Seminari
Alma 32: “Forcojeni Besimin Tuaj”


“Alma 32: ‘Forcojeni Besimin Tuaj’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 32”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 32

“Forcojeni Besimin Tuaj”

një dorë duke mbajtur një farë

Shumë sende të ndryshme mund të përdoren për të na ndihmuar ta kuptojmë ungjillin e Jezu Krishtit. Ndërsa Alma u dha mësim zoramitëve, ai e krahasoi fjalën e Perëndisë me një farë që ne mund ta mbjellim në zemrat tona, që në fund të mund të bëhet “një pemë që do të rritet, deri në jetën e përjetshme” (Alma 32:41). Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë ta mbjellësh fjalën e Perëndisë në zemrën tënde dhe ta ushqesh dëshminë tënde me të.

Jepni mësim për natyrën e shenjtë të përvojave shpirtërore. Kujtojuni nxënësve natyrën e shenjtë të përvojave shpirtërore. Nxënësit nuk duhet të ndihen asnjëherë të detyruar t’i tregojnë ndjenjat ose përvojat e tyre. Nxitini ata t’i tregojnë përvojat e tyre vetjake siç duhet kur nxiten nga Shpirti.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta pyesin një njeri të dashur për ta që ka një dëshmi për ungjillin e Jezu Krishtit se çfarë e ka ndihmuar ta marrë ose forcojë atë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Krahasimet

Paraqitini fjalitë e paplota vijuese. Mund të zgjidhni fjali të ndryshme që do të jenë me interes për nxënësit tuaj, por merreni parasysh të përdorni krahasimin e fundit për të ndihmuar në kalimin te përmbajtja e mësimit.

Bërja e krahasimeve mund të jetë një mënyrë e efektshme për ta dhënë mësim dhe për ta mësuar ungjillin e Jezu Krishtit. Plotësoji vendet bosh vijuese. Ji krijues dhe shih a ka më shumë se një mënyrë se si mund t’i plotësosh fjalitë.

  • Jeta është si për shkak se .

  • Telefonat inteligjentë janë si për shkak se .

  • Marrja e një dëshmie është si për shkak se .

Ndërsa Alma dhe Amuleku po shërbenin mes zoramitëve, një grup njerëzish shprehën shqetësim se nuk mund ta adhuronin Perëndinë meqë ishin dëbuar nga vendet e tyre të adhurimit për shkak të varfërisë së tyre (shih tek Alma 32:5). Ndonëse e dimë se Zoti ka dhënë qartësisht mësim për rëndësinë e frekuentimit të Kishës së Tij në Shabat, Alma u përgjigj duke u dhënë mësim atyre që nuk u lejohej ta frekuentonin Kishën të vërteta të rëndësishme rreth adhurimit që mund të ndodhë në zemrat tona pavarësisht nga vendndodhja jonë fizike.

Lexoje fjalinë e parë tek Alma 32:28, më pas lexoje vargun 41 dhe kërko një krahasim që Alma e përdori, që mund të gjejë zbatim edhe për ty.

  • Çfarë ngjashmërish sheh ndërmjet rritjes së një peme frutore nga një farë dhe rritjes së dëshmisë sate për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij?

Nëse nxënësit janë të pasigurt se çfarë është një dëshmi, ndihmojini ata të kuptojnë se është “njohuri dhe një dëshmi shpirtërore e dhënë me anë të Frymës së Shenjtë” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dëshmi”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).

Krahasimi i fjalës së Perëndisë nga Alma me një farë mund të zbatohet për marrjen e një dëshmie për cilindo aspekt të ungjillit. Megjithatë, Alma shpjegoi më vonë se ai shpresonte që ata zoramitë do ta mbillnin në zemrat e tyre një dëshmi për Jezu Krishtin (shih tek Alma 33:22–23).

  • Përse është besimi te Shpëtimtari një “farë” kaq e rëndësishme për ta mbjellë në zemrën tënde?

Gjeje një çast për të menduar rreth forcës së tanishme të dëshmisë sate të përgjithshme për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij. Gjithashtu, përsiat nëse ka aspekte të veçanta të dëshmisë sate që do të doje t’i forcoje, si dashuria e Atit Qiellor për ty ose realiteti i Vegimit të Parë të Jozef Smithit. Ndërsa vazhdon të studiosh sot, kërko të vërteta që mund të të ndihmojnë ta kuptosh më mirë se si ta fitosh ose forcosh dëshminë tënde.

ikona e fletushkës Merreni parasysh t’i ndani nxënësit në grupe të vogla dhe t’i jepni secilit nxënës një kopje të fletushkës vijuese. Ftojini nxënësit t’i lexojnë dhe diskutojnë materialet poshtë kreut “Mbjellja e farës” së bashku si grup. Mund të jetë e dobishme ta caktoni një nxënës nga secili grup që të jetë drejtuesi i diskutimit.

Më pas, mund t’i përzieni grupet dhe t’i vini nxënësit t’i diskutojnë materialet poshtë kreut “Ushqyerja e farës” me grupin e tyre të ri.

Mbjellja dhe Ushqyerja e Fjalës së Perëndisë në Zemrat Tona

Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024) – “Alma 32: ‘Forcoj[eni] Besimin Tuaj’”

Mbjellja e farës

Lexo tek Alma 32:21–23, 26–30 dhe shenjoji fjalët dhe frazat që të ndihmojnë ta kuptosh se si të fillosh ta rritësh një dëshmi.

