Seminari
Alma 9: Kujto Bekimet e Zotit


“Alma 9: Kujto Bekimet e Zotit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 9”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 9

Kujto Bekimet e Zotit

Alma dhe Amuleku

Si të ka bekuar Zoti? Çfarë pret Ai që ti të bësh pas marrjes së atyre bekimeve? Kur Alma dhe Amuleku i bënë thirrje popullit të Amonihës që të pendohej, njerëzit i refuzuan mësimet e tyre. Alma dha mësim se Zoti priste që ata të ishin më të drejtë se lamanitët, të cilëve nuk iu ishte dhënë mësim e vërteta. Ai i nxiti njerëzit të kujtonin bekimet e Zotit. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë t’i dallosh dhe kujtosh bekimet që Zoti të ka dhënë.

Bëni pyetje që i ndihmojnë nxënësit të mësojnë nga Fryma e Shenjtë. Disa fjalë të zgjedhura me kujdes mund ta rritin efektshmërinë e një pyetjeje. Një pyetje e hartuar mirë do t’i angazhojë mendjet dhe zemrat e nxënësve tuaj dhe do t’i japë Frymës së Shenjtë një mundësi për të dhënë mësim.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shpenzojnë një ose dy minuta për të shkruar disa shembuj bekimesh që ata i kanë marrë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Bekimet e Zotit për ty

Shpenzo disa minuta për të renditur në ditarin tënd të studimit, bekimet që ke marrë nga Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. (Merre parasysh të përfshish bekime që kanë ardhur për shkak se ti je anëtar/e i/e Kishës së Krishtit.)

Ju mund t’i ftoni disa nxënës të shkruajnë në tabelë një ose dy prej bekimeve ose dhuratave që kanë marrë. Pyetini nxënësit se si ndihen për ato dhurata dhe pse. Merreni parasysh t’i shtoni edhe bekimet që menduat ju vetë.

  • Si ndikon tek ti të kujtuarit e këtyre bekimeve dhe dhuratave?

  • Sa shpesh mendon për këto bekime? A ka diçka që mund të bësh për t’u përqendruar më shumë në to?

Ndërsa studion sot, ti do të kesh mundësi të shtosh te lista jote. Kërko udhërrëfimin e Atit Qiellor për t’i dalluar bekimet e Tij për ty dhe për të ditur se si mund t’i kujtosh ato gjatë gjithë jetës sate.

Alma dhe Amuleku i predikojnë popullit të Amonihës

Kur Alma dhe Amuleku ia predikuan fjalën e Perëndisë popullit të Amonihës, njerëzit i kishin zemrat të ngurtësuara.

Lexo fjalët që Alma u tha atyre tek Alma 9:8–11, 20–22, duke kërkuar fjalët dhe frazat të cilat tregojnë bekimet që Zoti ua dha këtyre njerëzve, të cilat ata i kishin harruar.

  • Çfarë gjete?

  • Çfarë karakteristikash të Zotit theksoi Alma te vargu 11? (Merre parasysh t’i shenjosh këto tipare në shkrimet e tua të shenjta.)

Mund të jetë e dobishme të dish se termi durim i referohet vetëpërmbajtjes së Zotit kur ka shkak për zemërim.

Shpenzo një çast për të përsiatur për mënyrat se si Zoti ka treguar durim ndaj teje. Ti mund të duash t’i shtosh këta shembuj në listën tënde të bekimeve.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i tregojnë mendimet e tyre.

Më vonë, Alma dëshmoi për karakteristika të tjera të Zotit që mund të na ndihmojnë ta kuptojmë mesazhin e Almës. Lexo tek Alma 9:26 dhe merre parasysh t’i shenjosh këto karakteristika. Mund të jetë e dobishme të dish se në shkrimet e shenjta fjala drejtësi do të thotë “i paanshëm” ose “i drejtë”.

Ndërsa Alma vazhdoi të predikonte, ai theksoi se Jezu Krishti është plot hir, drejtësi, vërtetësi, durim, mëshirë dhe keqardhje. Përsiat përse Alma donte që populli i Amonihës t’i kuptonte këto karakteristika të Shpëtimtarit.

