Seminari
Mosia 14–16: Shëlbuar nga Zoti Jezu Krisht


“Mosia 14–16: Shëlbuar nga Zoti Jezu Krisht”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mosia 14–16”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Mosia 14–16

Shëlbuar nga Zoti Jezu Krisht

figurë e Krishtit

Ndonëse mbreti Noe ishte gati ta vriste atë, Abinadi e dinte se Perëndia do ta lejonte atë ta përfundonte mesazhin që ai ishte dërguar të jepte. Noeu dhe priftërinjtë e tij kishin nevojë ta dëgjonin mesazhin që Perëndia u kërkon të gjithë profetëve të japin mësim që Jezu Krishti është Shëlbuesi ynë. Ky mësim mund të të ndihmojë të dallosh rëndësinë e njohjes së Jezu Krishtit si i vetmi që mund të na shëlbojë nga mëkati dhe vdekja.

Flisni, gëzohuni dhe predikoni për Krishtin. Kërkoni të vërteta rreth Jezu Krishtit dhe ftojini nxënësit të japin dëshminë e tyre për Të. Kjo e lejon Frymën e Shenjtë të mbartë një dëshmi për Shpëtimtarin “në zemrat” e nxënësve (2 Nefi 33:1). Kjo dëshmi mund t’i ndihmojë ata ta njohin Jezu Krishtin si “burim [të cilit] t’i drejtohen për heqjen e mëkateve të tyre” dhe ta thellojnë kthimin e tyre në besimin tek Ai (2 Nefi 25:26).

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin se cilët nga rolet dhe titujt e Jezu Krishtit janë më kuptimplotë për ta dhe përse.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Rolet dhe titujt e Jezu Krishtit

Secili nga rolet dhe titujt e shumtë të Jezu Krishtit mund të ketë një kuptim të veçantë për ne në pika të caktuara të jetës sonë. Për shembull, ne mund ta gjejmë veten shumë te Jezu Krishti si “Zoti, Perëndia i Plotfuqishëm” (Mosia 11:23) kur kemi nevojë për ndihmë që vetëm Ai mund ta japë.

Gjej një çast për të bërë një listë të titujve të Jezu Krishtit nga shkrimet e shenjta që na mësojnë rreth Tij.

  • Nga titujt e shumtë të Jezusit, si mendon, për cilin prej tyre do të ishte më e dobishme të mësoje më shumë? Përse?

Ftojini nxënësit të lexojnë te Mosia 13:33 dhe 16:15 për të përcaktuar më shumë tituj të Jezu Krishtit dhe atë që vetëm Ai mundi ta bëjë.

Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë

Mesazhi i Abinadit për mbretin Noe dhe priftërinjtë përqendrohej te Jezu Krishti. Ai dha mësim të vërtetën se ne mund të shpëtohemi vetëm nëpërmjet shëlbimit nga Jezu Krishti (shih te Mosia 13:33; 16:15). Teksa i studion fjalët e Abinadit, kërko atë që mund të mësosh rreth Jezu Krishtit nga roli i Tij si Shëlbuesi ynë.

Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

15:17

Redemption

Inasmuch as we follow Christ, we seek to participate in and further His redemptive work.

“Një nga titujt më kuptimplotë që e përshkruajnë Jezu Krishtin, është Shëlbues. … Fjala shëlboj do të thotë të shlyesh një detyrim ose borxh. Shëlboj mund të ketë gjithashtu kuptimin të shpëtosh ose të çlirosh me anë të pagimit të një shpërblese. Nëse dikush bën gabim dhe më pas e korrigjon ose e rregullon, ne themi se ai e ka shëlbuar veten. Secili prej këtyre kuptimeve shfaq aspekte të ndryshme të Shëlbimit të madhërishëm, të kryer nga Jezu Krishti me anë të Shlyerjes së Tij, që përfshin, sipas fjalëve të fjalorit, ‘të çlirosh nga mëkati dhe ndëshkimet e tij, me anë të një sakrifice të bërë për mëkatarin’.” (D. Tod Kristoferson, “Shëlbimi”, Liahona, maj 2013, f. 109)

  • Çfarë mund të mësosh për Jezu Krishtin nga titulli i Tij, Shëlbues?

    Mund t’i ftoni nxënësit ta shenjojnë fjalën shëlbimi te Mosia 16:15 dhe të vënë një shënim për kuptimin e saj.

  • Kur e ndien se kjo kuptueshmëri do të ishte më e dobishme në jetën tënde? Përse?

Nxënësit mund ta bëjnë studimin vijues individualisht, në grupe të vogla ose si klasë. Merrini parasysh nevojat e nxënësve tuaj teksa vendosni nëse do t’i vini të punojnë me të tria nxitjet e studimit ose vetëm një apo dy prej tyre. Nëse nxënësit po studiojnë vetë ose në grupe, mund të jetë e dobishme t’ua paraqitni atyre nxitjet e studimit dhe përmbajtjen në mënyrë që ata të ecin me ritmin e tyre. Mund të vini edhe himne me zë të ulët në sfond. Nëse u kërkoni nxënësve të flasin përpara klasës, kërkimi i kësaj paraprakisht mund t’i ndihmojë të pakësojnë ankthin dhe mund t’i ndihmojë nxënësit të bëjnë përpjekjet e tyre më të mira.

Nxënësit mund të kenë pyetje rreth vargjeve që lexuan. Merreni parasysh të ndaloni shkurtimisht pranë nxënësve individualë për t’i ndihmuar t’i kuptojnë shkrimet e shenjta teksa i studiojnë.

