Seminari
Alma 20–22: “Çfarë Duhet të Bëj që të Mund të Kem … Jetë të Përjetshme?”


“Alma 20–22: ‘Çfarë Duhet të Bëj që të Mund të Kem … Jetë të Përjetshme?’” Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 20–22”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 20–22

“Çfarë Duhet të Bëj që të Mund të Kem … Jetë të Përjetshme?”

adoleshente duke buzëqeshur

Çfarë mund të të ndihmojë të dëshirosh ta ndjekësh Perëndinë më shumë se çdo gjë tjetër? Babai i mbretit Lamoni kishte qenë dikur një njeri i lig, por pasi mësoi të vërteta thelbësore rreth Shpëtimtarit tonë dhe planit të Atit Qiellor për shpëtimin, dëshirat e tij filluan të ndryshonin në mënyrë të konsiderueshme. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i dëshirosh gjërat e Perëndisë më shumë se çdo gjë tjetër që bota ka për të të ofruar.

Dëshmimi për Jezu Krishtin. Kërkoni mundësi për të dëshmuar për fuqinë, mëshirën dhe ndikimin e Zotit në jetën tonë. Nxitini nxënësit të bëjnë pyetjen: “Çfarë më mëson ky fragment i shkrimit të shenjtë rreth Jezu Krishtit që do të më ndihmonte t’i kuptoja dhe të mbështetesha te mësimet dhe Shlyerja e Tij?”

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të lexojnë kapitujt tek Alma 20 dhe 22, duke kërkuar se si ati i mbretit Lamoni ndryshoi në këto kapituj. Vërini ata të mendojnë për arsyet e mundshme për atë ndryshim.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

A je i gatshëm?

A e ke vënë re ndonjëherë se rrethana të caktuara mund të ndikojnë në gatishmërinë tënde për të bërë diçka – ose për të mos bërë diçka?

Për shembull, mendo për situata ku ti do të ishe i gatshëm të bëjë sa vijon. Më pas, mendo për rrethana që do të të bënin më pak të gatshëm për t’i bërë ato.

Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe të vogla dhe t’i caktoni çdo grupi të diskutojë për një nga veprimet në vijim. Më pas, anëtarët e çdo grupi mund t’ia tregojnë përgjigjet e tyre klasës.

  • Pastroje dhomën tënde të gjumit.

  • Lexo një libër.

  • Bëj një ecje të gjatë.

Ftojini nxënësit të bëjnë një farë vlerësimi të vetes duke u dhënë udhëzimet vijuese. Mos u kërkoni nxënësve t’i tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjet.

Gjëra të caktuara mund të na shtyjnë ta ndjekim Perëndinë.

Gjej një çast për të menduar rreth dëshirave të tua për ta ndjekur Perëndinë. Nëse ndien dëshirën për ta ndjekur Atë, çfarë të ka ndihmuar që ta ndiesh atë dëshirë? Nëse nuk ke aktualisht dëshirë për ta ndjekur Atë, çfarë mendon se kontribuon në ato ndjenja?

Sot ti do të mësosh rreth një njeriu, dëshira e të cilit për ta ndjekur Perëndinë u rrit në mënyrë të konsiderueshme brenda një periudhe të shkurtër. Ndërsa studion, kushtoji vëmendje asaj që e solli këtë ndryshim. Kërko mësime që mund të të ndihmojnë të kesh një dëshirë më të madhe për ta ndjekur Perëndinë dhe për të marrë bekimet që vetëm Ai mund të t’i ofrojë.

Amoni dhe Lamoni takojnë atin e Lamonit

Përmblidheni informacionin vijues për t’i ndihmuar nxënësit të përgatiten për t’i studiuar ngjarjet e kapitullit tek Alma 20. Kini kujdes të mos shpenzoni shumë kohë me këtë pjesë të mësimit. Nxënësit duhet të kenë kohë të mjaftueshme për ta studiuar rrëfimin e Aaronit duke i dhënë mësim atit të Lamonit tek Alma 22.

Ndërkohë që Amoni po i shërbente dhe po i jepte mësim popullit të mbretit Lamoni në tokën e Ishmaelit, Zoti i zbuloi Amonit se Aaroni dhe të tjerë nga grupi i tyre ishin burgosur në tokën e Midonit. Amoni dhe mbreti bënë plane për të udhëtuar deri atje për të çliruar Aaronin dhe të tjerët. Rrugës për atje, ata takuan atin e Lamonit, i cili ishte mbret mbi të gjithë vendin (shih tek Alma 20:1–8).

Mund të jetë e dobishme t’i ftoni dy ose tre nxënës të gatshëm t’i lexojnë vargjet vijuese ndërsa pjesa tjetër e anëtarëve të klasës i ndjekin në shkrimet e tyre të shenjta.

Lexo tek Alma 20:13–28, duke kërkuar ndërveprimin që ndodhi ndërmjet Amonit, Lamonit dhe atit të Lamonit.

  • Në ç’mënyrë e vure re që dëshirat e atit të Lamonit të ndryshonin gjatë gjithë ndërveprimit të tij me Amonin dhe Lamonin?

  • Cilat ishin disa nga gjërat që kontribuan në atë ndryshim?

Merre parasysh ta shenjosh në vargun 23 se nga çfarë ishte i gatshëm ati i Lamonit të hiqte dorë nëse Amoni do t’ia kursente jetën. Mund ta krahasosh reagimin e tij në këtë varg me reagimin e tij në vargjet e tjera që do t’i studiosh më vonë në mësim.

