“Vështrim i Përgjithshëm për Kapitujt te Mosia 11–17”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Mosia 11–17”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Mosia 11–17
Vështrim i Përgjithshëm
Zoti dërgoi Abinadin me mesazhin për mbretin Noe dhe popullin e tij që të pendoheshin dhe të shmangnin vuajtjen që mund të vinte për shkak të sjelljeve të tyre mëkatare. Abinadi i dha mësim Noeut dhe priftërinjve të tij rreth rolit të Jezu Krishtit në shpëtimin e tyre dhe rëndësisë së pasjes së urdhërimeve të Perëndisë të shkruara në zemrat e tyre. Ndonëse mbreti Noe ishte gati ta vriste atë, Abinadi e dinte se Perëndia do ta lejonte atë ta përfundonte mesazhin që ai ishte dërguar të jepte. Alma, njëri nga priftërinjtë e mbretit Noe, e besoi Abinadin. Pasi e dha mesazhin dhe dëshminë e tij për Jezu Krishtin, Abinadin e vranë.
Përgatituni të Jepni Mësim
Informacioni i mëposhtëm u siguron mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.
Mosia 11–17
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit që t’u shtohet dëshira për t’i pranuar profetët e Zotit dhe për të vepruar sipas ftesave që ata bëjnë nga Zoti.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të bëjnë një listë të shkurtër me ftesa që i kanë dëgjuar profetët të bëjnë kohët e fundit. Kërkojuni atyre të vijnë të përgatitur për të treguar se si këto ftesa janë provë e dashurisë dhe interesimit të Zotit për ta.
-
Materiale filmike: ““Dashuria e Perëndisë” (13:11; shih nga kodi kohor 06:35 deri në 07:04)
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh të paraqitni një variant digjital të shkrimeve të shenjta. Theksojeni frazën e përsëritur “në qoftë se nuk pendohen” te Mosia 11:20–25 dhe tregojuni nxënësve një shembull se si t’i shenjojnë frazat e përsëritura në shkrimet e shenjta.
Mosia 12–13
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndjekin Jezu Krishtin më mirë teksa i shkruajnë urdhërimet në zemrat e tyre.
-
Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund t’i kërkojnë një pjesëtari të familjes ose shoku t’u tregojë një përvojë kur një urdhërim u bë kuptimplotë për ta vetë.
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Kur nxënësve u kërkohet ta përcaktojnë secilin prej Dhjetë Urdhërimeve, merreni parasysh t’i ftoni ata t’i renditin urdhërimet në veçorinë e bashkëbisedimit për të parë a mund t’i kujtojnë të 10-a si klasë.
Mosia 14–16
Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta dallojnë rëndësinë e njohjes së Jezu Krishtit si i vetmi që mund të na shëlbojë nga mëkati dhe vdekja.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin se cilët nga rolet dhe titujt e Jezu Krishtit janë më kuptimplotë për ta dhe përse.
-
Materiali filmik: “Shëlbimi” (15:21; shih nga kodi kohor 00:59 deri në 01:44)
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i gruponi nxënësit në dhoma virtuale të veçanta dhe t’i caktoni secilit grup një nga tri nxitjet e studimit në mësim. Nxënësit mund t’i studiojnë vargjet që u caktohen dhe të përgatiten t’ia tregojnë të gjithë klasës atë që mësojnë.
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 4
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim që t’i ndihmojë nxënësit të vlerësojnë synimet që kanë vendosur dhe rritjen që kanë përjetuar deri tani nga studimi i Librit të Mormonit nga ana e tyre.
-
Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të flasin me një prind ose shok rreth asaj që bëjnë profetët dhe se si profetët kanë ndikuar ose i kanë bekuar ata.
-
Objekti që duhet paraqitur: Një shembull i një harte mendjeje
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i gruponi nxënësit në dhoma virtuale të veçanta. Nxënësit mund t’ia shpjegojnë me radhë rolin e profetëve grupit të tyre. Një mundësi tjetër është të krijoni një skenar me interpretim me role me disa nxënës që bëjnë pyetje dhe nxënës të tjerë që japin mësim të vërteta rreth profetëve.
Përsëritja 8 e Zotërimit Doktrinor
Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të mësojnë përmendsh një ose më shumë referenca të shkrimit të shenjtë dhe fraza kyç të shkrimit të shenjtë nga 12 fragmentet e para të zotërimit doktrinor në Librin e Mormonit.
-
Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të sjellin ose të jenë të përgatitur për ta përshkruar figurën e tyre të parapëlqyer të Jezu Krishtit dhe të tregojnë se çfarë i ndihmon ajo të kujtojnë rreth Tij.
-
Figura: Figura të Shpëtimtarit
-
Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Gjatë ushtrimit me vizatim, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’ua heqin zërin mikrofonave dhe t’i fikin kamerat e tyre. Jepuni atyre 10–15 minuta për t’i krijuar vizatimet e tyre në letër ose me programe në pajisjet e tyre. Ju mund të vini këngë nga The Tabernacle Choir at Temple Square ose muzikë tjetër lartësuese shpirtërisht. Më pas, ftojini nxënësit t’i ndezin sërish mikrofonat dhe kamerat dhe të tregojnë vizatimet e tyre.