Seminari
Mosia 5:6–15: “Merrni mbi Vete Emrin e Krishtit”


“Mosia 5:6–15: ‘Merrni mbi Vete Emrin e Krishtit’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mosia 5:6–15”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Mosia 5:6–15

“Merrni mbi Vete Emrin e Krishtit”

Jezu Krishti

Emrat mund të kenë kuptime të mrekullueshme. Çfarë do të thotë të marrësh mbi vete emrin e Krishtit? Mosia 5 përmban përfundimin e fjalimit të mbretit Beniamin drejtuar popullit të tij kur ai e mblodhi popullin së bashku për t’i vënë një emër (shih te Mosia 1:11). Ky mësim mund të të ndihmojë të kuptosh rëndësinë e marrjes mbi vete të emrit të Jezu Krishtit.

Ndjekja e shembullit të Jezu Krishtit. Shpëtimtari dha shembullin e përsosur të mënyrës se si ne duhet të jetojmë për t’u bërë si Ai. Ndërsa i ndihmoni nxënësit të përcaktojnë fjalë, veprime dhe cilësi të Jezu Krishtit, ftojini ata të kërkojnë mënyra për ta ndjekur shembullin e Tij në jetën e tyre personale.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin pyetjen: “Çfarë do të thotë të marrësh mbi vete emrin e Krishtit?”

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Një emër i ri

Veprimtaria vijuese është një mënyrë për t’i ndihmuar nxënësit të mësojnë rreth marrjes mbi vete të emrit të Krishtit. Nëse ndonjë nxënës mund të jetë i ndjeshëm ndaj idesë së jetimëve ose birësimit, merrni parasysh një veprimtari alternative.

Imagjino një jetim që nuk ka askënd për ta ndihmuar ose për t’u kujdesur për të, i cili përfundimisht arrin të njohë një familje të dashur, të qëndrueshme, që ofrohet ta birësojë atë.

  • Cilat janë disa arsye pse jetimi mund të dëshirojë ta birësojnë dhe të marrë mbiemrin e familjes së vet të re?

  • Çfarë bekimesh mund t’i ofrojë nëna dhe babai i ri jetimit që ai nuk mund t’i sigurojë vetë?

  • Si mund të ndihet jetimi rreth familjes së tij të re?

Në fjalimin e tij të mrekullueshëm drejtuar popullit të tij, mbreti Beniamin tha: “Unë do të doja që ju të merrni mbi vete emrin e Krishtit” (Mosia 5:8) dhe të quheni “fëmijët e Krishtit” (Mosia 5:7). Një pjesë nga populli i mbretit Beniamin ishin nefitët dhe të tjerët ishin pasardhësit e Mulekut. Mbreti Beniamin dëshironte që të gjithë njerëzit të bashkoheshin nën një emër të vetëm si në një familje.

Ndërsa i studion shkrimet e shenjta sot, përsiat mënyrat se si mund të jesh si jetimi në situatën e mësipërme dhe si mund të jetë Zoti si prindi i ri.

Merreni parasysh ta vizatoni tabelën vijuese në dërrasë. Mund t’i vini nxënësit në dyshe dhe t’i caktoni secilit nxënës njërën prej kolonave.

Bekimet e marrjes mbi vete të emrit të Shpëtimtarit

Si e marr mbi vete emrin e Shpëtimtarit

Sill ndër mend se te Mosia 5:1–5, njerëzit dëshmuan që Shpirti i Zotit kishte shkaktuar “një ndryshim të madh” tek ata dhe se ata ishin “të gatshëm të hy[nin] në një besëlidhje me Perëndinë … që të bë[nin] vullnetin e tij” (Mosia 5:2, 5).

Kërkojuni nxënësve të lexojnë me kujdes vargjet te Mosia 5:6–10 dhe të shkruajnë çdo gjë që iu duket se ka lidhje me kolonën e tyre. Pas një kohe të mjaftueshme, vërini nxënësit t’ia tregojnë njëri-tjetrit dhe përfshijini përgjigjet e tyre në tabelë. Mund të jetë e dobishme që t’ua bëni nxënësve të ditur se dora e djathtë e Perëndisë sugjeron favorizim simbolik dhe se dora e majtë simbolizon mospëlqim.