Aaroni i jep mësim atit të Lamonit

Pasi Aaroni dhe ata që ishin me të u çliruan nga burgu, Amoni u kthye në vendin e Ishmaelit me mbretin Lamoni. Shpirti e udhëhoqi Aaronin ta vizitonte atin e Lamonit në tokën e Nefit (shih tek Alma 22:1).

Lexo tek Alma 22:2–6, duke kërkuar pyetjet që ati i Lamonit pati ndërsa u takua me Aaronin.

  • Çfarë mund të tregosh për Atin Qiellor dhe planin e Tij në përgjigje të pyetjeve të mbretit te vargjet 5–6?

Lexo tek Alma 22:7–14 dhe kërko mënyrën se si Aaroni iu përgjigj pyetjeve të mbretit. Kije parasysh se folja meritontevargun 14 do të thotë “të fitosh ose të meritosh”.

  • Çfarë mësoi mbreti rreth Perëndisë dhe planit të Tij që me gjasa ndikoi në këndvështrimin e tij për jetën?

  • Si mund të ndikojë te ne besimi dhe kuptueshmëria e mësimeve të Aaronit rreth Perëndisë dhe planit të Tij?

Lexo tek Alma 22:15–18, duke kërkuar atë që mbreti dëshiroi dhe ishte i gatshëm të bënte pasi Aaroni i dha mësim.

Para se t’i diskutoni dy pyetjet e radhës, merreni parasysh të ftoni nxënës të shumtë t’i shkruajnë frazat e tyre të parapëlqyera nga këto vargje në tabelë. Mund t’i pyesni nxënësit më pas nëse ndonjë nga frazat përshkruan diçka që ata kanë ndier më parë ose nëse ata kanë ndonjë pyetje. Ftojini nxënësit e gatshëm t’i tregojnë përgjigjet ose përvojat e tyre. Thuajuni nxënësve të mos tregojnë asgjë tepër vetjake ose private.

  • Çfarë fjalësh ose frazash të ndihmojnë të kuptosh se dëshirat e mbretit kishin ndryshuar që nga koha kur ai u takua me Amonin dhe Lamonin rrugës për në Midon?

  • Nga çfarë tha mbreti te vargjet 15 dhe 18 se do të ishte i gatshëm të hiqte dorë?

  • Bazuar në atë që ke mësuar nga studimi yt i kapitujve tek Alma 20 dhe 22, cilët ishin disa nga faktorët që kontribuan në ndryshimin që përjetoi mbreti?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky rrëfim është se kur e kuptojmë nevojën tonë për Jezu Krishtin, dëshira jonë për ta ndjekur Atë dhe për t’i marrë bekimet që Ai mund të na ofrojë, rritet.

  • Përse mendon se kuptueshmëria për nevojën tonë për Shpëtimtarin mund të ketë një ndikim kaq të madh në dëshirat dhe veprimet tona?

  • Çfarë mund të të ndihmojë ose të ka ndihmuar ta kuptosh më mirë nevojën tënde për Jezu Krishtin?

Si mund të ndikojnë dëshirat tona të drejta te ne

Përvoja e mbretit me Aaronin pati një ndikim të thellë mbi mbretin dhe popullin e tij. Mbreti, bashkëshortja e tij, e gjithë familja e tij dhe shumë lamanitë të tjerë u kthyen në besim te Zoti dhe qenë besnikë ndaj Tij për pjesën tjetër të jetës së tyre (shih tek Alma 22:23; 23:6).

Mendo përsëri për atë që mbreti tha se dëshironte te vargjet 15–18. Këto përfshijnë:

  • bekimet e jetës së përjetshme (vargjet 15, 18);

  • të “lind[te] nga Perëndia, duke shkulur këtë shpirt të keq nga gjoksi [i tij]” (vargu 15);

  • të merrte Frymën e Shenjtë (vargu 15);

  • të ishte i mbushur me gëzim (vargu 15); dhe

  • të njihte Perëndinë (vargu 18).

Renditini dëshirat e mbretit në tabelë nëse kjo nuk është bërë më parë. Në vend që të bëni pyetjen e radhës, merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të shkruajnë një përshkrim të shkurtër në ditarët e tyre të studimit se çfarë lloj personi mund të bëhen pas 5 ose 10 vjetësh nëse do t’i dëshironin vazhdimisht këto gjëra gjatë asaj kohe.

Nxënësit mund t’ia tregojnë më pas idetë e tyre klasës.

  • Çfarë ndryshimi mendon se do të bënte në jetën tënde po t’i dëshiroje vazhdimisht këto gjëra?

  • Nga çfarë mund të duhet të heqim dorë ose ta ndryshojmë për t’i marrë këto bekime?

Përsiat për atë që ke mësuar dhe ndier ndërsa ke studiuar sot. Merre parasysh se çfarë mund të bësh për t’i dëshiruar më plotësisht bekimet që Ati Qiellor dëshiron të të japë. Mendo për atë që mund të të duhet të bësh ose të braktisësh për t’i marrë këto bekime. Mbaji shënim mendimet dhe mbresat e tua shpirtërore në ditarin tënd të studimit.

Jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme për t’i mbajtur shënim mendimet dhe mbresat e tyre në ditarët e tyre të studimit. Merreni parasysh t’i ftoni disa nxënës të gatshëm t’ia tregojnë klasës një pjesë të asaj që shkruan që nuk është tepër vetjake.