Seminari
Mosia 21–24, Pjesa 1: Gjetja e Qëllimeve të Zotit prapa Sprovave dhe Pikëllimeve Tona


“Mosia 21–24, Pjesa 1: Gjetja e Qëllimeve të Zotit prapa Sprovave dhe Pikëllimeve Tona”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Mosia 21–24, Pjesa 1”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Mosia 21–24, Pjesa 1

Gjetja e Qëllimeve të Zotit prapa Sprovave dhe Pikëllimeve Tona

një i ri duke përsiatur dhe që duket i trishtuar

Si do t’ia shpjegoje dikujt përse Zoti na lejon të përjetojmë sprova dhe pikëllime? Mosia 21–24 përshkruan përvojat e popullit të Limhit dhe popullit të Almës, të cilët u përballën që të dy me sfida të vështira. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të ndiesh mirëbesim më të madh tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kur përjeton sprova dhe pikëllime në jetën tënde.

Bëni pyetje që nxitin diskutim. Diskutimet kuptimplota si klasë ndodhin kur mësuesit ndërveprojnë me nxënësit dhe nxënësit ndërveprojnë me njëri-tjetrin. Bëni pyetje që janë të rëndësishme dhe që u sigurojnë nxënësve të shumtë mundësi për t’u përgjigjur. Gjithashtu, mund ta nxitni diskutimin duke u kërkuar nxënësve t’u përgjigjen komenteve të bëra nga shokët e tyre të klasës.

Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund të ftohen të mendojnë rreth një sprove ose sfide të kaluar që i ka ndihmuar të përjetojnë rritje ose të afrohen më shumë me Zotin. Nxitini nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar atë që mësuan ose mënyrën se si kjo sprovë mund të ketë ndikuar pozitivisht tek ata.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Ky është i pari nga dy mësimet që trajtojnë kapitujt te Mosia 21–24. Pjesa 1 do të përqendrohet tek arsyeja përse Zoti mund të na lejojë të përjetojmë sprova dhe pjesa 2 do të përqendrohet te mënyra se si ne mund të mbështetemi tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti për të na ndihmuar t’i kalojmë këto sprova. Nëse koha e orës mësimore është e kufizuar dhe mund të jepet vetëm një mësim për kapitujt te Mosia 21–24, merreni parasysh se si të dy mësimet mund të ndërthuren në mënyrë të efektshme.

Mbajtja e barrëve

person duke mbajtur një çantë shpine të rëndë

Përfytyro sikur sprovat, barrët dhe pikëllimet e tua përfaqësohen nga gurët që duhet t’i mbash fizikisht në një çantë ose çantë shpine.

Mund të merrni parasysh të sillni në klasë një çantë shpine dhe objekte të rënda që përfaqësojnë barrët. Ftojeni një nxënës të gatshëm ta vendosë çantën e shpinës [në kurriz] ndërkohë që anëtarët e klasës përmendin sprova të ndryshme dhe vendosin objekte në çantë. Sigurohuni që çanta e shpinës të mos bëhet aq e rëndë saqë nxënësi që është duke e mbajtur atë të mund të lëndohet. Nëse është e mundur, nxënësi mund të vazhdojë ta mbajë çantën e shpinës ndërkohë që klasa i diskuton pyetjet vijuese.

Merreni parasysh t’i renditni në tabelë përgjigjet e nxënësve për pyetjet vijuese.

  • Cilat janë disa nga sprovat ose barrët që adoleshentët mund të përjetojnë që mund të duken si gurët e rëndë në një çantë shpine?

  • Çfarë pyetjesh mund të kenë njerëzit rreth barrëve që ata bartin?

Merreni parasysh t’u jepni nxënësve kohë t’i renditin disa prej sprovave të tyre vetjake dhe t’i mbajnë shënim mendimet, pyetjet dhe ndjenjat e tyre rreth atyre sprovave në ditarët e tyre të studimit. Kjo mund të ndihmojë për t’i përgatitur ata më mirë që të kenë një përvojë të përshtatur për ta teksa i studiojnë shkrimet e shenjta.

Ndërsa studion sot, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë arsyen përse Zoti mund të lejojë që t’i përjetosh këto sprova.

Populli i Limhit dhe populli i Almës

Për t’i ndihmuar nxënësit të kujtojnë kontekstin në lidhje me popullin e Limhit dhe popullin e Almës, merreni parasysh ta paraqitni ose ta vizatoni figurën vijuese dhe të vini në dukje vendndodhjen e çdo grupi njerëzish teksa i përmendni ata.

Te Mosia 21–24, ne mësojmë rreth dy grupeve të njerëzve që përjetuan sprova dhe pikëllime të mëdha. Grupi i parë jetonte në tokën e Nefit dhe udhëhiqej nga Limhi, djali i mbretit Noe. Grupi i dytë jetonte në tokën e Helamit dhe udhëhiqej nga Alma.

ilustrim i vendeve te Mosia 21–24

Ftojini disa vullnetarë të tregojnë atë që dinë rreth rrethanave që çuan në robërimin e popullit të Limhit dhe popullit të Almës. Nëse është e nevojshme, përdorini përmbledhjet vijuese.

