Seminari
Alma 12: Një Zemër e Ngurtësuar ose e Butë


“Alma 12: Një Zemër e Ngurtësuar ose e Butë”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 12”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 12

Një Zemër e Ngurtësuar ose e Butë

Alma, Amuleku dhe Zizromi

Si mendon ti, çfarë do të thotë të kesh një zemër të ngurtësuar ose një zemër të butë ndaj Zotit? Kur Zizromi filloi t’i bënte Almës dhe Amulekut pyetje të sinqerta, Alma dha mësim se ata që nuk i ngurtësojnë zemrat e tyre, mund t’i mësojnë gjërat e Perëndisë. Alma dha mësim planin e shëlbimit dhe i nxiti njerëzit t’i vlerësonin zemrat e tyre. Ky mësim mund të të ndihmojë ta vlerësosh zemrën dhe gatishmërinë tënde për të marrë fjalën e Perëndisë.

Nxitini nxënësit që të përsiatin. Jepuni kohë nxënësve që ta përsiatin atë që mësojnë rreth Jezu Krishtit në shkrimet e shenjta dhe në fjalët e profetëve. Nxitini ata të reflektojnë se si fuqia e Tij demonstrohet në shkrimet e shenjta dhe në vetë jetën e tyre.

Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i jepni secilit nxënës një kopje të vetëvlerësimit në këtë mësim. Ftojini ata ta vlerësojnë veten dhe të përsiatin se si përgjigjet e tyre ndikojnë tek ata.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Krahasimi i zemrës me plastelinën

Merreni parasysh t’u kërkoni dy nxënësve të krijojnë diçka me plastelinë për një minutë. Nëse është e mundur, jepini një nxënësi plastelinë të butë dhe tjetrit plastelinë të tharë ose të fortë. Nëse keni në dispozicion plastelinë të mjaftueshme, ju mund t’i jepni çdo nxënësi në klasë një sasi të vogël për këtë veprimtari.

  • Si ndikon përdorimi i plastelinës së butë ose të fortë në aftësinë tënde për t’i dhënë formë asaj?

Merreni parasysh të vizatoni zemra si ajo në vijim në tabelë.

vizatimi i një zemre të ngurtësuar dhe i një zemre të butë

Vizato në ditarin tënd të studimit dy zemra, duke e emërtuar njërën “zemra e ngurtësuar” dhe tjetrën “zemra e butë”. Mund të jetë e dobishme të dish se në shkrimin e shenjtë, zemra shpesh simbolizon “mendjen dhe vullnetin” e njeriut (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Zemër”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

Krahasoji zemrat tona me plastelinën dhe Zotin me personin që i jep formë asaj. Teksa e studion këtë mësim, kërko ndihmën e Zotit për t’iu përgjigjur pyetjeve vijuese:

  • Çfarë do të thotë të kesh një zemër të ngurtësuar ose një zemër të butë? Përse ka rëndësi gjendja e zemrës sime?

  • Në ç’mënyra kam një zemër të ngurtësuar ose një zemër të butë?

  • Nëse zemra ime është e ngurtësuar, si mund të kërkoj ndihmën e Zotit për ta zbutur atë?

Mund të jetë e dobishme t’i renditni këto pyetje në tabelë në mënyrë që nxënësit të mund t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit gjatë gjithë mësimit. Nuk duhet të prisni që nxënësit t’u përgjigjen këtyre pyetjeve në këtë pikë të mësimit.

Ndërsa mëson, merre parasysh të shkruash shënime nën secilën zemër që vizatove në ditarin tënd të studimit.

Zemrat e ngurtësuara dhe zemrat e buta

Ndërsa filloni të studioni kapitullin Alma 12 së bashku, mund të jetë e dobishme t’i pyesni nxënësit se çfarë kujtojnë rreth Zizromit dhe ndërveprimit të tij me Almën dhe Amulekun.

Zizromi dhe të tjerë ishin munduar t’i mashtronin dhe diskreditonin Almën dhe Amulekun duke bërë pyetje me qëllimin për t’i kapur në fjalë (shih tek Alma 11:21). Amuleku u përgjigj nëpërmjet Shpirtit, duke dëshmuar për Shpëtimtarin dhe Gjykimin Përfundimtar (shih tek Alma 11:26–46). Alma shpjegoi se ai dhe Amuleku i dinin dredhitë e Zizromit nëpërmjet Shpirtit (shih tek Alma 12:3–6).

Lexo tek Alma 12:7–8, duke kërkuar atë që i ndodhi Zizromit.

  • Cilat fraza të tregojnë se Zizromi po ndryshonte?

  • Çfarë ndryshimi mendon se mund të kishte sjellë qëndrimi i Zizromit në aftësinë e tij për të marrë përgjigjet?

Për shkak se Zizromi donte me të vërtetë të dinte rreth Gjykimit Përfundimtar, Alma e përdori këtë mundësi për të dhënë mësim rreth planit të Perëndisë për shëlbimin. Megjithatë, në fillim Alma e paralajmëroi Zizromin se zemra e tij duhet të ishte e drejtë përpara Perëndisë.

Ndërsa lexon tek Alma 12:9–11, shenjo fjalë ose fraza që të ndihmojnë të kuptosh se çfarë ndodh për shkak të gjendjes së zemrave tona. Mund të të ndihmojë të dish se “misteret e Perëndisë janë të vërteta shpirtërore të njohura vetëm nëpërmjet zbulesës” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mistere të Perëndisë”, scriptures.churchofJesusChrist.org).

Ftojini nxënësit të tregojnë atë që mësuan. Shkruajeni në tabelë çfarëdo parimi që ata thonë.