Krahasimi dhe ballafaqimi i dy popujve

Shkrimet e shenjta shpesh krahasojnë ose ballafaqojnë ide, ngjarje dhe njerëz në një mënyrë që jep mësim parimet e ungjillit. Kërkimi i këtyre krahasimeve ose kontrasteve mund të jetë një aftësi e dobishme e studimit të shkrimeve të shenjta. Alma i krahasoi dy grupet e njerëzve që gjendeshin në situata të ndryshme – lamanitët dhe populli i Amonihës. Plotësoje grafikun vijues në ditarin tënd të studimit. Shiko se si Alma i theksoi tiparet e Shpëtimtarit.

Krijojeni këtë grafik në tabelë dhe vërini nxënësit ta rikrijojnë atë në ditarin e tyre. Mund të doni ta ndani klasën në dy grupe dhe ta vini njërin grup të studiojë lamanitët dhe tjetrin të studiojë popullin e Amonihës. Ose mund ta ndani klasën në grupe më të vogla dhe t’i vini ata ta plotësojnë grafikun së bashku.

Çfarë mëson ti rreth njerëzve

Mënyra se si Zoti e demonstron hirin, drejtësinë, të vërtetën, durimin, mëshirën ose keqardhjen ndaj këtyre njerëzve

Lamanitët (Alma 9:14–17)

Populli i Amonihës (Alma 9:20–25)

Kur nxënësit të kenë mbaruar, kërkojuni atyre të tregojnë atë që mësuan. Mund të doni të vini në dukje se, megjithëse Zoti është i mëshirshëm ndaj atyre që janë të paditur për urdhërimet e Tij (shihni tek Alma 9:16), ata që me dijeni rebelohen kundër ungjillit dhe refuzojnë të pendohen, do të marrin dënim më të madh (shihni vargjet 23–24). Mund t’i vini madje nxënësit të bëjnë referencë-kryq të vargut te Doktrina e Besëlidhje 82:3 me këto vargje. Sigurohuni që nxënësit ta ndiejnë dhe kuptojnë se mëshira e madhe e Zotit shtrihet tek të gjithë ata që janë të gatshëm të pendohen.

  • Si e tregoi mëshirën e Zotit dërgimi i Almës dhe Amulekut për të paralajmëruar dhe dëshmuar te populli i Amonihës?

  • Si mendon, përse mësimet e Almës rreth Perëndisë tek Alma 9 janë të rëndësishme për t’i mbajtur mend në kohën tonë?

Çfarë të ka dhënë Zoti?

Alma u mahnit se sa shpejt populli i Amonihës i harroi bekimet që Zoti i kishte dhënë atij si popull (shih tek Alma 9:8–11). Për t’i ndihmuar ata të pendoheshin dhe të ktheheshin te Zoti, Alma u kujtoi atyre bekimet e shumta që kishin marrë (shih vargjet 20–24).

  • Cilat janë disa arsye pse ne mund ta harrojmë atë që Zoti ka bërë për ne?

Jepuni kohë nxënësve për të përsiatur për bekimet që kanë marrë personalisht nga Perëndia. Nxitini ata t’i shtojnë te lista që bënë në fillim të orës mësimore, dhe ndihmojini ata të mendojnë për mënyra se si t’i kujtojnë këto bekime. Ju mund t’i paraqitni pyetjet e mëposhtme që nxënësit t’i përsiatin në heshtje.

  • Çfarë të ka “bë[rë] [Zoti] të njohur [ty] sipas dëshirave të [tua] dhe besimit dhe lutjeve të [tua]”? (Alma 9:20.)

  • Si je bekuar nga dhuratat e Shpirtit të përmendura tek Alma 9:21?

  • Si të ka çliruar Perëndia nga sprovat? (Shih tek Alma 9:22.)

Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës të tregojnë disa nga përgjigjet e tyre.

Shpenzo një çast për të bërë diçka për të të ndihmuar t’i kujtosh bekimet që Zoti të ka dhënë. Në vijim janë disa ide:

  • Bëj një foto të listës që bëre në klasë, dhe vendose aty ku mund ta shohësh shpesh, siç është sfondi i ekranit në telefonin tënd.

  • Shkruaji ndjenjat e tua në ditarin tënd të studimit dhe bëj një plan për t’i shënuar bekimet rregullisht.

  • Cakto një kujtues në kalendarin tënd për të reflektuar rregullisht për atë që Zoti ka bërë për ty.

Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës ta tregojnë atë që bënë ose atë që planifikojnë të bëjnë dhe se si ndihen në lidhje me këtë. Ju mund të tregoni edhe planet tuaja vetjake.

Jepni dëshminë tuaj për parimet e dhëna në këtë mësim dhe të dashurisë që Perëndia ka për fëmijët e Tij.