Seminari
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 3: 2 Nefi 26 – Jakobi [LiM] 7


“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 3: 2 Nefi 26 – Jakobi [LiM] 7”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 3”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 3

2 Nefi 26Jakobi [LiM] 7

e re duke shkruar në fletore

Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të kuptosh se si je rritur ose si ke ndryshuar gjatë studimit tënd të kapitujve te 2 Nefi 26Jakobi [LiM] 7.

T’u jepni nxënësve shtysë që të mësojnë. Inkurajojini nxënësit ta ushtrojnë lirinë e tyre të zgjedhjes për të marrë pjesë në përvojën e të mësuarit. Plaku Dejvid A. Bednar, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi: “Një nxënës që e ushtron lirinë e zgjedhjes duke vepruar në përputhje me parimet e drejta, ia hap zemrën e tij ose të saj Frymës së Shenjtë dhe e fton mësimdhënien e Tij, fuqinë dëshmuese dhe dëshminë vërtetuese” (“Seek Learning by Faith”, Ensign, shtator 2007, f. 64).

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të reflektojnë për mënyrën se si janë rritur shpirtërisht gjatë studimit të tyre të Librit të Mormonit katër javët e fundit. Mund t’i ftoni ata t’i rishikojnë ditarët e tyre të studimit dhe të përcaktojnë mësime specifike që i kanë zbatuar ose vargje që kanë qenë veçanërisht kuptimplota për ta.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Pak më të Mirë nga Dita në Ditë

Merreni parasysh ta filloni këtë mësim me një diskutim rreth qëllimeve dhe vlerës së vlerësimit të vetes. Nxënësit mund të tregojnë mësime specifike nga Libri i Mormonit që i kanë zbatuar në jetën e tyre ose vargje nga Libri i Mormonit që kanë qenë veçanërisht kuptimplota për ta.

Presidenti Lorenco Snou (1814–1901), Presidenti i pestë i Kishës, dha mësim:

“Mos prisni të bëheni të përsosur menjëherë. Nëse prisni këtë, do të zhgënjeheni. Jini më i mirë sot nga sa ishit dje dhe jini më i mirë nesër nga sa jeni sot. Tundimet që ndoshta na mposhtin pjesërisht sot, le të mos na mposhtin po kaq nesër. Kështu vazhdoni të jeni pak më të mirë nga dita në ditë; dhe mos e lini jetën tuaj të konsumohet pa u bërë mirë të tjerëve si edhe vetes.” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Lorenco Snou [2012], f. 107)

  • Si mund ta dish nëse je më i mirë sot nga sa ishe dje?

  • Si mund të të ndihmojnë Ati Qiellor dhe Jezu Krishti në përpjekjet e tua për të qenë më i mirë nesër nga sa ishe sot?

Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të mendosh për rritjen tënde si një dishepull i Jezu Krishtit, përfshirë aftësinë tënde për ta shpjeguar doktrinën që mëson në shkrimet e shenjta. Mendo për mënyrat se si të ka ndihmuar studimi nga ana jote e Librit të Mormonit që të rritesh si dishepull i Krishtit. Ndërsa studion sot, ftoje Frymën e Shenjtë të të ndihmojë të kuptosh se si studimi nga ana jote e Librit të Mormonit po ndikon tek aftësia jote për ta jetuar dhe përhapur ungjillin e Jezu Krishtit.

Studimi në klasë i kapitujve te 2 Nefi 26 deri në Jakobi [LiM] 7 mund të ketë theksuar të vërteta të ndryshme nga ato që gjenden në veprimtaritë vijuese. Ndihuni i lirë të zgjidhni se cilat veprimtari i plotësojnë më së miri nevojat e klasës suaj ose t’i përshtatni veprimtaritë për të përfshirë të vërtetat që përcaktuan nxënësit tuaj.

Qëllimi i veprimtarive A dhe B janë që t’u japin nxënësve një mundësi për ta shpjeguar doktrinën e dhënë mësim në mësimet e mëparshme. Mund të jetë e nevojshme të bëni vetëm njërën prej tyre që të lini kohë për veprimtarinë C ose D.

Veprimtaria A: Shpjego doktrinën e Jezu Krishtit

Veprimtaria vijuese do t’u kërkojë nxënësve të përsëritin disa vargje nga shkrimet e shenjta. Jini i ndjeshëm ndaj nxënësve që mund të kenë vështirësi për t’i lexuar ose kuptuar shkrimet e shenjta. Merreni parasysh t’i vini nxënësit në dyshe ose grupe dhe ndihmojini ata të përcaktojnë parimet dhe ordinancat e doktrinës së Krishtit. Këto përfshijnë besimin te Jezu Krishti, pendimin, pagëzimin për heqjen e mëkateve, marrjen e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimin deri në fund.

Nefi i dha mësim ato që nevojitet të bëjmë për të marrë jetën e përjetshme. Këto parime dhe ordinanca nganjëherë quhen doktrina e Krishtit (shih te 2 Nefi 31:2, 21). Doktrina e Krishtit “është udha; dhe s’ka udhë tjetër dhe as emër të dhënë nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë” (2 Nefi 31:21). Rishikoji vargjet te 2 Nefi 31:10–12, 17, 20–21, duke kërkuar parimet dhe ordinancat që janë pjesë e doktrinës së Krishtit.