Dy parime që mund të kesh përcaktuar, janë 1) nëse nuk i ngurtësojmë zemrat tona dhe i kushtojmë vëmendje me zell fjalës së Perëndisë, ne mund të arrijmë t’i njohim misteret e Perëndisë dhe 2) nëse i ngurtësojmë zemrat tona, ne do të marrim më pak nga fjala e Perëndisë derisa të mos dimë asgjë rreth mistereve të Perëndisë. Merre parasysh ta shkruash çdo të vërtetë pranë zemrave që ke vizatuar në ditarin tënd.

Për të marrë kuptueshmëri më të madhe se çfarë do të thotë te kesh një zemër të ngurtësuar ose se çfarë mund të bëjmë që Zoti t’i zbutë zemrat tona, lexo disa nga vargjet vijuese. Afër zemrave përkatëse në ditarin tënd të studimit, shkruaje atë që mëson ose frazat e rëndësishme nga këto vargje dhe vargjet që lexove tek Alma 12:7–11.

Ftojini nxënësit të shkruajnë në tabelë pranë dy zemrave atë që mësuan ose fraza nga vargjet. Pranë zemrës së butë, nxënësit mund të sugjerojnë disa nga idetë vijuese që çojnë në një zemër të butë: “thirr[ini] Zotit” (1 Nefi 2:16); “kërkon[i] … me zell” rreth ungjillit (Alma 12:8); jepini “vëmendje… dhe zell…” asaj që Zoti na jep (Alma 12:9); dhe të bëjnë gjëra që e ftojnë Shpirtin e Tij në jetën tonë (shihni tek Alma 24:8).

Ftojini nxënësit të diskutojnë pse gjendja e zemrave tona është e rëndësishme. Një mënyrë për ta bërë këtë mund të jetë t’i ftoni disa nxënës të dalin vullnetarë për t’iu përgjigjur pyetjeve në një panel. Ata mund të ulen në karrige në krye të dhomës. Merreni parasysh t’i shkruani pyetjet vijuese në tabelë. Klasa mund t’i bëjë panelit këto pyetje ose pyetje të tjera për të diskutuar rëndësinë e gjendjes së zemrave tona.

  • Si mendon se do të dukej nëse dikush do t’i bënte pyetjet me një zemër të ngurtësuar? Si do të dukej nëse do të pyeste duke i kushtuar “vëmendje dhe zell” (Alma 12:9) Zotit?

  • Përse mund të ndihemi ndonjëherë të tunduar t’i ngurtësojmë zemrat tona?

  • Si mendon, përse gjendja e zemrës sonë ndaj Zotit mund të sjellë një ndryshim të tillë në jetën tonë?

Plani i Perëndisë për shëlbimin

Për shkak se Zizromi filloi të kishte një dëshirë të sinqertë për të kuptuar ringjalljen dhe Ditën e Gjykimit, Alma i dha atij mësim për planin e Perëndisë për shëlbimin. Ai dha mësimin se kjo jetë është “një kohë për t’u përgatitur që të takojmë Perëndinë” dhe rreth rolit thelbësor të Shpëtimtarit në mundjen e mëkateve tona dhe vdekjes (shih tek Alma 12:16–18, 24–28, 33). Ai vuri në dukje rëndësinë e mosngurtësimit të zemrave tona.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i mbyllin sytë ndërsa bëjnë sa vijon.

Gjej një çast për të përfytyruar se si mund të jetë të qëndrosh përpara Perëndisë në Gjykimin Përfundimtar pasi të kesh jetuar me një zemër të ngurtësuar. Përfytyro gjithashtu se si mund të jetë pasi të kesh jetuar me një zemër të zbutur.

Lexo tek Alma 12:12–15, 33–37 duke kërkuar mënyrën se si zemra jote mund të ndikojë në marrëdhënien tënde me Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin në Gjykimin Përfundimtar. Ti mund të duash të shenjosh fjalë ose fraza të rëndësishme në shkrimet e tua të shenjta.

Zemra jote

Ndihmojini nxënësit të bëjnë një vlerësim vetjak të zemrave të tyre. Kjo duhet të jetë një përvojë private për çdo nxënës. Mund të përdorni vlerësimin vijues ose të krijoni një tuajin. Ju mund t’i paraqitni udhëzimet dhe pohimet në tabelë dhe nxënësit mund t’i shënojnë përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit.

Për të të ndihmuar ta vlerësosh zemrën tënde, përgjigju për pyetjet vijuese në një shkallë nga 1 deri në 5, ku 1 do të thotë “asnjëherë e vërtetë për mua” dhe 5 do të thotë “gjithnjë e vërtetë për mua”.

  • Dëshiroj udhërrëfim nga Ati Qiellor në të gjitha aspektet e jetës sime.

  • Jam i gatshëm t’i bindem Atit Qiellor.

  • E pranoj korrigjimin.

  • Ndiej një nevojë për ndihmën e Shpëtimtarit në jetën time.

  • Jam i gatshëm të drejtohem te Shpëtimtari dhe të pendohem.

Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi atë që kanë mësuar në këtë mësim, tregoni skenarin vijues dhe nxitini nxënësit t’i përdorin shkrimet e shenjta në përgjigjen e tyre.

Përfytyro sikur dikush ndjeu se kishte një zemër të ngurtësuar në disa aspekte dhe donte ndihmën e Zotit për ta zbutur atë. Si mund ta përdorësh çfarë mësove sot për ta ndihmuar atë? Ti mund të japësh gjithashtu shembullin e Shpëtimtarit dhe përvojat e tua vetjake.

Merreni parasysh ta mbyllni duke dhënë dëshminë tuaj për të vërtetat në këtë mësim dhe për aftësinë e Zotit që t’i zbutë zemrat tona për të marrë më shumë nga fjalët e Tij.