Populli i Limhit

Pasi i refuzuan mësimet dhe paralajmërimet e Abinadit, nefitët, të cilët tashmë udhëhiqeshin nga mbreti Limhi, u zunë robër nga lamanitët në tokën e Nefit dhe iu kërkua të paguanin taksa të rënda (shih te Mosia 19:15). Sikurse u profetizua nga profeti Abinad (shih te Mosia 12:5), lamanitët e detyruan popullin e Limhit t’u shërbente atyre dhe të mbarte barrë të rënda (shih te Mosia 21:3).

Populli i Almës

Pas vdekjes së Abinadit, Alma dhe ndjekësit e tij ia mbathën në Ujërat e Mormonit, ku u pagëzuan (shih te Mosia 17:1–4; 18:1–14). Më pas, ata ia mbathën për sigurinë e tyre dhe ndërtuan një vendbanim të drejtë në tokën e Helamit (shih te Mosia 18:32–34; 23:1–4, 19–20). Populli i Almës përfundimisht u zbulua dhe u zu rob nga lamanitët (shih te Mosia 23:25–29, 36–37). Amulonit, që kishte qenë njëri nga priftërinjtë e ligj të Noeut, iu dha autoritet mbi ta dhe filloi ta përndiqte Almën dhe popullin e tij (shih te Mosia 24:8–9).

Përse Zoti i lejon sprovat

Merreni parasysh ta ndani klasën në grupe të vogla dhe ta vini gjysmën e grupeve të studiojnë popullin e Limhit dhe gjysmën tjetër të studiojë popullin e Almës.

Lexoji fragmentet vijuese të shkrimit të shenjtë, duke kërkuar mësimet që mund të të ndihmojnë të kuptosh se përse Zoti na lejon të përjetojmë sprova dhe pikëllime. Nëse dëshiron, mund t’i shenjosh fjalët dhe frazat që të bëjnë përshtypje.

Nëse nxënësit i studiuan këto vargje në grupe të vogla, ftoni vullnetarë nga çdo grup që ta përmbledhin atë që mësuan nga vargjet që studiuan. Pyetjet vijuese mund t’i ndihmojnë nxënësit ta diskutojnë atë që mësuan nga këto vargje.

  • Çfarë ngjashmërish dhe dallimesh pe ndërmjet dy grupeve të njerëzve dhe asaj që ata përjetuan?

  • Çfarë provash pe te këto tregime për dashurinë dhe interesimin e Zotit për njerëzit?

    Si përgjigje për pyetjen e mëparshme, nxënësit mund të vënë në dukje fraza si “Zoti i dëgjoi lutjet e tyre” (Mosia 21:15), “ata filluan të përparonin pjesërisht” (Mosia 21:16), “unë do t’ju lehtësoj gjithashtu barrët që ju janë vënë mbi shpatulla” ose “unë, Zoti Perëndi, i vizitoj njerëzit e mi në pikëllimet e tyre” (Mosia 24:14).

  • Çfarë mësove rreth arsyes përse Zoti i lejon njerëzit të vuajnë sprova dhe pikëllime?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i shkruajnë në tabelë përgjigjet e tyre për pyetjen e mëparshme. Në vijim jepen disa shembuj të të vërtetave që nxënësit mund të kenë gjetur.

  • Zoti na lejon të përjetojmë sprova për të na ndihmuar të bëhemi të përulur dhe të mbështetemi më shumë tek Ai (shih te Mosia 21:5–14).

  • Disa sprova dhe pikëllime vijnë si rezultat i mosbindjes (shih te Mosia 21:15).

  • Sprovat tona mund të na japin mundësi ta kërkojmë dhe ndiejmë fuqinë e Zotit në jetën tonë (shih te Mosia 21:15–16; 24:14).

  • Zoti e qorton popullin e Tij dhe e vë në provë durimin dhe besimin e tyre (shih te Mosia 23:21).

Shumë njerëz mendojnë se të qortohesh (shih te Mosia 23:21) ka të njëjtën kuptim si të ndëshkohesh. Plaku Lin G. Robins, i Të Shtatëdhjetëve, shpjegoi: “Fjala qortoj rrjedh nga fjala latine castus, që do të thotë ‘i dëlirë ose i pastër’ dhe qortoj do të thotë ‘të pastrosh’ [shih te Merriam-Webster’s Collegiate Dictionary, bot. i 11‑të (2003), “chasten”]” (“Gjykatësi i Drejtë”, Liahona, nëntor 2016, f. 97). Përsiat për një çast se si Zoti mund të jetë duke të të pastruar nëpërmjet sprovave dhe pikëllimeve të tua.

Pyetjet vijuese (ose të tjera që ju vijnë në mendje) mund të përdoren për të ndihmuar të krijohet lidhja [e mësimit] me nxënësit. Mund të merrni parasysh t’u jepni nxënësve kohë për t’i mbajtur shënim përgjigjet e tyre në ditarë përpara se t’i diskutojnë pyetjet si klasë. Sigurohuni që t’i falënderoni nxënësit që dhanë mendimet e tyre.

  • Si mund të ndikojë kuptueshmëria për këto të vërteta në mënyrën se si ti reagon ndaj sprovave të tua?

  • Cilat përvoja të kanë ndihmuar t’i kuptosh qëllimet pse Zoti të lejon të përjetosh sprova?

    Për të treguar një shembull që e ilustron pyetjen e mëparshme, merreni parasysh të shfaqni materialin filmik “Vullneti i Perëndisë” (03:02), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

    3:2
  • Çfarë ke mësuar sot që mund të të ndihmojë t’i kuptosh më mirë sprovat që përjeton?

Dëshmoni për të vërtetat që keni diskutuar sot.