Seminari
Mosia 19–20: “Fjalët e Abinadit u Përmbushën”


“Mosia 19–20: ‘Fjalët e Abinadit u Përmbushën’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mosia 19–20”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Mosia 19–20

“Fjalët e Abinadit u Përmbushën”

Mbreti Noe

Ati Qiellor dëshiron që ti të jesh i/e lumtur dhe i/e sigurt. Një mënyrë se si mund të përjetosh gëzim dhe mbrojtje shpirtërore është duke ndjekur mësimet dhe paralajmërimet e profetëve të Tij. Duke e refuzuar Abinadin, mbreti Noe dhe populli i tij i humbën bekimet e sigurisë dhe përjetuan vuajtje të madhe. Ky mësim mund të të ndihmojë të ndiesh një dëshirë më të madhe për t’i dëgjuar paralajmërimet dhe mësimet e profetëve të Zotit.

Ndihma ndaj nxënësve që të kuptojnë kontekstin e shkrimeve të shenjta. Konteksti janë rrethanat që ndodhin përreth ose që u japin sfond fragmenteve, ngjarjeve dhe tregimeve nga shkrimet e shenjta. Ky kontekst na ndihmon të kuptojmë botën e personave në shkrimet e shenjta. Të kuptuarit e kontekstit të tregimeve nga shkrimet e shenjta mund t’i ndihmojë nxënësit t’i përcaktojnë parimet dhe doktrinat dhe t’i përshtatin shkrimet e shenjta për veten e tyre.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për një shembull nga shkrimet e shenjta ose nga jeta e tyre që e përkrah thënien vijuese. Nxitini ata të vijnë në orën mësimore të përgatitur për të treguar shembullin e tyre.

“Historia ka treguar se ka siguri, paqe, begati e lumturi te përgjigja ndaj këshillës profetike” (M. Russell Ballard, “His Word Ye Shall Receive”, Ensign, maj 2001, f. 65).

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Siguri nga rreziku

Merreni parasysh t’i paraqitni figurat vijuese ose të sillni në klasë sende të ndryshme që përdoren për të ofruar siguri. Ju gjithashtu mund t’u kërkoni nxënësve të tregojnë shembuj të objekteve ose rregullave që përdorin çdo ditë për të qëndruar të sigurt.

jelek shpëtimi, kokore për biçikletë, rripa sigurimi për ngjitje
  • Nga cilat rreziqe na mbrojnë këto sende?

  • Si mendon, përse disa njerëz zgjedhin t’i shpërfillin pajisjet ose orientimet e sigurisë?

Ju mund të paraqitni një figurë të një profeti aktual krahas figurave të mëparshme.

Përveç rreziqeve fizike, edhe rreziqet shpirtërore janë pjesë e përvojës sonë në vdekshmëri. Për shkak se Zoti na do, Ai thërret profetë për të na dhënë orientime dhe mjete që mund të na ndihmojnë të përjetojmë siguri fizike, shpirtërore dhe emocionale gjatë gjithë jetës sonë.

Gjej një çast për të reflektuar për sigurinë që Zoti të ofron nëpërmjet profetëve dhe apostujve të Tij. Pyetjet në vijim mund të ndihmojnë:

Mund të jetë e dobishme që nxënësit t’i mbajnë shënim përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit.

  • Sa shpesh drejtohesh te profetët dhe apostujt e Zotit si një mënyrë për të marrë mbrojtjen e Tij shpirtërore?

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si ndjekja e profetëve të Zotit mund të të bekojë?

Teksa studion, kërko mësimet që mund të të ndihmojnë të ndiesh një dëshirë më të madhe për të kërkuar sigurinë dhe lumturinë që vijnë nga ndjekja e profetit të Zotit.

Populli i mbretit Noe përjeton pasoja për mëkatet e tij

Abinadi përpara mbretit Noe

Kujto që Abinadi u dërgua për ta paralajmëruar popullin e mbretit Noe për ligësinë e vet në mënyrë që të shmangte gjykimet e ardhshme të Zotit. (Mund të jetë e dobishme t’i shqyrtosh disa nga paralajmërimet e Abinadit te Mosia 11:20–25; 12:1–8.)

Shqyrto përgjigjen e Noeut dhe popullit të tij ndaj paralajmërimeve të Abinadit duke lexuar te Mosia 12:13–15; 17:11–20.

  • Përse mendon se Noeu dhe priftërinjtë e tij zgjodhën t’i shpërfillnin paralajmërimet e Abinadit?

