Seminari
Mosia 12–13: Pasja e Urdhërimeve të Shkruara në Zemrën Tuaj


“Mosia 12–13: Pasja e Urdhërimeve të Shkruara në Zemrën Tuaj”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mosia 12–13”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Mosia 12–13

Pasja e Urdhërimeve të Shkruara në Zemrën Tuaj

të rinj në rreth në orën mësimore

Noeu dhe priftërinjtë e tij duhej të ishin udhëheqës shpirtërorë. Megjithatë, ata jetuan në mëkat dhe i mësuan popullit të tyre të bënte të njëjtën gjë. Abinadi u dha mësim atyre rreth rolit të Jezu Krishtit në shpëtimin e tyre dhe rëndësisë së pasjes së urdhërimeve të Perëndisë të shkruara në zemrat e tyre. Gjatë gjithë këtij mësimi, do të mësosh ta ndjekësh më mirë Jezu Krishtin teksa i shkruan urdhërimet në zemrën tënde.

Bindja dhe dashuria. Shpëtimtari dha mësim: “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia” (Gjoni 14:15). Kur bindja merr shtysë nga dashuria, ajo bëhet më e natyrshme dhe kuptimplotë. Ndihmojini nxënësit ta kuptojnë lidhjen e rëndësishme ndërmjet të jetuarit të ungjillit dhe dashurisë për Shpëtimtarin.

Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund t’i kërkojnë një pjesëtari të familjes ose shoku t’u tregojë një përvojë kur një urdhërim u bë kuptimplotë për ta vetë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Si do ta vlerësoje bindjen tënde?

Mund t’i shkruani dy thëniet vijuese në tabelë dhe më pas t’i vini nxënësit ta vlerësojnë në heshtje se sa mirë i përshkruajnë thëniet ata në një shkallë nga 1–10 (10 do të thotë se i përshkruan shumë mirë).

  • E NDIEJ rëndësinë e urdhërimeve të Perëndisë

  • U BINDEM urdhërimeve të Perëndisë

  • Cili mund të ishte shqetësimi nëse dikush e ndien rëndësinë e urdhërimeve të Perëndisë por nuk u bindet?

  • Cili mund të ishte shqetësimi nëse dikush u bindet urdhërimeve të Perëndisë por nuk e ndien rëndësinë e tyre?

Teksa e studion këtë mësim, reflekto për ndjenjat e tua për urdhërimet e Perëndisë dhe bindjen ndaj tyre.

Bindje nga zemra

Pasi Abinadin e futën në burg që dëshmoi për ligësinë e mbretit Noe (shih te Mosia 12:9–17), atë e sollën përpara Noeut dhe priftërinjve të tij. Abinadi i qortoi ata sepse u shtirën sikur e kuptonin dhe e jepnin mësim fjalën e Perëndisë ndërkohë që nuk e përdornin zemrën për të kuptuar. Priftërinjtë e Noeut pretendonin se jepnin mësim ligjin e Moisiut, por ata nuk e zbatonin ligjin e Moisiut, as u bindeshin Dhjetë Urdhërimeve. Abinadi i dha mësim Noeut dhe priftërinjve të tij për rëndësinë e zbatimit të urdhërimeve (shih te Mosia 12:25–37).

ChurchofJesusChrist.org

4:35

Përpara se nxënësit t’i lexojnë fragmentet vijuese, mund t’u kërkoni atyre të renditin sa më shumë nga Dhjetë Urdhërimet që mund të mbajnë mend përmendsh. Teksa nxënësit i thonë urdhërimet, shkruajini ato në tabelë. Ata mund të përdorin më pas kërkimin vijues të shkrimit të shenjtë për ta përfunduar listën.

Lexo te Mosia 12:34–36; 13:15–24 dhe përcaktoje secilin prej Dhjetë Urdhërimeve. Merre parasysh t’i numërtosh ato në shkrimet e tua të shenjta.

Lexo te Mosia 13:11 dhe kërko një nga arsyet pse Abinadi ua dha mësim Dhjetë Urdhërimet Noeut dhe priftërinjve të tij.

  • Çfarë të vërtetash mund të mësojmë nga ky varg?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky varg është se urdhërimet e Perëndisë nevojitet të shkruhen në zemrat tona.

  • Çfarë mendon se do të thotë t’i kemi urdhërimet të shkruara në zemrat tona?

  • A mund të jenë njerëzit të bindur ndaj një urdhërimi pa e pasur atë të shkruar në zemrat e tyre? Përse po ose përse jo?

  • Si mendon, si na ndihmon pasja e urdhërimeve të shkruara në zemrat tona për ta ndjekur Jezu Krishtin?