Mendo për dikë në jetën tënde që ti e ndien se do të merrte dobi nga kuptueshmëria që Jezu Krishti është Shëlbuesi i tij ose i saj.

Studioji nxitjet vijuese me qëllimin për të të ndihmuar t’i japësh mësim personit që mendove.

Nxitja 1 e studimit: Çfarë bëri Jezu Krishti për të më shëlbuar?

Abinadi foli rreth Isaias si shembulli i njërit prej profetëve të shumtë që dëshmuan për Krishtin. Ai lexoi mësimet e Isaias për të treguar se Perëndia Vetë do të vinte në tokë për të qenë “i brengosur dhe i vuajtur” (Mosia 13:35) për të dhënë shpërblesën për çlirimin tonë nga të qenit të rënë dhe të humbur.

Lexo te Mosia 14, duke kërkuar fjalë dhe fraza që të ndihmojnë ta kuptosh çmimin që Jezu Krishti ishte i gatshëm të paguante për të të çliruar nga mëkati dhe vdekja.

Nëse dëshironi mund t’u jepni nxënësve shpjegimet vijuese:

  • “Ndëshkimi i paqes sonë ishte mbi të” (vargu 5): Për çdo mëkat që kryejmë, ka një pasojë, duke përfshirë fajin, dhembjen, mjerimin dhe ndarjen nga Perëndia. Jezu Krishti e vuajti pasojën për mëkatet tona në mënyrë që ne të mund të përjetojmë falje dhe paqe.

  • “Me vurratat e tij, ne u shëruam” (vargu 5): Nëpërmjet vuajtjes së Tij, Jezu Krishti mund të na shërojë nga plagët e mëkateve tona dhe nga pasojat e Rënies së Adamit dhe Evës, duke përfshirë vdekjen shpirtërore dhe fizike.

  • “I pëlqeu Zotit ta mavijoste” (vargu 10): Atit Qiellor i pëlqeu që Jezu Krishti e ofroi me gatishmëri Veten si flijim për mëkatet e të tjerëve (shih te 3 Nefi 11:7, 11; Gjoni 3:16).

  • Çfarë fjalësh apo frazash nga këto vargje do t’i tregoje personit për të cilin mendove?

Nxitja 2 e studimit: Si mund të bekohem nëpërmjet Shëlbimit të Jezu Krishtit?

A mund ta përfytyrosh se si do të ishte jeta nëse Jezu Krishti nuk do ta kishte përmbushur rolin e Tij si Shëlbuesi ynë? Gjej një çast për të menduar se si do të ishte jeta jote pa Jezu Krishtin.

Lexo te Mosia 15:19; 16:4–7, duke kërkuar përshkrimin e Abinadit për jetën pa shëlbimin e Krishtit.

Lexo te Mosia 15:20–25; 16:8–10 për të parë se çfarë bekimesh mund të gëzojmë për shkak të Shëlbuesit tonë.

  • Çfarë do të doje të dinte personi për të cilin mendove rreth Jezu Krishtit nga këto vargje?

Merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Why We Need a Savior” [“Pse Kemi Nevojë për një Shpëtimtar”] (02:15) te pjesa “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” e mësimit për t’i ndihmuar nxënësit të përfytyrojnë bekimet e vëna në dispozicion vetëm nëpërmjet Jezu Krishtit.

Nxitja 3 e studimit: Përse Jezu Krishti quhej ndonjëherë Atë në shkrimet e shenjta?

Abinadi dha mësim rreth roleve të Jezu Krishtit si Bir i Perëndisë dhe si një Atë. Atë është ai që jep jetë. Jezu Krishti është si një atë për ne, sepse Ai mund të na japë pavdekësinë dhe jetën e përjetshme. Kjo nuk do të thotë se Ai dhe Ati Qiellor janë i njëjti person. Lexo te Mosia 15:1–9, duke kërkuar arsye përse Jezu Krishtit mund t’i referohen si Ati ynë i Përjetshëm.

Mund të jetë e dobishme t’i lexoni këto vargje si klasë. Ndaloni pas vargjesh të caktuara për të vënë në dukje fjalët ose frazat që do të ishte e dobishme që nxënësit t’i vënë re dhe për t’u dhënë nxënësve një mundësi për të bërë pyetje.

Plaku Xhefri R. Holland, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi:

“Siç dha mësim Abinadi, Krishti ‘u zu nëpërmjet fuqisë së Perëndisë’ (Mosia 15:3) dhe si rrjedhim ka fuqitë e Atit brenda vetes. Përveç kësaj marrëdhënieje trashëgimore hyjnore, Krishti gjithashtu vepron si Ati në atë që Ai është Krijuesi i qiellit dhe i tokës (shih te Mosia 15:4), Ai është Ati i rilindjes sonë shpirtërore dhe i shpëtimit tonë, dhe është besnik në nderimin dhe si rrjedhim në pretendimin e fuqisë së vullnetit të Atit të Tij përmbi fuqinë e vetë vullnetit të Tij.” (Jeffrey R. Holland, Christ and the New Covenant: The Messianic Message of the Book of Mormon [1997], f. 183–184)

  • Në çfarë mënyrash është Jezu Krishti edhe Atë, edhe Bir?

  • Përse mund të jetë e dobishme që personi për të cilin mendove ta dijë këtë rreth Jezu Krishtit?

Nxënësit mund të ftohen ta paraqitin atë që mësuan në klasë ose në grupe të vogla. Nxënësit mund të nxiten gjithashtu ta japin mesazhin në shtëpi ose t’ia japin personit për të cilin menduan.