“Mosia 4: ‘Gjithmonë … Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Mosia 4”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Mosia 4
“Gjithmonë … Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja”
Si mund të ishte e ndryshme jeta jote po të ndieje një shtim të gëzimit dhe të paqes së ndërgjegjes? Nefitët, të prekur nga mësimet e mbretit Beniamin, u “mbushën me gëzim” dhe ndien “paqe të ndërgjegjes” ndërsa u penduan dhe morën një heqje të mëkateve të tyre (Mosia 4:3). Mbreti Beniamin më pas u mësoi atyre si ta mbanin këtë heqje të mëkateve të tyre. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh atë që mund të bësh për të marrë dhe mbajtur heqjen e mëkateve të tua.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Të qëndruarit të fortë shpirtërisht
Vështroje figurën vijuese dhe merr parasysh atë që i nevojitet të bëjë dikujt për ta mbajtur këtë bimë të shëndetshme dhe në rritje.
-
Çfarë do t’i ndodhte kësaj bime po të mbahej në një dhomë të errët ose po të mos ujitej asnjëherë?
-
Si mund të lidhet kjo me shëndetin dhe nevojat tona shpirtërore?
Ashtu si kujdesi për një bimë, mbajtja e vetes shpirtërisht të shëndetshëm kërkon përpjekje të vazhdueshme. Te Mosia 4, mbreti Beniamin i mësoi popullit të tij atë që i nevojitej të bënte për të qëndruar shpirtërisht i fortë. Ndërsa studion, përsiat mësime që do të të ndihmojnë në përpjekjet e tua për të qëndruar shpirtërisht i/e fortë gjatë gjithë jetës dhe për t’u zhvilluar që të bëhesh më shumë si Shpëtimtari.
Mbajtja e një heqjeje të mëkateve tona
Kujto se si pjesë e fjalimit të mbretit Beniamin, ai dha një mesazh që kishte marrë nga një engjëll rreth ardhjes së Jezu Krishtit dhe rëndësisë së kapërcimit të natyrës sonë të rënë nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit (shih te Mosia 3).
Lexo te Mosia 4:1–3, duke kërkuar bekimet dhe ndjenjat që përjetoi populli i mbretit Beniamin.
-
Çfarë të bie në sy nga këto vargje?
-
Si mendon, çfarë mund të kishin nevojë të bënin njerëzit për të mbetur në këtë gjendje të pastër dhe të gëzueshme?
Imagjino si mund të kishte qenë të ishe një njeri nga populli i mbretit Beniamin në atë kohë. Sill ndër mend se si mendon se do të kishte ndikuar kjo te ndjenjat e tua rreth Jezu Krishtit dhe çfarë do të kishe dëshiruar, nga kjo përvojë, të mbaje me vete përgjithmonë.
-
Çfarë ndryshimi mund të sjellë në jetën tënde po të ndieje një heqje të mëkateve të tua më shpesh?
Pjesa e mbetur e mësimeve të mbretit Beniamin te Mosia 4 na ndihmon të kuptojmë se, pasi kemi marrë falje nga Jezu Krishti, ne duhet të bëjmë përpjekje për të mbajtur një heqje të mëkateve tona.
-
Cili mendon se është ndryshimi midis marrjes dhe mbajtjes së një heqjeje të mëkateve tona?
-
Pse mendon se është e rëndësishme që ne të përpiqemi fort të mbajmë një heqje të mëkateve gjatë gjithë jetës sonë?
Merr parasysh si gjen zbatim kjo e vërtetë në jetën tënde. Sa mirë ndien se po e mban një heqje të mëkateve të tua? Ndërsa vazhdon të studiosh, kërko të vërtetat që mund të të ndihmojnë të kuptosh atë që mund të bësh për të mbajtur një heqje të mëkateve të tua.
Lexo te Mosia 4:9–16 dhe kërko mësimet e mbretit Beniamin që na ndihmojnë të kuptojmë se si mund të mbajmë një heqje të mëkateve tona.
-
Cilat janë të paktën tri gjëra që mbreti Beniamin dha mësim se duhet t’i bëjmë për të mbajtur një heqje të mëkateve tona, të cilat të bien më shumë në sy?
-
Si mendon se do të ishte për ty po t’i zbatoje këto ftesa nga mbreti Beniamin në jetën tënde?
-
Si mund të të ndihmojë bërja e këtyre gjërave që të mbash një heqje të mëkateve të tua?
Hapat e mi të radhës
Reflekto se sa mirë po ecën me zbatimin e mësimeve të mbretit Beniamin nga këto vargje. Mund ta bësh këtë duke u përqendruar në tri ose katër sjellje që sapo përcaktove, dhe t’i bësh vetes pyetje si:
-
Sa përpjekje po bëj për këtë?
-
Sa rregullisht e bëj këtë?
-
Çfarë ndjenjash dhe mbresash kam ndier sot që mund të sugjerojnë fusha tek të cilat mund të përmirësohem?
Me lutje, bëj një plan specifik për t’u përmirësuar në një fushë. Sill ndër mend ndonjë pengesë me të cilën mund të përballesh ndërkohë që përpiqesh të përmirësohesh në këtë fushë dhe atë që mund të bësh për të marrë ndihmën e Zotit për t’i kapërcyer këto sfida. Mund të jetë e dobishme t’ia tregosh synimin tënd një pjesëtari të familjes ose një njeriu të dashur që mund të të përkrahë në këtë gjë. Nëse dëshiron gjithashtu mund ta përfshish këtë synim te synimet e tua në programin Fëmijët dhe Rinia.