“Mosia 18: Besëlidhja e Pagëzimit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Mosia 18”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Mosia 18
Besëlidhja e Pagëzimit
Disa vendime janë aq të rëndësishme, saqë mund të ndikojnë në gjithçka tjetër në jetën tonë. Bërja e një besëlidhjeje me Perëndinë nëpërmjet ordinancës së pagëzimit është njëri prej atyre vendimeve. Alma i dha mësim popullit të tij pranë Ujërave të Mormonit për besëlidhjen që bëjmë me Perëndinë kur pagëzohemi. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh më mirë besëlidhjen e pagëzimit dhe se si ajo mund të ndikojë në marrëdhënien tënde me Perëndinë dhe të tjerët.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Pagëzimi yt
Për ta filluar studimin tënd sot, mendo rreth pagëzimit tënd dhe përpiqu të kujtosh hollësi nga ajo ditë. Nëse nuk je pagëzuar ende, reflekto mbi atë që di rreth pagëzimit ose asaj që mban mend nga marrja pjesë në një pagëzim.
-
Cilat janë kujtimet e tua të parapëlqyera nga ajo ditë? Si u ndjeve?
-
Si ka ndikuar vendimi yt për t’u pagëzuar në marrëdhënien tënde me Perëndinë dhe njerëzit e tjerë?
Alma jep mësim fjalët e Abinadit
Mosia 18 përmban rrëfimin e Almës, i cili dikur ishte një nga priftërinjtë e mbretit Noe, duke u dhënë mësim të tjerëve fjalët e Abinadit. Alma u detyrua të jepte mësim në fshehtësi për shkak se mbreti Noe donte ta vriste ngaqë ai e besoi dëshminë e Abinadit për Jezu Krishtin.
Lexo te Mosia 18:1–7, duke kërkuar atë që Alma i dha mësim popullit.
-
Çfarë mësimi dha Alma rreth Shpëtimtarit pasi e dëgjoi dëshminë e Abinadit?
-
Si mendon, përse Alma zgjodhi të jepte mësim atë që bëri në këto vargje?
Besëlidhja e pagëzimit
Pasi i dha mësim popullit rreth shëlbimit nëpërmjet Jezu Krishtit, Alma dha mësim rreth rëndësisë së pagëzimit. Nga mësimet e tij mund të mësojmë se kur pagëzohemi, ne hyjmë në një besëlidhje me Perëndinë. Teksa vazhdon t’i studiosh mësimet e Almës, përsiat mbi atë që di rreth besëlidhjes që bëjmë gjatë pagëzimit dhe e ripërtërijmë sa herë që marrim sakramentin, si edhe për çfarëdo pyetjeje që mund të kesh. Kërko me lutje ta kuptosh më mirë se si kjo besëlidhje mund të ndikojë në marrëdhënien tënde me Perëndinë dhe të tjerët.
Plaku D. Tod Kristoferson, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, shpjegoi se çfarë është një besëlidhje:
“Një besëlidhje është një marrëveshje ndërmjet Perëndisë dhe njeriut, një kontratë kushtet e së cilës përcaktohen nga Perëndia (shih Bible Dictionary, “Covenant”, f. 651). Në këto marrëveshje hyjnore, Perëndia e lidh Veten të na mbështetë, shenjtërojë dhe lartësojë në shpërblim të zotimit tonë për t’i shërbyer Atij dhe për t’i zbatuar urdhërimet e Tij.” (D. Tod Kristoferson, “Fuqia e Besëlidhjeve”, Liahona, maj 2009, f. 20)
Te Mosia 18:8–10, Alma përshkroi besëlidhjen e pagëzimit. Lexo te Mosia 18:8–10 dhe merre parasysh ta shenjosh atë që zotohemi të bëjmë kur pagëzohemi dhe, me një ngjyrë ose stil tjetër, t’i shenjosh bekimet që Ati Qiellor na ofron.
-
Çfarë mendon se do të thotë “vajtoni me ata që vajtojnë” dhe “ngushëlloni ata që kanë nevojë të ngushëllohen”? (Vargu 9.)
-
Cilat janë disa mënyra se si ne mund të “qëndro[jmë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet”? (Vargu 9.) Kë njeh ti që është një shembull i mirë për bërjen e kësaj?
-
Si e ke parë Perëndinë të të bekojë ty ose të tjerët me premtimet që Ai bën me ne nëpërmjet pagëzimit?
Mbajtja e besëlidhjes sate të pagëzimit
-
“Sy për të Parë” (nga kodi kohor 04:55 deri në 06:53)
Zgjidh të paktën njërin nga premtimet që bëjmë gjatë pagëzimit që Alma e dha te Mosia 18:8–10. Për shembull, ti mund të zgjedhësh frazën “mbani barrat e njëri-tjetrit” (vargu 8) ose “zbatoni urdhërimet e tij” (vargu 10).
-
Cilat janë disa mënyra se si një adoleshent/e mund ta mbajë atë premtim?
-
Përse mendon se Ati Qiellor e përfshiu atë si pjesë të besëlidhjes sonë të pagëzimit?
-
Si e ka treguar Shpëtimtari me anë të shembullit se si ta mbajmë atë premtim?
-
Kur e ke mbajtur ti ose dikush që e njeh atë premtim? Çfarë ke mësuar nga ato përvoja?
Gjej ca kohë për të mbajtur shënim në ditarin tënd se si ndien se po ia del me mbajtjen e premtimeve të pagëzimit që Alma i dha te Mosia 18:8–10. Si i ke mbajtur me sukses disa prej këtyre premtimeve? Në cilat situata mund ta mbash në mënyrë më të qëllimshme njërin prej tyre? Si mendon, si do të ndikojë kjo në marrëdhënien tënde me Zotin dhe me njerëzit e tjerë nëse e bën këtë?