Seminari
Zotërimi Doktrinor: Mosia 18:8–10 – “Ju Keni Hyrë në një Besëlidhje me Të”


“Zotërimi Doktrinor: Mosia 18:8–10 – ‘Ju Keni Hyrë në një Besëlidhje me Të’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Zotërimi Doktrinor: Mosia 18:8–10”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Zotërimi Doktrinor: Mosia 18:8–10

“Ju Keni Hyrë në një Besëlidhje me Të”

Alma duke pagëzuar në Ujërat e Mormonit

Në një mësim të mëparshëm, ti mësove rreth mënyrës se si besëlidhja jonë e pagëzimit me Shpëtimtarin mund të ndikojë në mënyrën se si e jetojmë jetën tonë. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te Mosia 18:8–10, të shpjegosh doktrinën e dhënë mësim në ato vargje dhe t’i zbatosh parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në situata nga jeta reale duke përdorur këtë fragment të shkrimit të shenjtë.

Mësimdhënia ndaj nxënësve e parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore. Nxënësit do t’i përmbushin më mirë qëllimet e zotërimit doktrinor po t’i dinë dhe t’i kuptojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Sigurohuni që t’i ndihmoni nxënësit t’i kuptojnë këto parime dhe t’i shqyrtojnë ato rregullisht.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të përpiqen ta mësojnë përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te Mosia 18:8–10.

Veprimtari e Mundshme e të Mësuarit

Ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor është hartuar për t’u dhënë pas mësimit “Mosia 18”, që është mësimi kontekstual për fragmentin e zotërimit doktrinor te Mosia 18:8–10. Nëse ky mësim për fragmentin e zotërimit doktrinor duhet të zhvendoset në një javë tjetër, sigurohuni që të jepni edhe mësimin përkatës kontekstual gjatë asaj jave.

Mëso përmendsh dhe shpjego

Përdorni çfarëdo metode të efektshme për t’i ndihmuar nxënësit ta mësojnë përmendsh referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te Mosia 18:8–10 dhe t’i shpjegojnë të vërtetat që gjenden në këtë fragment. Veprimtaritë vijuese janë sugjerime për mënyrën se si ta bëni këtë.

Përpara orës mësimore, shkruajini fjalët e frazës kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te Mosia 18:8–10 në një rend të çrregullt në tabelë. Kërkojuni nxënësve ta renditin siç duhet frazën në ditarët e tyre të studimit dhe më pas kërkojini një vullnetari ta shkruajë atë saktë në tabelë së bashku me referencën e shkrimit të shenjtë. Nëse është e nevojshme, ftoni anëtarë të klasës për të ndihmuar.

Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargjet te Mosia 18:8–10 është “Pagëz[ohuni] në emrin e Zotit, si një dëshmi … që ju keni hyrë në një besëlidhje me të”.

Një mundësi tjetër është të shkruani pjesë të frazës kyç të shkrimit të shenjtë në copa letre të veçanta dhe t’i vendosni letrat në një rend të çrregullt në tabelë. Më pas, nxënësit mund të vijnë në tabelë dhe t’i risistemojnë letrat në rendin e saktë.

Rendite siç duhet referencën dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë më poshtë për vargun te Mosia 18:8–10 duke e shkruar atë në rendin e saktë në ditarin tënd të studimit. Nëse është e nevojshme, kontrolloje saktësinë tënde duke iu referuar listës së referencave të zotërimit doktrinor dhe frazave kyç të shkrimit të shenjtë në fund të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018).

Pasi të kesh mbaruar së shkruari frazën e saktë, gjej një çast për t’u përpjekur të mësosh përmendsh referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë duke i përsëritur disa herë.

Në një mësim të mëparshëm, ti mësove se kur pagëzohemi, ne hyjmë në një besëlidhje me Perëndinë që do t’i shërbejmë Atij dhe do t’i zbatojmë urdhërimet e Tij. Përfytyro sikur të kanë kërkuar të flasësh në shërbesën e pagëzimit të një fëmije tetëvjeçar rreth besëlidhjes që ai po bënte. Mbaje shënim se si vargjet te Mosia 18:8–10 mund të të ndihmojnë ta shpjegosh besëlidhjen dhe se si mbajtja e besëlidhjes mund ta ndihmojë fëmijën të bëhet më shumë si Jezu Krishti.

Kur nxënësit të kenë mbaruar së shkruari, ftojini ata t’ia tregojnë një shoku të klasës atë që shkruan. Më pas, ftojini disa vullnetarë t’ia tregojnë klasës atë që mësuan ose dëshminë e tyre të besëlidhjes së pagëzimit.

Ushtroje vënien në zbatim

Merreni parasysh t’i shkruani tre parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore në tabelë. Ata gjenden në paragrafët 5–12 të pjesës “Marrja e Njohurisë Shpirtërore” të materialit Dokumenti Bazë i Zotërimit Doktrinor (2018). Për t’i ndihmuar nxënësit t’i shqyrtojnë këto parime, ftojini ata të vijnë në tabelë dhe të shkruajnë poshtë titujve sa më shumë që mund t’iu kujtohet rreth secilit parim.

