“Mosia 11–17: ‘Pendohuni dhe Kthehuni te Zoti’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Mosia 11–17”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Mosia 11–17
“Pendohuni dhe Kthehuni te Zoti”
Zakonisht ne përpiqemi t’i paralajmërojmë njerëzit që duam për vendimet që mund të sjellin dhembje dhe vuajtje. Zoti dërgoi Abinadin me mesazhin për mbretin Noe dhe popullin e tij që të pendoheshin dhe të shmangnin vuajtjen që mund të vinte për shkak të sjelljeve të tyre mëkatare. Ky mësim mund të ndihmojë që të të shtohet dëshira për t’i pranuar profetët e Zotit dhe për të vepruar sipas ftesave që ata bëjnë nga Zoti.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Zoti paralajmëron për rrezikun
Supozo sikur sapo ke marrë informacion rreth diçkaje prej së cilës shokët dhe njerëzit e tu të dashur janë në rrezik.
-
Cilat janë disa mënyra të ndryshme se si mund t’u komunikosh atyre një mesazh paralajmërimi?
Zoti ka shumë mënyra për të na paralajmëruar. Merri parasysh mënyrat që vijojnë:
-
Këshilla nga prindërit
-
Udhëzime nga profetët dhe udhëheqës të tjerë të Kishës
-
Mësime në shkrimet e shenjta, në kishë ose seminar
-
Mendime ose ndjenja nga Fryma e Shenjtë
-
Të tjera:
Mendo se sa mirë po ia del për ta shmangur mëkatin dhe rrezikun për shkak të mënyrës se si zgjodhe të reagosh ndaj paralajmërimeve të Zotit.
-
Cilat mënyra duken më sfiduese për t’u pranuar? Përse?
-
Çfarë tregon rreth Zotit fakti që Ai komunikon me ne në mënyra të ndryshme?
Zoti e thirri Noeun dhe popullin e tij në pendim
Kujto që Zenifi udhëhoqi një grup njerëzish nga Zarahemla për në tokën e Nefit. Përpara se të vdiste, Zenifi ia kaloi mbretërinë të birit, Noeut (shih te Mosia 9–10). Noeu dhe priftërinjtë që ai zgjodhi, jetuan jetë me ligësi. Ata e bindën popullin me gënjeshtra dhe fjalë lajkatuese për të mëkatuar (shih te Mosia 11:7, 11).
Lexo te Mosia 11:2, 14–15, 19 duke kërkuar mëkatet që kreu Noeu dhe populli i tij. (Vargu 19 përshkruan reagimin e tyre pasi u mbrojtën nga një sulm i lamanitëve.) ChurchofJesusChrist.org
-
Në ç’mënyra krahasohen zgjedhjet që bëri Noeu dhe populli i tij me zgjedhjet e njerëzve sot?
-
Cilat janë disa pasoja të mundshme të të jetuarit si jetuan ata?
Zoti thirri një profet të quajtur Abinad për t’i dhënë një mesazh Noeut dhe popullit të tij që t’i ndihmonte ata t’i kuptonin pasojat e veprimeve të tyre.
Lexoje mesazhin e Abinadit te Mosia 11:20–25, duke kërkuar pasojat për të cilat paralajmëroi Zoti. Fjala “mjerë” te vargu 20 përcjell trishtim ose dhembje.
-
Cilat janë disa pasoja që ti gjete për të cilat Zoti e paralajmëroi popullin?
Vëri re frazat e përsëritura “në qoftë se nuk pendohen” dhe “nëse ky popull nuk pendohet”. Nëse dëshiron mund t’i shenjosh këto fjalë dhe të mendosh për atë që mund të mësosh rreth Zotit nga këto fraza.
Lexo te Mosia 11:26–29, duke kërkuar mënyrën se si reaguan mbreti Noe dhe të tjerët ndaj Abinadit.
Të parit e pendimit si një dhuratë dashurie nga Zoti
-
Cilat janë disa ngjashmëri ose ndryshime ndërmjet reagimit të njerëzve në kohën e Abinadit dhe reagimit të njerëzve në kohën tonë ndaj profetëve? Përse mund të reagojnë në këtë mënyrë?
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se si mund ta shohim ftesën për t’u penduar nga profetët.
“Për një kohë të gjatë më ka bërë përshtypje, edhe e kam ndier, dashurinë e zjarrtë të profetëve të Perëndisë në paralajmërimet e tyre kundër mëkatit. Ata nuk nxiten nga dëshira për të dënuar. Dëshira e tyre e vërtetë pasqyron dashurinë e Perëndisë; në fakt është dashuria e Perëndisë. Ata i duan ata tek të cilët dërgohen, kushdo që mund të je[n]ë dhe sido që mund të je[n]ë. Ashtu si Zoti, shërbëtorët e Tij nuk duan që dikush të vuajë dhembjet e mëkatit dhe të zgjedhjeve të këqija.” (D. Tod Kristoferson, “Dashuria e Perëndisë”, Liahona, nëntor 2021, f. 17)
-
Si mund të ndikojë kuptueshmëria e kësaj rreth profetëve te dëshira jote për të vepruar sipas ftesave të tyre?
Në mënyrë të mëshirshme, Zoti u dha njerëzve kohë për t’u kthyer tek Ai dhe për t’u penduar për mëkatet e tyre. Megjithatë, kur Abinadi u kthye dy vjet më vonë, ata u zemëruan sërish dhe u munduan ta akuzonin atë (shih te Mosia 12:1, 9, 19).
Abinadi dëshmoi me guxim se priftërinjtë nuk po e mësonin popullin t’u bindej urdhërimeve të Perëndisë (shih te Mosia 12:33–37; 13:12–25). Ai dëshmoi gjithashtu se Jezu Krishti do të vinte për t’i shëlbuar të gjithë njerëzit dhe se shpëtimi ishte i mundur vetëm nëpërmjet Shëlbuesit (shih te Mosia 15:1, 19). Kur Abinadi mbaroi së dëshmuari për Jezu Krishtin, jeta e tij ishte sërish në rrezik. Por kësaj here, në rrezik ishte edhe jeta e njërit prej priftërinjve, Almës.
Lexo te Mosia 17:1–4 për të gjetur përgjigjet e Noeut dhe Almës ndaj dëshmisë së Abinadit për Krishtin.
-
Çfarë mund të na ndihmojnë të kuptojmë këto përgjigje jashtë mase të ndryshme?
Pasi kaloi tri ditë në burg, Abinadin e sollën përsëri përpara mbretit Noe. Noeu tha se do ta dënonte Abinadin me vdekje nëse ai nuk ishte i gatshëm t’i mohonte të vërtetat që kishte dhënë mësim (shih te Mosia 17:5–8).
Lexo te Mosia 17:9–10, 13, duke kërkuar përgjigjen e Abinadit ndaj kërkesës së mbretit për ta mohuar dëshminë e tij. ChurchofJesusChrist.org
-
Çfarë është një gjë që mëson nga shembulli i Abinadit?
-
Si mund të ndikojë ajo në mënyrën se si ti reagon ndaj Zotit dhe profetëve të Tij?