Seminari
Vështrim i Përgjithshëm për Kapitujt tek Alma 17–22


“Vështrim i Përgjithshëm për Kapitujt tek Alma 17–22”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 17–22”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 17–22

Vështrim i Përgjithshëm

Bijtë e Mosias zgjodhën të shkonin te lamanitët për të predikuar ungjillin. Amoni shërbeu në mesin e popullit të mbretit Lamoni në tokën e Ishmaelit dhe i mbrojti grigjat e mbretit në mënyrë të mrekullueshme. Lamoni u prek thellësisht nga besnikëria me të cilën Amoni i shërbeu atij. Dhe për shkak të asaj që ndjeu, Lamoni ishte i gatshëm t’i besonte të gjitha fjalët e Amonit. Ati i Lamonit më parë kishte qenë një njeri i lig, por pasi mësoi të vërteta thelbësore rreth Shpëtimtarit tonë dhe planit të shpëtimit, dëshirat e tij filluan të ndryshonin në mënyrë domethënëse. Përfundimisht, e gjithë shtëpia e mbretit u kthye në besimin te Zoti.

Përgatituni të Jepni Mësim

Informacioni i mëposhtëm u jep mësuesve ide mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.

Alma 17

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta dallojnë ndihmën dhe forcën që Zoti u jep atyre në situatat e vështira me të cilat përballen.

  • Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të vijnë të përgatitur për të treguar dhe diskutuar disa probleme ose sfida tipike me të cilat përballen adoleshentët dhe përse atyre do t’u duhej ndihma dhe forca e Perëndisë në jetën e tyre. Ata mund të mendojnë edhe për raste kur e kanë marrë ndihmën e Perëndisë në jetën e tyre.

  • Materialet filmike: [Në “21 – Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni” pjesët “Amoni Bëhet Shërbëtori i Mbretit Lamoni” nga kodi kohor 2:25 deri në 5:35 dhe “Amoni Mbron Grigjat e Mbretit” nga kodi kohor 5:36 deri në 10:23, në dispozicion në https://www.youtube.com/@kishaejezukrishtiteshenjto9199/videos]

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në dhoma virtuale të veçanta për të studiuar një nga katër grupet e vargjeve të renditura afër fillimit të mësimit. Më pas, një anëtar i secilit grup mund ta përmbledhë atë që grupi i vet studioi.

Alma 18

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të gjejnë mënyra për t’i ndihmuar të tjerët të afrohen më shumë me Perëndinë nëpërmjet dashurisë dhe shërbimit të tyre të ngjashëm me të Krishtit.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i kërkojnë një shoku, shoqeje ose pjesëtari të familjes të përcaktojë njerëz që ai ose ajo i njeh, që i kanë ndihmuar të tjerët të afrohen më shumë me Perëndinë nëpërmjet dashurisë ose shërbimit të tyre të ngjashëm me të Krishtit.

  • Materialet filmike: [Në “21 – Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni” pjesët “Amoni Mbron Grigjat e Mbretit” shikoje nga kodi kohor 8:09 deri në 10:23 dhe “Amoni i Jep Mësim Mbretit Lamoni rreth Ungjillit të Jezu Krishtit” shikoje nga kodi kohor 10:24 deri në 11:58 dhe nga kodi kohor 11:58 deri në 15:28, në dispozicion në https://www.youtube.com/@kishaejezukrishtiteshenjto9199/videos]

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Udhëzimi dhe pyetjet në fund të mësimit për t’i ndihmuar nxënësit të bëjnë një plan

Alma 19

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të ndiejnë se Zoti i do të gjithë njerëzit dhe dëshiron që ata të vijnë tek Ai.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të studiojnë kapitullin tek Alma 19 dhe të kërkojnë ndikimin që ungjilli i Shpëtimtarit pati te lamanitët të cilëve Amoni u dha mësim.

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Anketa në fillim të mësimit

  • Materiali filmik: “Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni” (23:04; shikoje nga kodi kohor 15:18 deri në 20:06 dhe nga kodi kohor 20:07 deri në 23:04)

Alma 20–22

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i dëshirojnë gjërat e Perëndisë më shumë se gjithçka tjetër që bota ka për të ofruar.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë kapitujt tek Alma 20 dhe 22, duke kërkuar se si ati i mbretit Lamoni ndryshoi në këto kapituj. Vërini ata të mendojnë për arsyet e mundshme për atë ndryshim.

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Në fillim të mësimit, kur nxënësit u pyetën për rrethanat që do të ndikonin në gatishmërinë e tyre për të bërë diçka, merreni parasysh t’i ftoni ata t’i shkruajnë përgjigjet e tyre në veçorinë e bashkëbisedimit. Ata mund të japin përgjigje të shumta për secilën prej rrethanave.

Marrja e Njohurisë Shpirtërore, Pjesa 4

Qëllimi i mësimit: Ky mësim ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit t’i shqyrtojnë parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore.

  • Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund të ftohen të mendojnë për pyetjet shpirtërore që kanë pasur ose kanë aktualisht dhe për atë që kanë bërë për të gjetur përgjigje për pyetjet e tyre.

  • Materiali filmik: “Burimet e Caktuara në Mënyrë Hyjnore” (9:16; shikoje nga kodet kohore 2:43 deri në 4:19, 4:19 deri në 5:35 dhe 5:35 deri në 7:01)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Ky mësim përmban dy skenarë që pasohen nga tri pjesë të cilat përputhen me parimet e marrjes së njohurisë shpirtërore. Secila prej këtyre tri pjesëve ka një grup pyetjesh. Në secilën pjesë, pasi nxënësit të kenë punuar me skenarin që zgjodhët, merreni parasysh t’i vendosni ata në dhoma virtuale të veçanta për t’i diskutuar pyetjet. Ju mund t’i përzieni grupet çdo herë.