Seminari
Alma 18: Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni


“Alma 18: Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 18”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 18

Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni

Mbreti Lamoni duke marrë mësim nga Amoni

Ne nuk e dimë përse mbreti Lamoni e çmoi kaq shumë Amonin kur u takuan për herë të parë. Mbase ishte gatishmëria e Amonit për t’i shërbyer ose drita e Krishtit që ai reflektoi, ose ngaqë ishte i biri i mbretit Mosia. Cilado qoftë arsyeja për përshtypjen e parë pozitive për Amonin, Lamoni u prek thellësisht nga besnikëria me të cilën Amoni i shërbeu atij gjatë tri ditëve në vazhdim. Për shkak të asaj që ndjeu, Lamoni ishte i gatshëm t’i besonte të gjitha fjalët e Amonit. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të gjesh mënyra për t’i ndihmuar të tjerët të afrohen më shumë me Perëndinë nëpërmjet dashurisë dhe shërbimit të ngjashëm me të Krishtit.

Përdorini në mënyrë të efektshme mjetet pamore të miratuara nga Kisha. Përdorimi me mençuri i mjeteve pamore mund ta pasurojë kuptueshmërinë e nxënësve dhe t’i ndihmojë ata të ndërtojnë dëshmitë e tyre. Merreni parasysh t’i ndani materialet filmike më të gjata në segmente më të shkurtra. Ftojini nxënësit të kërkojnë dhe diskutojnë se si ilustrohen doktrina dhe parimet.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i kërkojnë një shoku, shoqeje ose pjesëtari të familjes të përcaktojë njerëz që ai ose ajo i njeh, që i kanë ndihmuar të tjerët të afrohen më shumë me Perëndinë nëpërmjet dashurisë ose shërbimit të tyre të ngjashëm me të Krishtit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Predikoje ungjillin

Tregojeni ose paraqiteni pohimin vijues dhe ftojini nxënësit të diskutojnë se çfarë mendojnë se do të thotë ai. Mund t’i përdorni pyetjet që e pasojnë pohimin për t’i ndihmuar ta zhvillojnë këtë diskutim.

Presidenti Diter F. Uhtdorf, asokohe i Presidencës së Parë, dha mësim:

“Një nga predikimet më të shkëlqyera të shqiptuara mbi punën misionare është mendimi i thjeshtë që i atribuohet Shën Françeskut të Asisit: ‘Predikojeni ungjillin gjithmonë [me sjellje] dhe, nëse është e nevojshme, përdorni fjalët’”. (Diter F. Uhtdorf, “Duke Pritur në Rrugën për Damask”, Liahona, maj 2011, f. 77)

  • Si mund ta predikojmë ungjillin pa përdorur fjalë?

  • Përse është ajo një mënyrë kaq e fuqishme për të predikuar?

Jezu Krishti ishte shembulli i përsosur i mësimdhënies së ungjillit.

  • A mund të mendosh për rrëfime të Jezusit që i ndihmon të tjerët të mësojnë rreth Atit Qiellor edhe pse nuk flet shumë?

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të tregojnë shembuj të mënyrës se si Shpëtimtari i ndihmoi të tjerët të afroheshin më shumë me Atin Qiellor nëpërmjet shembullit, mrekullive ose shërbimit të Tij ndaj të tjerëve. Shembujt mund të përfshijnë rrëfimet nga Gjoni 11:41–45; 13:4–5, 13–15.

Amoni duke mbrojtur grigjat

Mund të të kujtohet që, kur Amoni e filloi misionin e tij mes lamanitëve në tokën e Ishmaelit, ai nuk e nisi menjëherë mësimdhënien e ungjillit. Përkundrazi, ai i premtoi mbretit: “Unë do të jem shërbëtori yt” (Alma 17:25). Amonin e caktuan më pas të kujdesej për grigjat e mbretit. Nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, ai i mbrojti grigjat dhe shërbëtorët e tjerë nga lamanitët që u orvatën t’i shpërndanin delet.

Ndërsa studion kapitullin tek Alma 18 sot, kushtoji vëmendje ndikimit që shërbimi besnik i Amonit pati mbi mbretin Lamoni. Mendo për mënyra se si mund t’i ndihmosh të tjerët të afrohen më shumë me Perëndinë duke i dashur dhe u shërbyer atyre në mënyra të ngjashme me të Krishtit.

Ndikimi i dashurisë dhe shërbimit të ngjashëm me të Krishtit nga ana e Amonit

Vargjet vijuese mund të studiohen së bashku si klasë ose nxënësit mund t’i studiojnë me një partner.

Lexo tek Alma 18:1–11, duke kërkuar ndikimin që veprimet e Amonit patën mbi mbretin Lamoni. Mund të shikosh gjithashtu [“21 – Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni” pjesën “Amoni Mbron Grigjat e Mbretit” nga kodi kohor 8:09 deri në 10:23 në dispozicion në https://www.youtube.com/@kishaejezukrishtiteshenjto9199/videos] ndërsa e ndjek në shkrimet e tua të shenjta.

5:25
  • Çfarë të bie në sy rreth veprimeve të Amonit në këto vargje?

  • Çfarë ndikimi patën veprimet e Amonit mbi mbretin?

