Seminari
Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 32:8–9 – “Ju Duhet të Luteni Gjithmonë”


“Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 32:8–9 – ‘Ju Duhet të Luteni Gjithmonë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 32:8–9”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Zotërimi Doktrinor: 2 Nefi 32:8–9

“Ju Duhet të Luteni Gjithmonë”

i ri duke u lutur

Në një mësim të mëparshëm, “2 Nefi 32:8–9”, ti mësove se nëse lutemi gjithmonë, Ati Qiellor do ta shenjtërojë kryerjen tonë për mirëqenien e shpirtrave tanë. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën e zotërimit doktrinor dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te 2 Nefi 32:8–9, të shpjegosh doktrinën dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale.

Inkurajimi i nxënësve që të luten. Inkurajojini nxënësit të luten çdo ditë për të shprehur mirënjohjen nga zemra dhe për të kërkuar ndihmë në kohë nevoje (shih te 3 Nefi 18:19). Nxënësit do të arrijnë ta njohin më shumë Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin teksa i kuptojnë dhe i zbatojnë parimet e lutjes.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të përcaktojnë një rast në jetën e tyre ose në jetën e dikujt që njohin kur lutja e sinqertë i ndihmoi ata të afroheshin më shumë me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë pas mësimit “2 Nefi 32:8–9”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor për vargjet te 2 Nefi 32:8–9. Nëse ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor duhet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që të jepni edhe mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Shpjego dhe mëso përmendsh

Ndihmojini nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te 2 Nefi 32:8–9. Inkurajojini nxënësit të marrin parasysh që të mësojnë përmendsh sa më shumë nga fragmenti i zotërimit doktrinor por mos ua kërkoni këtë. Programi i zotërimit doktrinor mund t’i ndihmojë ata për ta mësuar përmendsh.

Përsërite referencën e shkrimit të shenjtë për zotërimin doktrinor “2 Nefi 32:8–9” dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë “Ju duhet të luteni gjithmonë”. Krijo një histori të shkurtër për ta lidhur secilin nga numrat në referencën e shkrimit të shenjtë me frazën kyç – për shembull: “Adi u lut 32 orë në ditë.” Nuk ka problem nëse ajo që krijon nuk është logjike. Ideja është që të të ndihmojë ta lidhësh referencën me frazën kyç të shkrimit të shenjtë.

Ndihmojini nxënësit ta shpjegojnë doktrinën që jepet mësim te 2 Nefi 32:8–9. Sigurohuni t’i jepni çdo nxënësi një mundësi për të ushtruar shpjegimin e doktrinës. Nëse nxënësit punojnë në dyshe, çdo nxënës do të jetë në gjendje të ushtrohet pa veprimtarinë që merr shumë kohë nga ora mësimore. Mund të përdorni skenarin dhe udhëzimet vijuese ose të përdorni një skenar që e keni përshtatur ose krijuar ju vetë.

Imagjino sikur po flet me një shok ose shoqe që nuk ndihet i/e denjë për t’u lutur. Përdori frazat nga 2 Nefi 32:8–9 për ta ndihmuar atë të kuptojë pse duhet të lutemi gjithmonë. Përfshije në shpjegimin tënd se çfarë do të thotë të lutesh gjithmonë.

Ushtroje vënien në zbatim

Paraqitini ose ftojini nxënësit t’i sjellin ndër mend tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Ftojini nxënësit të përzgjedhin një parim dhe të shkruajnë sa më shumë që të mbajnë mend rreth tij për një minutë. Për të parë se çfarë tjetër mund të shtojnë, ata më pas mund ta krahasojnë atë që shkruan me një nxënës tjetër që përsëriti të njëjtin parim, ose mund ta krahasojnë me paragrafët 5–12 në pjesën “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” te Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2022).

Kur ta mbarojnë përsëritjen e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore, ftojini nxënësit të shkruajnë në tabelë shqetësimet ose pyetjet që njerëzit mund të kenë rreth lutjes ndaj Atit Qiellor. Pastaj vëreni secilin prej tyre të përzgjedhë një dhe të ushtrohet për përdorimin e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore që të përgatitë një përgjigje për shqetësimin. Nëse nevojitet, mund të përfshini pyetjet që vijnë më pas në mësim për të ndihmuar që nxënësit të udhëzohen gjatë studimit të tyre.

Përndryshe, mund të përdorni një nga gjërat në vijim për t’i ndihmuar nxënësit të ushtrohen.

  1. Ftojini nxënësit të zgjedhin njërën nga sfidat e renditura në tabelë dhe të krijojnë një skenar për një të ri ose të re që e ka këtë sfidë. Nxënësit mund t’i vënë një emër këtij personi, t’i japin një arsye pse ai ose ajo nuk lutet dhe të shtojnë hollësi të tjera të rëndësishme.

  2. Tregojeni skenarin vijues dhe ftojini nxënësit t’i përdorin parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore për t’u përgjigjur: Një shok ose shoqe të dërgon një mesazh ku thuhet: “Ndërkohë që po dëgjoja një bisedë në kishë, e kuptova se në vend që të më ndihmojnë të lidhem me Atin Qiellor, lutjet e mia janë kthyer në rutinë. Nuk ndiej sikur marr më përgjigje për lutjet e mia. Po filloj të shqetësohem rreth asaj që ndien Ati Qiellor për mua. Dëshiroj që ajo lidhje të kthehet përsëri. Po shpresoja që të mund të flisnim nesër në çfarëdo lloj ore dhe ndoshta ti mund të më ndihmosh të zbuloj se çfarë të bëj.”

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

  • Cilat burime të caktuara në mënyrë hyjnore do të përdorje për t’u përgjigjur?

Përdor një burim të caktuar në mënyrë hyjnore që të të ndihmojë të përgatitësh një përgjigje. Mund t’i dërgosh një mesazh një prindi ose një udhëheqësi të Kishës ku i kërkon ndihmë për përgjigje të mundshme. Mund të kërkosh edhe në shkrimet e shenjta ose në materiale te ChurchofJesusChrist.org. Për disa shqetësime, pohimi vijues nga Presidenti Brigam Jang (1801–1877) mund të ndihmojë:

“Nuk ka rëndësi nëse ju apo unë ndiejmë se duam të lutemi, kur vjen koha për t’u lutur, lutu. Nëse nuk ndiejmë se duam të lutemi, ne duhet të lutemi gjersa ta ndiejmë se duam.” (Teachings of Presidents of the Church: Brigham Young [1997], f. 45)

Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

  • Çfarë di ti për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin që lidhet me këtë pyetje ose shqetësim?

  • Cilat të vërteta të përjetshme nga 2 Nefi 32:8–9 mund ta ndihmojnë dikë për këtë pyetje ose shqetësim?

Vepro me besim

  • Çfarë do t’i sugjeroje këtij personi të bënte për të vepruar me besim te Jezu Krishti? Pse?

  • Çfarë do ta ftoje këtë person të kujtojë që mund ta ndihmojë atë të veprojë me besim?

Ftojini nxënësit të diskutojnë se si i ndihmoi të përgjigjeshin përdorimi i parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Inkurajojini ata t’i përdorin këto parime në të ardhmen kur lindin pyetje ose shqetësime për ta ose të tjerët.

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Gjatë një mësimi të ardhshëm, kaloni jo më shumë se tre deri në pesë minuta duke përsëritur referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë “2 Nefi 32:8–9: Ju duhet të luteni gjithmonë’”. Një mënyrë për të përsëritur është të paraqitni një figurë të dikujt duke u lutur dhe t’u kërkoni nxënësve të sjellin ndër mend referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë ndërsa e vështrojnë figurën.