“Jakobi [LiM] 5:1–53: ‘Zoti i Vreshtit’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Jakobi [LiM] 5:1–53”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Jakobi [LiM] 5:1–53
“Zoti i Vreshtit”
Perëndia kujdeset për të gjithë fëmijët e Tij, për ata që janë të drejtë dhe ata që zgjedhin të jenë të padrejtë. Jakobi tregoi alegorinë e Zenosit për pemët e ullirit, e cila në mënyrë simbolike ilustron shpërndarjen e disave që ishin të drejtë dhe të disave që nuk ishin të tillë. Kjo alegori ilustron edhe përpjekjet e Zotit për ta mbledhur Izraelin në ditët e fundit. Ky mësim mund të të ndihmojë ta ndiesh dashurinë që ka Jezu Krishti për ty dhe për të gjithë njerëzit.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Dashuria e Perëndisë për ata që shkojnë në rrugë të gabuar
Liza ndihet fajtore rreth disa prej gabimeve që ka bërë kohët e fundit. Ajo ka filluar të vrasë mendjen a do t’ia dijë Perëndia ende për të për shkak të këtyre gabimeve.
-
Çfarë mund të thuash po të ishe duke u përpjekur të ndihmoje dikë që ka të njëjtat ndjenja si të Lizës?
-
Pse mund të jetë e vështirë ta dallojmë ose ndiejmë dashurinë e Perëndisë pasi zgjedhim të mëkatojmë?
Sot do të studiosh një tregim nga shkrimet e shenjta që demonstron dashurinë e Zotit për ata që shkojnë në rrugë të gabuar. Ndërsa studion, kërko mësime të rëndësishme rreth gatishmërisë së Jezu Krishtit për t’i ndihmuar ata që janë larguar prej Tij. Përsiat se si të vërtetat që mëson, mund të të ndihmojnë në rrethanat e tua.
Alegoria e pemëve të ullirit
Jakobi profetizoi se judenjtë do ta refuzonin Jezu Krishtin (shih te Jakobi [LiM] 4:15). Për ta ndihmuar popullin e tij ta kuptonte se si do t’i ndihmonte Shpëtimtari judenjtë që të ktheheshin tek Ai, Jakobi u mësoi atyre një alegori të dhënë nga një profet i quajtur Zenos. Një alegori përdor personazhe, objekte dhe veprime simbolike për të dhënë mësim të vërtetat.
Në vijim janë disa nga simbolet kyç të alegorisë, së bashku me kuptimet e tyre të mundshme. Merre parasysh t’i renditësh këto simbole në ditarin tënd të studimit ose në shkrimet e shenjta.
Simboli |
Kuptimi i Mundshëm |
---|---|
Simboli Zoti ose pronari i vreshtit | Kuptimi i Mundshëm Jezu Krishti |
Simboli Vreshti | Kuptimi i Mundshëm Bota |
Simboli Pema e ullirit të butë | Kuptimi i Mundshëm Shtëpia e Izraelit, populli i besëlidhjes së Zotit |
Simboli Pema e ullirit të egër | Kuptimi i Mundshëm Johebrenjtë (ata që nuk kanë bërë besëlidhje me Zotin) dhe Izraeli braktisës |
Për të të ndihmuar të mësosh rreth Jezu Krishtit ndërsa studion kapitullin te Jakobi [LiM] 5, shkruaj “Ajo që mësoj rreth Jezu Krishtit nga Jakobi [LiM] 5” në qendër të një faqeje bosh në ditarin tënd të studimit dhe vizato një rreth përreth asaj. Gjatë gjithë mësimit, kërko të vërteta dhe ide rreth Jezu Krishtit, Zotit të vreshtit. Shënoji këto gjetje në rrethin tënd ose përreth tij në ditarin tënd të studimit.
Të kuptuarit e alegorisë
Fillimi i alegorisë mund të përfaqësojë kohën përpara shërbesës në vdekshmëri të Jezu Krishtit. Lexo te Jakobi [LiM] 5:3–6, duke kërkuar atë që i ndodhi pemës së ullirit të butë, e cila përfaqëson popullin e besëlidhjes së Perëndisë.
-
Çfarë mendon se simbolizon kalbja e pemës?
-
Si mendon, çfarë mund të përfaqësojnë veprimet e krasitjes, gërmimit dhe ushqimit nga ana e pronarit të vreshtit?
-
Çfarë të mësojnë këto veprime rreth Jezu Krishtit? (Shtoji idetë e tua në faqen e ditarit tënd.)
