“Alma 32: ‘Forcojeni Besimin Tuaj’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 32”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 32
“Forcojeni Besimin Tuaj”
Shumë sende të ndryshme mund të përdoren për të na ndihmuar ta kuptojmë ungjillin e Jezu Krishtit. Ndërsa Alma u dha mësim zoramitëve, ai e krahasoi fjalën e Perëndisë me një farë që ne mund ta mbjellim në zemrat tona, që në fund të mund të bëhet “një pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme” (Alma 32:41). Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta mbjellësh fjalën e Perëndisë në zemrën tënde dhe ta ushqesh dëshminë tënde me të.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Krahasimet
Bërja e krahasimeve mund të jetë një mënyrë e efektshme për ta dhënë mësim dhe për ta mësuar ungjillin e Jezu Krishtit. Plotësoji vendet bosh vijuese. Ji krijues dhe shih a ka më shumë se një mënyrë se si mund t’i plotësosh fjalitë.
-
Jeta është si për shkak se .
-
Telefonat inteligjentë janë si për shkak se .
-
Marrja e një dëshmie është si për shkak se .
Ndërsa Alma dhe Amuleku po shërbenin mes zoramitëve, një grup njerëzish shprehën shqetësim se nuk mund ta adhuronin Perëndinë meqë ishin dëbuar nga vendet e tyre të adhurimit për shkak të varfërisë së tyre (shih tek Alma 32:5). Ndonëse e dimë se Zoti ka dhënë qartësisht mësim për rëndësinë e frekuentimit të Kishës së Tij në Shabat, Alma u përgjigj duke u dhënë mësim atyre që nuk u lejohej ta frekuentonin Kishën të vërteta të rëndësishme rreth adhurimit që mund të ndodhë në zemrat tona pavarësisht nga vendndodhja jonë fizike.
Lexoje fjalinë e parë tek Alma 32:28, më pas lexoje vargun 41 dhe kërko një krahasim që Alma e përdori, që mund të gjejë zbatim edhe për ty.
-
Çfarë ngjashmërish sheh ndërmjet rritjes së një peme frutore nga një farë dhe rritjes së dëshmisë sate për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij?
Krahasimi i fjalës së Perëndisë nga Alma me një farë mund të zbatohet për marrjen e një dëshmie për cilindo aspekt të ungjillit. Megjithatë, Alma shpjegoi më vonë se ai shpresonte që ata zoramitë do ta mbillnin në zemrat e tyre një dëshmi për Jezu Krishtin (shih tek Alma 33:22–23).
-
Përse është besimi te Shpëtimtari një “farë” kaq e rëndësishme për ta mbjellë në zemrën tënde?
Gjeje një çast për të menduar rreth forcës së tanishme të dëshmisë sate të përgjithshme për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij. Gjithashtu, përsiat nëse ka aspekte të veçanta të dëshmisë sate që do të doje t’i forcoje, si dashuria e Atit Qiellor për ty ose realiteti i Vegimit të Parë të Jozef Smithit. Ndërsa vazhdon të studiosh sot, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë se si ta fitosh ose forcosh dëshminë tënde.
Dëshmia jote
Për të të ndihmuar të shohësh se si lidhet krahasimi i Almës me dëshminë tënde për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, vizato një diagram si ai në vijim në ditarin tënd të studimit. Shtrije vizatimin tënd nëpër të gjithë faqen në mënyrë që të ketë vend për të shkruar poshtë çdo faze të rritjes.
Gjeje një çast për ta krahasuar dëshminë tënde për Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij me rritjen e një peme frutore. Zgjidhi disa aspekte të ungjillit të Jezu Krishtit dhe shkruaje secilin poshtë fazave të rritjes që ti ndien se e përfaqësojnë më mirë dëshminë tënde të tanishme në ato fusha.
Për shembull, një person mund të shkruajë “Jezu Krishti jeton” poshtë pemës frutore dhe “fuqia e priftërisë” poshtë farës. Ai person mund të shkruajë më pas aspekte të tjera të ungjillit të Shpëtimtarit, si “një profet i gjallë”, “puna në tempull”, “Libri i Mormonit” dhe “lutja”, poshtë fazave të rritjes që përfaqësojnë dëshminë e tij ose të saj në secilën nga ato fusha.
Bëje një plan për mënyrën se si do të përpiqesh t’i zbatosh mësimet e Almës në jetën tënde. Mund të mendosh për atë që mund të bësh për të “bë[rë] vend” në zemrën dhe jetën tënde që një aspekt i dëshmisë tënde të çelë. Mund të marrësh parasysh gjithashtu se si mund t’i “ushqesh” pjesët e dëshmisë sate që kanë filluar tashmë të rriten. Mbaji shënim mendimet, përshtypjet dhe synimet e tua në ditarin tënd të studimit.