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si njerëzit mund t’i shpërfillin ose refuzojnë mësimet e profetëve në kohën tonë? Si mendon, përse e bëjnë këtë?

Ashtu si Abinadi kishte profetizuar (shih te Mosia 17:15–19), populli i Noeut përjetoi sprova të vështira pasi i refuzoi fjalët e Zotit dhe ftesën për t’u penduar. Mund të kujtosh nga studimi yt i kapitullit te Mosia 7 se jo shumë kohë pas vdekjes së Abinadit, këta njerëz u zbuluan nga një grup kërkimi nga Zarahemla, i udhëhequr nga një burrë i quajtur Amon (shih skicën vijuese). Në kohën e zbulimit të tyre, nefitët në tokën e Nefit ishin robër të lamanitëve.

ilustrim i udhëtimeve nefite për të rimarrë tokën e Nefit

Udhëheqësi i tyre ishte Limhi, djali i mbretit Noe. Lexoji fjalët e Limhit te Mosia 7:24–29, duke kërkuar arsyet që ai përcaktoi për robërinë që ata përjetuan.

  • Çfarë pe në këto vargje që mund ta ndihmojnë dikë që nuk e ndien se është e rëndësishme t’i ndjekësh profetët e Zotit?

Merreni parasysh ta shkruani fjalinë e papërfunduar vijuese në tabelë. Pasi t’u jepni nxënësve kohë për të menduar rreth saj, ftoni nxënës të shumtë të tregojnë se si do ta përfundonin atë.

Shpërfillja ose refuzimi i fjalëve të Zotit nëpërmjet profetëve të Tij çon në …

Mund t’i ndani nxënësit në grupe dhe t’i ftoni të studiojnë një nga grupet e vargjeve vijuese: 1) Mosia 19:3–8; 2) Mosia 19:9–15; 3) Mosia 19:16–21; 20:3, 21. Ftojini ata të kërkojnë hollësi që ilustrojnë të vërtetën se shpërfillja ose refuzimi i fjalëve të Zotit nëpërmjet profetëve të Tij çon në vuajtje dhe pikëllim.

  • Çfarë provash pe për vuajtjen ose pikëllimin e përjetuar nga individët në këto vargje?

  • Pasi e pe vuajtjen që këta njerëz duruan dhe duke e ditur që Zoti dërgoi një profet për t’i paralajmëruar ata, çfarë mëson rreth Zotit?

Presidenti M. Rasëll Ballard, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi disa nga bekimet që mund të marrim kur ia vëmë veshin këshillës së Zotit nëpërmjet profetëve të Tij:

“Historia ka treguar se ka siguri, paqe, përparim e lumturi te përgjigja ndaj këshillës profetike.” (M. Russell Ballard, “His Word Ye Shall Receive”, Ensign, maj 2001, f. 65)

  • Cilët janë disa shembuj nga jeta jote ose shkrimet e shenjta që e përkrahin thënien e Presidentit Ballard?

Këshilla e Zotit për ty

Ngjashëm me profetët në kohët e lashta, profetët sot na ofrojnë këshillën, paralajmërimet dhe bekimet e premtuara të Zotit. Një vend ku mund të gjejmë një pjesë të kësaj këshille është te materiali Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2022).

Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe të vogla dhe t’i caktoni secilit grup një ose më shumë tema për t’i studiuar nga materiali Për Forcën e Rinisë (broshurë, 2022). Nëse dëshironi, mund të sillni disa kopje në klasë që nxënësit t’i përdorin. Ftojini nxënësit të kërkojnë sa vijon:

  1. Standardet sipas të cilave Zoti na fton të jetojmë

  2. Rreziqet e mundshme shpirtërore prej shpërfilljes së këshillës së Zotit

  3. Bekimet e premtuara për dëgjimin e udhëzimeve dhe paralajmërimeve të Zotit

Pasi nxënësit të kenë mbaruar, ftojini ata të tregojnë atë që gjetën në lidhje me tri pikat e mëparshme.

  • Si mund të të ndihmojë zbatimi i këtyre mësimeve që ta ndjekësh Jezu Krishtin më mirë?

Mendo rreth asaj që ke mësuar sot për rëndësinë e ndjekjes së profetit të Zotit. Gjej një çast për të reflektuar për mënyrën se si mund ta ndjekësh më mirë profetin dhe përse do të ishte e rëndësishme që ta bëje këtë gjë. Mbaji shënim mendimet dhe mbresat e tua shpirtërore në ditarin tënd të studimit.