Më pas, paraqiteni skenarin vijues ose jepuni nxënësve një kopje që t’i referohen gjatë gjithë pjesës së mbetur të mësimit. Ju mund ta përshtatni skenarin që të lidhet më mirë me nevojat e nxënësve ose t’u kërkoni atyre të krijojnë vetë skenarët e tyre rreth mbajtjes së besëlidhjes së pagëzimit.

Ana ka vënë re se Rezarta, një vajzë në klasën e saj në kishë, e ka të vështirë të ndihet e lumtur ose të zërë shokë. Ana ka dëgjuar se Rezarta ndonjëherë zgjedh të mos marrë pjesë në veprimtaritë e të rinjve ose në mbledhjet e kishës për shkak se i duket se nuk përshtatet me vajzat e tjera. Ana dëshiron ta ndihmojë Rezartën të ndihet më e mirëpritur, por në të vërtetë nuk ka folur kurrë me të dhe shqetësohet se mund të jetë e sikletshme ose e pavolitshme të komunikojë me të.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të punojnë në grupe të vogla për t’iu përgjigjur pyetjes vijuese dhe të përgatitin rekomandimet që mund t’i japin Anës. Ju mund t’i jepni çdo grupi njërin nga parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore ku të përqendrohen. Më pas, ftojini nxënësit që t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

  • Si do ta përdorje secilin prej tre parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore dhe mësimet te Mosia 18:8–10 për ta ndihmuar Anën në situatën e saj?

Nxitini nxënësit ta diskutojnë pyetjen e mëparshme duke përdorur vargjet te Mosia 18:8–10 dhe atë që mbajnë mend nga studimi i parimeve të marrjes së njohurisë shpirtërore këtë semestër. Nëse ata kanë ende nevojë për ndihmë, ju mund të paraqitni ose t’u jepni nxënësve një kopje të pyetjeve vijuese poshtë çdo parimi. Nëse e përshtatët skenarin për t’i plotësuar më mirë nevojat e nxënësve, përshtatini edhe pyetjet.

Kërko kuptueshmëri të mëtejshme nëpërmjet burimeve të caktuara në mënyrë hyjnore

  • Cilat janë disa fragmente të shkrimit të shenjtë ose thënie nga udhëheqësit e Kishës që ti i di, të cilat mund ta ndihmojnë Anën? Si mund të jenë të dobishme mësimet te Mosia 18:8–10?

  • Si mund t’i japë Anës të biseduarit me presidencën e klasës së Të Rejave më shumë kuptueshmëri rreth situatës së Rezartës?

Shqyrtoji konceptet dhe pyetjet me një këndvështrim të përjetshëm

  • Çfarë duhet të kuptojë Ana rreth mënyrës se si i sheh Zoti besëlidhjet e pagëzimit që mund ta ndihmojë atë t’i mposhtë ndjenjat e saj të ngurrimit?

  • Si mund ta ndihmojë Anën të kuptuarit e asaj që Zoti ndien për Rezartën?

  • Si mund ta ndihmojë Anën inkurajimi i Rezartës që të bëhet më shumë si Ati Qiellor dhe Jezu Krishti?

Vepro me besim

  • Çfarë mund të bëjë Ana për t’i mbajtur premtimet e veçanta të pagëzimit që Alma i dha mësim te Mosia 18:8–10?

    Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i përsëritin shënimet e tyre për atë që mësuan te Mosia 18, duke kërkuar ide të tjera rreth mënyrës se si Ana mund të vajtonte me Rezartën, ta ngushëllonte ose t’i mbante barrët. Më pas, ftojini ata të tregojnë atë që gjetën dhe çfarë do t’i sugjeronin Anës.

  • Cilët shembuj të Jezu Krishtit që i ndihmon të tjerët do t’i tregoje Anës për ta ndihmuar të veprojë me besim?

Përsëritja e zotërimit doktrinor

Veprimtaria vijuese e përsëritjes duhet të përdoret në një mësim që do të jepet së afërmi.

Shqyrtojeni referencën e shkrimit të shenjtë dhe frazën kyç të shkrimit të shenjtë për vargjet te Mosia 18:8–10 duke i ftuar nxënësit t’i përsëritin ato disa herë si klasë. Më pas, merreni parasysh t’i shqyrtoni referencat e shkrimit të shenjtë dhe frazat kyç të shkrimit të shenjtë për fragmente të tjera të zotërimit doktrinor që ata i kanë studiuar deri më tani duke i përsëritur edhe ato.

Fraza kyç e shkrimit të shenjtë për vargjet te Mosia 18:8–10 është “Pagëz[ohuni] në emrin e Zotit, si një dëshmi … që ju keni hyrë në një besëlidhje me të”.

Mund të merrni parasysh gjithashtu ta përdorni sërish veprimtarinë e renditjes siç duhet, të sugjeruar në fillim të këtij mësimi.