Nëse nxënësit nuk japin përgjigje natyrshëm për pyetjet vijuese, merreni parasysh t’i pyesni ata:

  • Çfarë bekimesh dëshiron në jetën tënde që vetëm Shpëtimtari mund të t’i sigurojë? (Merre parasysh të përdorësh frazat që përcaktove nga fjalimi i mbretit Beniamin për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje.) Përse i dëshiron këto bekime?

  • Si mund të jetë Shpëtimtari si një prind i dashur për ne?

    Nëse dëshironi mund të bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë si: “Në çfarë mënyrash na bën të lirë Shpëtimtari?” “Pse është e dobishme të dimë se ‘nuk ka emër tjetër nëpërmjet të cilit të vijë shpëtimi’?”

  • Sipas mbretit Beniamin, si ishin bërë njerëzit fëmijët e Krishtit, ose si e kishin marrë mbi vete emrin e Jezu Krishtit?

Si e marrim ne emrin e Krishtit

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga mbreti Beniamin, është se, ndërsa bëjmë dhe mbajmë besëlidhje të shenjta, ne bëhemi fëmijët e Krishtit dhe e marrim mbi vete emrin e Tij.

Lexoje thënien vijuese nga Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, për të sqaruar se si ne e marrim mbi vete emrin e Shpëtimtarit.

“Duke ndjekur modelin e shkrimeve të shenjta, personat që janë pagëzuar, dëshmojnë përpara Kishës ‘se janë penduar me të vërtetë për gjithë mëkatet e tyre, dhe janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Jezu Krishtit, duke patur vendosmëri për t’i shërbyer atij deri në fund’. (DeB 20:37; shih edhe te 2 Nefi 31:13; Moroni 6:3.) Kur marrim sakramentin, ne e përtërijmë këtë besëlidhje dhe të gjitha besëlidhjet e tjera që bëmë në ujërat e pagëzimit.” (Dallin H. Oaks, “Taking upon Us the Name of Jesus Christ”, Ensign, maj 1985, f. 80)

  • Si të ka sjellë më pranë Shpëtimtarit bërja dhe mbajtja e besëlidhjeve?

Për të të ndihmuar të vazhdosh ta thellosh kuptueshmërinë tënde rreth marrjes së emrit të Jezu Krishtit, lexo te Mosia 5:11–13, 15, duke kërkuar më tepër këshilla nga mbreti Beniamin rreth marrjes së emrit të Jezu Krishtit mbi veten tënde.

ChurchofJesusChrist.org

3:51

Merreni parasysh të bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë si në vijim: “Çfarë mendoni se do të thotë të kesh emrin e Krishtit të shkruar në zemrën tënde?” (Shih te Mosia 5:11–12.) “Çfarë bekimesh u vijnë atyre që e kanë emrin e Krishtit të shkruar në zemrën e tyre?” “Në ç’mënyrë marrja e emrit të Krishtit mbi vete në mendimet dhe veprimet tuaja të përditshme, ju jep shtysë për të qenë një dishepull/e më i/e mirë i/e Tij?”

Mendo për shembuj që ke parë në jetën tënde të njerëzve që e kanë marrë mbi vete emrin e Krishtit.

  • Çfarë bëjnë ata që tregon se e kanë marrë mbi vete emrin e Tij?

  • Çfarë roli mund të luajë sakramenti te ndihma që ne ta bëjmë më mirë këtë?

Emri i Jezu Krishtit

Për t’i ndihmuar nxënësit të vlerësojnë se sa mirë e kanë marrë emrin e Zotit në zemrën e tyre, merreni parasysh t’i ftoni ata të përsiatin në heshtje sa vijon:

  • Cilat janë disa mënyra se si mund të demonstrosh që e ke marrë mbi vete emrin e Krishtit?

  • Çfarë bekimesh kanë ardhur nga marrja mbi vete e emrit të Krishtit?

Merri parasysh mendimet dhe mbresat që ke marrë nga Fryma e Shenjtë teksa studiove sot. Mendo për atë që mund të bësh për ta marrë më plotësisht mbi vete emrin e Krishtit.

Inkurajojini nxënësit të veprojnë sipas asaj që ndiejnë nxitje të bëjnë. Merreni parasysh të tregoni se si ka ndikuar në jetën tuaj marrja e emrit të Krishtit mbi vete.