim të lig atje ku nuk ekziston dhe i fsheh dobësitë e saj prapa justifikimeve të mençura. Krenaria është cinike, pesimiste, zemërake dhe mosduruese. Në të vërtetë, nëse dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit, atëherë krenaria është tipari përcaktues i Satanit.” (Diter F. Uhtdorf, “Në Lavdërim të Atyre që Shpëtojnë”, Liahona, maj 2016, f. 80)

“Pjesa më e madhe e jona e konsideron krenarinë të jetë një mëkat i atyre që janë në krye, të tillë si të pasurit dhe të mësuarit, që përçmojnë pjesën tjetër prej nesh. (Shih te 2 Nefi 9:42.) Megjithatë, ka një sëmundje shumë më të zakonshme midis nesh – dhe kjo është krenaria e të parit nga poshtë lart. Ajo shfaqet në kaq shumë mënyra, të tilla si kritika pa vend, thashethemet, përgojimi, mërmëritjet, të jetuarit përtej mundësive tona, zilia, lakmia, mosshprehja e mirënjohjes dhe e lëvdimit që mund të lartësojë dikë, dhe të qenit mosfalës e ziliqarë.” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 249)

Ftojini nxënësit të reflektojnë për përgatitjen e tyre për orën mësimore ndërsa diskutojnë pyetjet vijuese.

  • Cilat janë disa mënyra të tjera në të cilat e sheh kryelartësinë të shfaqet në botën tonë sot?

  • Si është kryelartësia e kundërta e karakterit të Jezu Krishtit?

Paraqiteni nxitjen vijuese dhe ftojini nxënësit t’i marrin parasysh me sinqeritet mënyrat se si kryelartësia mund të shfaqet në jetën e tyre.

Ndalu dhe përsiat mendimet dhe veprimet e tua vetjake. Në çfarë mënyrash përfshihesh ti ndonjëherë në mëkatin e kryelartësisë? Si po ndikojnë këto shfaqje të kryelartësisë në marrëdhëniet dhe lumturinë tënde? Çfarë mund të dëshirosh të ndryshosh? Pse?

Mposhtja e kryelartësisë

Jakobi dha mësim se si ne mund të marrim shpresë në Krisht dhe t’i rezistojmë mëkatit të kryelartësisë.

Ndërsa nxënësit studiojnë sa vijon, ftojini ata të dalin përpara klasës dhe ta shkruajnë atë që gjejnë në anën e djathtë të tabelës.

Lexo te Jakobi [LiM] 2:17–21, duke kërkuar mënyra se si mund ta shmangësh mëkatin e kryelartësisë. Shtoji ato në anën e djathtë të shënimit në ditarit tënd. Mund të shikosh edhe materialin filmik “Jakobi Jep Mësim rreth Kryelartësisë dhe Dëlirësisë”, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 04:40 deri në 05:44.

5:56

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i diskutojnë pyetjet vijuese në dyshe ose grupe të vogla.

  • Si mund të na ndihmojë ndjekja e këshillës së Jakobit që t’i rezistojmë kryelartësisë dhe të marrim shpresë në Krisht?

  • Kë njeh ti që është një shembull i mirë i rezistencës ndaj kryelartësisë në mënyrat e përshkruara në këto vargje? Çfarë bën ai ose ajo?

  • Te cilat cilësi si të Krishtit mund të përqendrohemi dhe t’i zhvillojmë që do të na ndihmonin ta shmangnim kryelartësinë? Pse ose si do të ndihmonin ato cilësi?

Paraqiteni ftesën vijuese.

Reflekto për nevojën tënde për ta dalluar dhe për t’i rezistuar mëkatit të kryelartësisë në jetën tënde. Mendo për situata ose marrëdhënie specifike ku ti shfaq kryelartësi. Përpiqu ta dallosh se si kryelartësia mund të jetë duke ndikuar në marrëdhëniet e tua. Kërko ndihmën e Atit Qiellor nëpërmjet Frymës së Shenjtë për t’u bërë më shumë si Shpëtimtari duke i rezistuar kryelartësisë ndërsa bën sa vijon:

  1. Zgjidh një shfaqje të kryelartësisë nga ana e majtë e shënimit në ditarin tënd ku ndihesh i/e frymëzuar të përqendrohesh për ta mposhtur në këtë moment.

  2. Nga ana e djathtë e shënimit në ditarin tënd, zgjidh një mënyrë se si mund t’i rezistosh asaj shfaqjeje të kryelartësisë. Mendo për cilësi si të Krishtit dhe shkruaj veprime specifike që mund të ndërmarrësh.

Merreni parasysh të jepni një dëshmi për aftësinë e Shpëtimtarit për të na ndihmuar ta mposhtim kryelartësinë dhe të bëhemi më shumë si Ai.