Tregoja grupit tënd fjalët dhe frazat që të bënë përshtypje dhe pse. Pastaj diskutojini pyetjet vijuese:

  • Çfarë mendon se do të thotë të “bë[sh] vend” në zemrën tënde për Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij?

  • Çfarë mund t’ua bëjë të vështirë njerëzve që ta bëjnë këtë?

  • Sipas vargjeve 28–30, çfarë mund të ndodhë kur ne bëjmë vend në zemrat tona për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij?

Shkruaje një përmbledhje me një fjali të asaj që mësove nga këto vargje rreth ndihmesës ndaj dëshmisë sate në fazat e saj fillestare.

Ushqyerja e farës

Alma dha mësim se mbjellja e farës dhe zbulimi se është e mirë, është vetëm pjesa e parë e rritjes së një dëshmie. Lexo tek Alma 32:37–43, duke kërkuar mësimet që të ndihmojnë të kuptosh se si ta ndihmosh një dëshmi të vazhdojë të rritet.

Tregoja grupit tënd fjalët dhe frazat që të bënë përshtypje dhe pse. Pastaj diskutojini pyetjet vijuese:

  • Çfarë mësove nga vargjet 38–40 rreth asaj që ndodh nëse ne e lëmë pas dore fjalën e Perëndisë që është rritur në zemrat tona?

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si dikush mund ta lërë pas dore dëshminë e tij ose të saj për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij?

  • Cilat janë disa mënyra se si ti mund ta ushqesh dëshminë tënde për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij për të të ndihmuar të bëhet më i fortë?

Shkruaje një përmbledhje me një fjali të asaj që mësove nga këto vargje rreth forcimit të një dëshmie që po rritet tashmë brenda teje.

Pasi nxënësit të kenë mbaruar së studiuari dhe diskutuari vargjet e mëparshme me grupet e tyre, bëni një diskutim në orën mësimore rreth asaj që ata kanë mësuar. Ju mund të zgjidhni disa prej pyetjeve nga fletushka për t’i diskutuar si klasë për t’u siguruar që nxënësit i kuptojnë konceptet e dhëna mësim në këto vargje. Ftojini disa nxënës t’i tregojnë përmbledhjet e tyre me një fjali nga secila pjesë e fletushkës.

Si pjesë e këtij diskutimi, sigurohuni që të përmenden të vërteta të ngjashme me ato në vijim: Nëse bëjmë vend në zemrat tona për Jezu Krishtin dhe mësimet e Tij, atëherë dëshmia jonë do të fillojë të rritet (shih tek Alma 32:28–30); Ndërsa e ushqejmë me zell fjalën e Perëndisë në zemrat tona, dëshmia jonë për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij do të vazhdojë të rritet (shih tek Alma 32:37, 40–42).

Dëshmia jote

Për të të ndihmuar të shohësh se si lidhet krahasimi i Almës me dëshminë tënde për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij, vizato një diagram si ai në vijim në ditarin tënd të studimit. Shtrije vizatimin tënd nëpër të gjithë faqen në mënyrë që të ketë vend për të shkruar poshtë çdo faze të rritjes.

Paraqitini ose vizatojini këto figura në tabelë që nxënësit t’i kopjojnë në ditarin e tyre të studimit.

fazat e rritjes së një peme frutore

Gjeje një çast për ta krahasuar dëshminë tënde për Shpëtimtarin dhe mësimet e Tij me rritjen e një peme frutore. Zgjidhi disa aspekte të ungjillit të Jezu Krishtit dhe shkruaje secilin poshtë fazave të rritjes që ti ndien se e përfaqësojnë më mirë dëshminë tënde të tanishme në ato fusha.

Për shembull, një person mund të shkruajë “Jezu Krishti jeton” poshtë pemës frutore dhe “fuqia e priftërisë” poshtë farës. Ai person mund të shkruajë më pas aspekte të tjera të ungjillit të Shpëtimtarit, si “një profet i gjallë”, “puna në tempull”, “Libri i Mormonit” dhe “lutja”, poshtë fazave të rritjes që përfaqësojnë dëshminë e tij ose të saj në secilën nga ato fusha.

Merreni parasysh ta përdorni vizatimin në tabelë për të treguar rritjen e një pjese të dëshmisë suaj nga një farë në një pemë. Bëni kujdes të mos përdorni shembuj të rrallë me të cilët nxënësit mund ta kenë të vështirë të bëjnë lidhjen me veten. Ndihmojini ata të kuptojnë se rritja e qëndrueshme përmes përvojave me Shpirtin çon në rritje të besimit dhe në një dëshmi më të fortë me kalimin e kohës. Mund t’i ftoni gjithashtu nxënësit të tregojnë një proces të ngjashëm për një pjesë të dëshmisë së tyre.

Bëje një plan për mënyrën se si do të përpiqesh t’i zbatosh mësimet e Almës në jetën tënde. Mund të mendosh për atë që mund të bësh për të “bë[rë] vend” në zemrën dhe jetën tënde që një aspekt i dëshmisë tënde të çelë. Mund të marrësh parasysh gjithashtu se si mund t’i “ushqesh” pjesët e dëshmisë sate që kanë filluar tashmë të rriten. Mbaji shënim mendimet, përshtypjet dhe synimet e tua në ditarin tënd të studimit.