Pas kësaj vizite të parë, pronari i vreshtit ndërmori dy veprime të tjera të rëndësishme për të shpëtuar pemën e ullirit të butë:
-
Ai urdhëroi që degët kryesore të pemës së ullirit që qenë kalbur të hiqeshin dhe që disa degë nga një pemë ulliri e egër të shartoheshin me pemën kryesore (shih te Jakobi [LiM] 5:7–10). Ky shartim mund të përfaqësojë përpjekjet e Zotit për të ndihmuar johebrenjtë të bëhen pjesë e popullit të Tij të besëlidhjes nëpërmjet pagëzimit dhe kthimit në besim.
-
Ai mori degë të reja dhe të njoma nga pema kryesore e ullirit dhe i shartoi ato në pjesë të ndryshme të vreshtit (shih te Jakobi [LiM] 5:8, 13–14). Kjo mund të përfaqësojë shpërndarjen e Izraelit në pjesë të ndryshme të botës. Disa prej atyre që u shpërndanë qenë të drejtë, të tillë si familja e Lehit (shih te 1 Nefi 10:12–13). Të tjerët u shpërndanë për shkak të ligësisë.
Pjesa e mbetur e alegorisë portretizon vizitat që i zoti i vreshtit bëri në vreshtin e tij në kohë të mëvonshme. Këto vizita mund të simbolizojë periudha të ndryshme kohore në historinë e botës.
Studiojini vargjet vijuese, duke kërkuar atë që i ndodhi edhe pemës kryesore dhe pemëve të shpërndara gjatë secilës vizitë.
-
Vizita e dytë (që simbolizon kohën e Jezu Krishtit): Jakobi [LiM] 5:15–17, 19–20, 23–28
-
Vizita e tretë (që simbolizon Braktisjen e Madhe): Jakobi [LiM] 5:29–32, 38–41, 46–47
-
Çfarë vure re rreth gjendjes së pemëve dhe frytit gjatë këtyre vizitave?
-
Çfarë vure re rreth fjalëve dhe veprimeve të zotit të vreshtit gjatë këtyre vizitave?
-
Çfarë të mësojnë këto fjalë dhe veprime rreth Jezu Krishtit? (Shtoji idetë e tua në faqen e ditarit tënd.)
Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha një mësim që mund të mësojmë rreth Perëndisë nga këto vargje:
“Pas gërmimit dhe plehërimit, ujitjes dhe pastrimit të barërave të këqija, prerjes, krasitjes, ndërrimit të vendit dhe shartimit, Zoti i madhërishëm i vreshtit e hedh lopatën dhe gërshërët e tij për krasitje dhe qan, duke thirrur për këdo që do ta dëgjonte: ‘Çfarë mund të kisha bërë unë më shumë për vreshtin tim?’ [Jakobi [LiM] 5:41, 49.]
Çfarë shëmbëlltyre e pashlyeshme e përfshirjes së Perëndisë në jetën tonë! Çfarë ankthi përjeton një prind kur fëmijët e Tij nuk e zgjedhin Atë, as ‘ungjillin e Perëndisë’ [Romakëve 1:1] që Ai e dërgoi! Sa e lehtë ta duash dikë që na do në mënyrë kaq të pazakontë!” (Jeffrey R. Holland, “The Grandeur of God”, Liahona, nëntor 2003, f. 72)
-
Çfarë të bëri përshtypje nga kjo thënie? Pse?
Përpjekjet e vazhdueshme të zotit të vreshtit
Lexo te Jakobi [LiM] 5:51–53, duke kërkuar atë që zoti i vreshtit zgjodhi të bënte pasi i pa pemët e tij të kalbura.
-
Çfarë ju mësojnë këto vargje rreth Zotit? (Shtoji idetë e tua në faqen e ditarit tënd.)
-
Si do t’i përmblidhje mësimet që ke mësuar nga Jakobi [LiM] 5 me një pohim të vërtete?
Një e vërtetë që mund të mësojmë nga Jakobi [LiM] 5 është se Zoti i do të gjithë fëmijët e Atit Qiellor dhe vazhdon të kujdeset për ta edhe kur ata largohen prej Tij.
-
Si mund ta ndihmojë kjo e vërtetë dikë që të ndiejë një dëshirë më të madhe për t’u penduar?
-
Cilët janë disa shembuj nga shkrimet e shenjta apo nga jeta juaj, që ilustrojnë se si Zoti vazhdon t’i dojë dhe të kujdeset për njerëzit edhe pasi ata largohen prej Tij?
Mendo rreth faktit se si mund të ndikojë në jetën tënde ajo që ke mësuar dhe ndier sot. Merre parasysh t’i shënosh mbresat e tua në ditarin tënd të studimit.