Pasi Amoni e kishte përfunduar përgatitjen e kuajve dhe karrove të mbretit, ai erdhi te mbreti dhe vuri re se pamja e Lamonit kishte ndryshuar. Nëpërmjet Shpirtit, Amoni i perceptoi mendimet e mbretit dhe e kuptoi se Lamoni po çuditej me mënyrën e mrekullueshme se si ai i mbrojti grigjat e mbretit (shih tek Alma 18:12–19).

Lexo tek Alma 18:20–23, duke kërkuar atë që dëshiroi Lamoni. Mund të shikosh gjithashtu [“21 – Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni” pjesën “Amoni i Jep Mësim Mbretit Lamoni rreth Ungjillit të Jezu Krishtit” nga kodi kohor 10:24 deri në 11:58, në dispozicion në https://www.youtube.com/@kishaejezukrishtiteshenjto9199/videos] ndërsa e ndjek në shkrimet e tua të shenjta.

5:41
  • Çfarë roli mendon se luajtën dashuria dhe shërbimi të ngjashëm me të Krishtit nga ana e Amonit në gatishmërinë e mbretit për t’i besuar fjalët e Amonit?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky rrëfim është se nëpërmjet dashurisë dhe shërbimit tonë të ngjashëm me të Krishtit, Perëndia mund t’i përgatitë zemrat e atyre të cilëve u shërbejmë për t’i marrë të vërtetat e ungjillit.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit ta diskutojnë pyetjen vijuese me një grup të vogël. Më pas, anëtarë nga çdo grup mund t’ia tregojnë disa nga përgjigjet e tyre klasës.

  • Cilat janë disa mënyra se si mund t’i ndihmojmë të tjerët të afrohen më shumë me Perëndinë nëpërmjet dashurisë dhe shërbimit tonë të ngjashëm me të Krishtit?

Nëse është e mundur, jepni një shembull të një rasti kur ju i keni parë të tjerët të afrohen më shumë me Perëndinë për shkak të dashurisë dhe shërbimit të dikujt të ngjashëm me të Krishtit. Mund t’u kërkoni gjithashtu nxënësve të mendojnë dhe t’i japin shembujt që kanë parë.

Amoni i mëson Lamonit të vërtetat e ungjillit

Bazuar në nevojat dhe aftësitë e nxënësve tuaj, merreni parasysh nëse do të ishte më mirë që ata t’i studiojnë vargjet vijuese së bashku si klasë, me një partner ose më vete.

Lexo tek Alma 18:24–43, duke kërkuar atë që Amoni i mësoi Lamonit. Mund të bësh një listë të asaj që gjen, duke u kushtuar vëmendje fjalëve “përsëriti/tregoi”, “paraqiti” dhe “tha”. Mund të shikosh gjithashtu materialin filmik [“21 – Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni” pjesën “Amoni i Jep Mësim Mbretit Lamoni rreth Ungjillit të Jezu Krishtit” nga kodi kohor 11:58 deri në 15:28, në dispozicion në https://www.youtube.com/@kishaejezukrishtiteshenjto9199/videos] dhe ta ndjekësh në shkrimet e tua të shenjta.

5:41
  • Cilat janë disa nga të vërtetat e rëndësishme që Amoni e ndihmoi Lamonin t’i kuptonte?

    Merreni parasysh t’i vini nxënësit t’i renditin në tabelë përgjigjet e tyre për pyetjen e mëparshme. Nxënësit gjithashtu mund të vendosin një yll krah të vërtetave që misionarët japin mësim sot.

  • Çfarë ndikimi patën këto të vërteta te Lamoni?

  • Përse këto të vërteta janë të rëndësishme që ne t’i kuptojmë sot?

Shihni një sugjerim te pjesa “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit” që mund t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë rëndësinë e të vërtetave që Amoni i dha mësim mbretit në këto vargje.

Ndonëse shumë nga lamanitët menduan se Lamoni vdiq kur ra në tokë, Amoni i ndihmoi më pas të kuptonin se mbreti “ishte nën fuqinë e Perëndisë” ose “ishte rrëmbyer në Perëndinë” (Alma 19:6). Do të mësosh më shumë rreth kthimit në besim të Lamonit ndërsa studion kapitullin tek Alma 19.

Zbatimi i asaj që ke mësuar

Jepuni nxënësve kohë të marrin parasysh se si ata mund t’i zbatojnë të vërtetat që kanë studiuar sot. Mund të jetë e dobishme t’i paraqitni udhëzimet vijuese dhe t’i ftoni nxënësit t’i mbajnë shënim përgjigjet e tyre në ditarët e tyre të studimit. Mund t’i ftoni më pas disa nxënës të tregojnë disa nga synimet ose planet e tyre, por jo emrat e njerëzve për të cilët menduan.

Mendo për dikë që ti e ndien se mund të të ndihmojë të afrohesh më shumë me Perëndinë nëpërmjet dashurisë dhe shërbimit të ngjashëm me të Krishtit.

  • Si mund t’i shërbesh apo të tregosh ndaj këtij personi dashuri të ngjashme me të Krishtit?

  • Si mund ta ndihmojnë përpjekjet e tua këtë person të afrohet më shumë me Perëndinë?

  • Çfarë pengesash sheh që mund të ta bëjnë të vështirë t’i shërbesh këtij personi me dashuri të pastër? Si mund t’i kapërcesh ato pengesa?