Ftojini nxënësit t’u përgjigjen pyetjeve vijuese me grupin e tyre ose t’i shkruajnë përgjigjet e veta në ditarët e tyre të studimit.

  • Si mund t’ia shpjegosh doktrinën e Krishtit dikujt tjetër duke përdorur atë që Nefi shënoi te 2 Nefi 31?

  • Si na ndihmon doktrina e Krishtit të mbështetemi tek Ai për shpëtimin tonë?

  • Si je bekuar nga ndjekja e doktrinës së Krishtit?

Veprimtaria B: Shpjego rolin e Librit të Mormonit në Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit

Mund ta paraqitni skenarin vijues si një interpretim me role, të cilin presidentin e kunjit e bëni ju dhe nxënësit që përgjigjen si Miri. Nëse e bëni këtë, bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë që i ndihmojnë nxënësit të japin dëshmi për Librin e Mormonit si një shoqërues dhe dëshmitar i së vërtetës së Biblës (shih te 1 Nefi 13:40–42; 2 Nefi 3:11–12), një shenjë e Rivendosjes (shih te 2 Nefi 27; 29:1–10) dhe “gurthemeli i besimit tonë” (parathënia për Librin e Mormonit).

Imagjinoje skenarin vijues:

Miri po përgatitet për t’u bërë misionar kohëplotë. Presidenti i tij i kunjit i dërgoi mesazhin vijues një javë përpara se të takoheshin për një intervistë:

“Miri, jam i emocionuar që do të të takoj. Në përgatitje për mbledhjen tonë, të lutem a do të përgatitesh ta përdorësh Librin e Mormonit për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje: Cili është roli i Librit të Mormonit në Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit (shih te 2 Nefi 3:11–12; 2 Nefi 27:25–26; 2 Nefi 29:7–11).”

  • Çfarë mund të thotë Miri nga Libri i Mormonit rreth rolit të tij në Rivendosjen e ungjillit të Jezu Krishtit?

Veprimtaria C: Rezistoji djallit me besim te Jezu Krishti

Nëse nxënësit nuk u ftuan të krijonin një plan si pjesë të mësimit “2 Nefi 28:1–26”, ky segment do të duhet të përshtatet në përputhje me të. Për shembull, mund t’i ndihmoni nxënësit të krijojnë një plan ose të diskutojnë strategji që kundërveprojnë ndaj përpjekjeve të Satanit.

Te 2 Nefi 28:20–22, Nefi dha mësim rreth strategjive që Satani do të përdorë për t’i larguar njerëzit nga Perëndia në ditët e fundit. Këto përfshijnë ndezjen e njerëzve në zemërim kundër asaj që është e mirë, paqësimin e njerëzve dhe përkundjen e tyre në siguri trupore dhe të treguarit atyre se nuk ka ferr dhe nuk ka djall. Si pjesë e studimit tënd të mësimit “2 Nefi 28:1–26”, mund të kesh krijuar një plan për ta mbrojtur më mirë veten nga taktikat e Satanit. Rishikoje atë që shkrove në ditarin tënd të studimit nga ai mësim.

  • Me sa efektshmëri e ke vënë në veprim planin tënd? Pse?

  • Në çfarë mënyrash të ka ndihmuar plani yt të marrësh mbrojtjen e Shpëtimtarit nga taktikat e Satanit?

  • Çfarë ke mësuar ose përjetuar që mund të të ndihmojë të shtosh gjëra në planin tënd?

Merr parasysh mënyra se si të rizotohesh ndaj planit tënd. Sigurohu që të shohësh tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti që të të lajmërojnë për rrezikun dhe të të fuqizojnë për të shpëtuar nga përpjekjet e Satanit ose për t’i mposhtur ato (shih te Doktrina e Besëlidhje 10:5).

Veprimtaria D: Merr pjesë në mbledhjen e Izraelit

Të dy Nefi dhe Jakobi kishin interesim të madh për mbledhjen e Izraelit. Ndoshta kjo ishte pjesërisht për shkak se Zoti i tregoi Nefit se çfarë do t’u ndodhte pasardhësve të tyre (shih te 1 Nefi 12–13).

Mund të të kenë ftuar të marrësh pjesë në mbledhjen e Izraelit si pjesë e studimit nga ana jote të vargjeve te 1 Nefi 19–22; 2 Nefi 6 ose Jakobi [LiM] 5:52–77; 6:1–13. Nëse është kështu, rishiko çfarëdo zotimi ose plani që bëre apo qëndrimin dhe gatishmërinë tënde për t’u përfshirë në punë.

  • Çfarë ke mësuar gjatë studimeve të tua rreth mbledhjes së Izraelit që t’u duk inkurajuese ose e dobishme?

  • Çfarë përpjekjesh ke bërë që nuk i kishe provuar më parë? A pate sukses? Përse po ose përse jo?

  • Si e ke ndier Shpëtimtarin të të udhërrëfejë ose forcojë ndërsa përfshihesh në punën e Tij?

  • Çfarë bekimesh ke parë nga pjesëmarrja në këtë punë?