Presidentja Boni L. Oskarson, ish-Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, dha mësim të vërteta të rëndësishme që mund të na ndihmojnë të kuptojmë se çfarë do të thotë t’i kemi urdhërimet të shkruara në zemrat tona:

“Ne duhet ta çojmë ungjillin nga kokat tona te zemrat tona! Është e mundur për ne që thjesht ta jetojmë ungjillin mekanikisht për shkak se kjo gjë pritet ose për shkak se është kultura në të cilën jemi rritur apo për shkak se është një zakon. …

Ne të gjithë duhet të kërkojmë që zemrat dhe pikërisht natyrat tona të ndryshohen në mënyrë që të mos kemi më dëshirë për të ndjekur udhët e botës por të kënaqim Perëndinë.” (Boni L. Oskarson, “A Besoj?Liahona, maj 2016, f. 88)

  • Si mendon se njerëzit mund ta çojnë ungjillin nga koka te zemra?

Merreni parasysh ta përshtatni veprimtarinë vijuese duke zgjedhur një prej Dhjetë Urdhërimeve dhe duke punuar për të gjitha pyetjet së bashku si klasë. Për shembull, urdhërimi “Nuk do të vjedhësh”, kur shkruhet në zemrën e një personi, mund ta shtyjë atë të jetë punëtor dhe të mos bëjë hile. Në të njëjtën mënyrë, “Nuk do të vrasësh” mund ta shtyjë një person t’i respektojë të tjerët dhe të përpiqet të mos reagojë me zemërim. Mund t’i vini më pas nxënësit ta përfundojnë veprimtarinë individualisht, në dyshe ose në grupe të vogla.

Mundësi alternative do të ishin t’u caktoni nxënësve urdhërime të ndryshme dhe t’i vini ata t’ia tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjet një partneri, duke ndërruar partnerët kur të mbarojnë. Ose nxënësit mund ta interpretojnë me role mënyrën se si do të sillej dikush nëse urdhërimi do të ishte i shkruar në zemrën e tij ose të saj.

Zgjidh dy ose tre prej Dhjetë Urdhërimeve. Për secilin vizato një zemër dhe shkruaje urdhërimin mbi zemër. Pastaj shkruaji përgjigjet për pyetjet vijuese në secilën zemër:

  • Çfarë mund të bënin ose mos bënin njerëzit nëse ky urdhërim do të ishte i shkruar në zemrat e tyre?

  • Çfarë mund të bënin njerëzit për ta ndihmuar këtë urdhërim të shkruhej në mënyrë më të plotë në zemrat e tyre?

Të kujtuarit e Jezu Krishtit

Përveç se nuk i kishin Dhjetë Urdhërimet të shkruara në zemrat e tyre, Noeu dhe priftërinjtë e tij nuk e kuptonin qëllimin e ligjit të Moisiut.

Lexo te Mosia 13:28–32, duke kërkuar qëllimin e ligjit të Moisiut.

  • Çfarë donte Abinadi që të kuptonin priftërinjtë e Noeut rreth ligjit të Moisiut?

Presidenti Dallin H. Ouks, i Presidencës së Parë, dha mësim rreth nevojës për Jezu Krishtin:

“Burrat dhe gratë … mund të bëjnë të ndodhin gjëra të mëdha. Por pas gjithë bindjes dhe veprave tona të mira, ne nuk mund të shpëtohemi nga vdekja apo pasojat e mëkateve tona vetjake pa hirin e ofruar nga shlyerja e Jezu Krishtit. Libri i Mormonit e bën të qartë këtë. Ai na mëson se ‘shpëtimi nuk vjen vetëm nëpërmjet ligjit’ (Mosia 13:28). Me fjalë të tjera, shpëtimi nuk vjen thjesht nga zbatimi i urdhërimeve. ‘Sipas ligjit, asnjë mish nuk justifikohet’ (2 Nefi 2:5) … Njeriu nuk mund ta fitojë shpëtimin e tij.” (Dallin H. Oaks, “Another Testament of Jesus Christ”, Ensign, mars 1994, f. 67)

  • Si mund të na ndihmojnë urdhërimet që ta kujtojmë Jezu Krishtin?

  • Si mendon, si mund të ndihmojë të kujtuarit e Jezu Krishtit që urdhërimet të shkruhen në zemrat tona?

Mendo për një urdhërim që e ke të vështirë ta zbatosh ose që e ndien se nuk është i shkruar në zemrën tënde. Teksa reflekton për këtë urdhërim, ti mund të shqyrtosh materialin Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2022). Kërko frymëzim nëpërmjet Frymës së Shenjtë dhe përgjigju për pyetjen vijuese në ditarin e studimit:

Merreni parasysh të vini muzikë instrumentale të qetë teksa nxënësit përsiatin dhe i përgjigjen pyetjes vijuese. Ju mund t’u jepni nxënësve një formë zemre të prerë mbi të cilën mund t’i përgjigjen pyetjes. Më pas, ftojini ata ta vendosin atë diku që t’ua kujtojë synimin. Përndryshe, ata mund ta vizatojnë zemrën në ditarët e tyre, të shkruajnë mbi të, të bëjnë një fotografi të zemrës me telefon dhe ta përdorin fotografinë si sfond të ekranit të telefonit për një javë.

  • Çfarë mund të bësh për ta ndjekur më mirë Jezu Krishtin dhe për ta pasur këtë urdhërim më plotësisht të shkruar në zemër?