“Alma 17: ‘Sipas Fjalës dhe Fuqisë së Perëndisë’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 17”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 17
“Sipas Fjalës dhe Fuqisë së Perëndisë”
Përfytyro sikur po mundohesh t’ia predikosh ungjillin një grupi njerëzish që mund të përshkruhen si të egër, të ngurtësuar dhe mizorë. Kjo është pikërisht ajo që bijtë e Mosias zgjodhën të bënin kur shkuan në tokën e lamanitëve për t’ua predikuar ungjillin. Alma 17 përshkruan ndihmën që Amoni mori nga Perëndia ndërsa filloi shërbesën në mesin e lamanitëve në tokën e Ishmaelit. Ky mësim mund të të ndihmojë ta dallosh ndihmën dhe forcën që Zoti të jep në situatat e vështira me të cilat përballesh.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Nevoja jonë për ndihmën e Perëndisë
Lili ka ndier nevojën për t’u penduar dhe për të ndryshuar mënyrën se si ajo e jeton jetën e saj, por gjithçka që ajo është përpjekur ta ndryshojë nuk duket se po bën një ndryshim.
Genti ndihet i frymëzuar të shërbejë në një mision, por prindërit e tij janë të mërzitur për shkak se atyre u duhet ndihma e tij me biznesin e familjes.
-
Cilat janë disa mënyra se si Perëndia mund ta ndihmojë Lilin ose Gentin?
-
Cilat janë disa mënyra se si ata mund ta kërkojnë ose dallojnë ndihmën e Tij?
Gjej një çast për të përsiatur dhe shkruar në ditarin tënd të studimit se ku e ndien se ke më shumë nevojë për ndihmën ose forcën e Perëndisë në jetën tënde. Cilat janë disa mënyra se si ti shpreson që Perëndia mund të të ndihmojë? Ndërsa studion tek Alma 17 sot, kërko mënyra se si mund ta dallosh dhe ftosh forcën e Perëndisë në jetën tënde.
Bijtë e Mosias
Kapitujt 1–16 tek Alma tregojnë ngjarje në jetën e Almës gjatë 14 viteve të para të mbretërimit të gjykatësve. Tek Alma 17–27, ne mësojmë rreth udhëtimit misionar të bijve të Mosias për te lamanitët gjatë të njëjtës periudhë kohe. Alma 17 fillon me Almën dhe shokët e tij, bijtë e Mosias, që takohen për herë të parë pasi kishin qenë të ndarë për ato 14 vjet (shih tek Alma 17:2–4; 27:16). Emrat e bijve të Mosias ishin Amon, Aaron, Omner dhe Himni.
Lexoji vargjet vijuese duke kërkuar hollësi të rëndësishme rreth misionit të Amonit, Aaronit, Omnerit dhe Himnit.
-
Arsyeja përse ata shkuan: Mosia 28:1–3
-
Premtimi që ata morën: Mosia 28:5–7
-
Çfarë bënë ata për të qenë mjete në duart e Zotit: Alma 17:2–3, 9–12
-
Njerëzit të cilëve ata po u predikonin: Alma 17:13–15
-
Çfarë të bie në sy rreth bijve të Mosias nga këto vargje?
-
Çfarë prove gjete të ndihmës ose forcës së Perëndisë që vepron në jetën e tyre? Merre parasysh ta shenjosh këtë provë në shkrimet e tua të shenjta.
Amoni dhe mbreti Lamoni
Përpara se këta misionarë të ndaheshin për ta predikuar ungjillin në zona të ndryshme, Amoni u dha mësim dhe i bekoi ata. Më pas, Amoni shkoi në një tokë të quajtur Ishmael. Kur hyri në atë tokë, atë e kapën dhe e sollën përpara mbretit, emri i të cilit ishte Lamoni (shih tek Alma 17:17–20).
Lexo tek Alma 17:21–25, duke kërkuar ofertën që Amoni i bëri mbretit Lamoni. Nëse dëshiron, mund edhe të shohësh materialin filmik [“21 – Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni” pjesën “Amoni Bëhet Shërbëtori i Mbretit Lamoni” nga kodi kohor 2:25 deri në 5:35 në dispozicion në https://www.youtube.com/@kishaejezukrishtiteshenjto9199/videos].
-
Në ç’mënyrë fjalët “Unë do të jem shërbëtori yt” (Alma 17:25) që Amoni ia tha mbretit, mund ta kenë lejuar atë të ishte një misionar më i efektshëm?
Ndërkohë që Amoni dhe shërbëtorë të tjerë të mbretit po ruanin grigjat, ata u përballën me një situatë të vështirë.
Lexo tek Alma 17:26–39 dhe kërko se si reagoi Amoni ndaj kësaj situate. Mund të shohësh gjithashtu [“21 – Amoni i Shërben dhe i Jep Mësim Mbretit Lamoni” pjesën “Amoni Mbron Grigjat e Mbretit” nga kodi kohor 5:36 deri në 10:23, në dispozicion në https://www.youtube.com/@kishaejezukrishtiteshenjto9199/videos].
-
Në ç’mënyrë mund të lidhet siguria e Amonit në këtë situatë me premtimin që Zoti i bëri babait të Amonit, Mosias, te Mosia 28:7?
-
Po të kishe qenë atje, çfarë do të kishe menduar për Amonin?
Lexo tek Alma 18:1–3, duke kërkuar atë që shërbëtorët e tjerë lamanitë i treguan mbretit Lamoni rreth kësaj përvoje.
-
Si e përshkruan Amonin shërbëtorët e mbretit?
Edhe pse shërbëtorët e mbretit e patën të vështirë ta përshkruanin arsyen përse Amoni ishte në gjendje t’i ruante grigjat e mbretit në një mënyrë kaq të mrekullueshme, ata e kuptuan se ai kishte qasje te një fuqi që ishte më e madhe nga ajo që mund të kishte një person i vdekshëm.
Nga përvoja e Amonit mund të mësojmë se Zoti ua jep forcën dhe fuqinë e Tij shërbëtorëve të Tij që përpiqen fort të bëjnë vullnetin e Tij.
Afër fundit të misionit të tij 14‑vjeçar, Amoni reflektoi për forcën dhe fuqinë që Perëndia i dha atij gjatë gjithë kohës që u shërbeu lamanitëve.
Lexo tek Alma 26:12, duke kërkuar atë që Amoni tha për burimin e forcës së tij.
-
Cilët janë disa shembuj të situatave në të cilat ne kemi nevojë për ndihmën ose forcën e Zotit në jetën tonë?
-
Cilat janë disa nga mënyrat se si Zoti mund të na bekojë me ndihmën ose forcën e Tij?
-
Çfarë mund të bësh për ta ftuar ose për të pasur qasje te ndihma apo forca e Perëndisë në jetën tënde?