Seminari
Alma 37–38: “Mëso në Rininë Tënde”


“Alma 37–38: ‘Mëso në Rininë Tënde’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Alma 37–38”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Alma 37–38

“Mëso në Rininë Tënde”

Pamja
atë e bir duke lexuar

Cilat janë disa mësime që ke marrë nga prindërit apo udhëheqësit e Kishës? Cilat janë disa gjëra që ti shpreson t’ua mësosh fëmijëve të tu një ditë? Alma e kuptoi se prindërit kanë një përgjegjësi të shenjtë për t’u dhënë mësim fëmijëve të tyre. Pas misionit të tij te zoramitët, Alma i mblodhi djemtë e tij për t’u dhënë mësim dhe për t’i nxitur ata. Ai i këshilloi t’i zbatonin urdhërimet e Perëndisë. Ky mësim mund të të ndihmojë të mësosh se të jetuarit e urdhërimeve tani do të të bekojë gjatë gjithë jetës sate.

Udhërrëfejini nxënësit që të veprojnë sipas zbulesës vetjake. Në vend që t’u thoni nxënësve se çfarë duhet të bëjnë, merreni parasysh ta pyetni veten: “Çfarë mund t’i ftoj nxënësit të bëjnë që do t’i nxitë ata ta kërkojnë ndihmën e Frymës së Shenjtë ndërsa mësojnë vetë?” ose “Çfarë mund t’i ftoj nxënësit të bëjnë për të vepruar sipas nxitjeve që po marrin?”

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta lexojnë ose mësojnë përmendsh vargun tek Alma 37:35 dhe të vijnë në klasë të përgatitur për të treguar se përse ata mendojnë se është e rëndësishme që të “mëso[jnë] në rininë [e tyre] të zbato[jnë] urdhërimet e Perëndisë”.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Këshilla nga një prind

Tregojuani nxënësve tuaj historinë vijuese, ose jepuni një shembull më të përshtatshëm për këshillën që një i ri mori nga një prind ose udhëheqës i Kishës.

Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) tregoi historinë vijuese:

“Në një intervistë të botuar në një revistë kombëtare, lojtarit të mirënjohur të basketbollit të kolegjeve amerikane, Xhabari Parkër, anëtar i Kishës, iu bë pyetja që të tregonte këshillën më të mirë që kishte marrë nga babai i tij. Xhabari u përgjigj: ‘[Babai im] tha: ‘Thjesht të jesh në errësirë i njëjti njeri që je në dritë’.’ Këshillë e rëndësishme, vëllezër, për ne të gjithë.” (Tomas S. Monson, “Ji i Fortë dhe Guximtar”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 68)

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të përsiatin për pyetjet vijuese. Pas një kohe të mjaftueshme, vendosini nxënësit në dyshe ose në grupe të vogla dhe ftojini ata t’i tregojnë përgjigjet e tyre për pyetjet.

Përfytyro sikur po të intervistojnë dhe intervistuesi të bën pyetjet vijuese:

  • Cila është këshilla më e mirë që ke marrë nga një prind ose udhëheqës i Kishës?

  • Si të ka bekuar kjo këshillë?

Alma 36–42 shënon këshillën që Alma u dha djemve të tij pasi kreu misionin e tij te zoramitët. Ti e ke studiuar tashmë pjesën më të madhe të asaj që ai i dha mësim djalit të tij, Helamanit (Alma 36–37). Në këtë mësim, ti do të studiosh pjesën tjetër të këshillës së tij ndaj Helamanit, plus parimet që ai i dha mësim djalit të tij, Shiblonit (Alma 38). Ndërsa studion tek Alma 37–38, kërko këshilla nga Alma, që mund t’i përdorësh në jetën tënde ose t’ua japësh të rinjve të tjerë.

“Mëso urtësi në rininë tënde”

Lexo tek Alma 37:35, duke kërkuar atë që Alma donte që Helamani të mësonte në rini. Merre parasysh ta shenjosh atë që gjen.

  • Çfarë donte Alma që të dinte dhe bënte Helamani?

    Ndërsa nxënësit përgjigjen, nëse doni, mund ta shkruani këtë në tabelë: Ne duhet të mësojmë në rininë tonë t’i zbatojmë urdhërimet e Perëndisë.

  • Si mendon, pse është më mirë të “mëso[sh] në rininë tënde të zbatosh urdhërimet e Perëndisë” sesa të presësh derisa të jesh më i rritur?

Pamja
fidan i mbështetur në shkopinj

Presidenti Gordon B. Hinkli (1910–2008) tregoi përvojën vijuese rreth mbjelljes së një peme:

“E vendosa [pemën] në një vend në qoshe ku era nga gryka e thellë në lindje frynte më fort. Bëra një gropë, vendosa rrënjët e njoma, vendosa dhe rreth saj, e ujita me ujë dhe për një kohë të gjatë e harrova atë. Ishte thjesht një pemë e vogël, ndoshta me një diametër 2 centimetra. Ishte aq delikate saqë mund ta përkulja me lehtësi në çfarëdo drejtimi. I kushtova pak vëmendje ndërsa vitet kaluan.

Më pas një ditë dimri … vura re se ajo anonte nga perëndimi, e shtrembër dhe pa baraspeshë. … Dola jashtë dhe u mbërtheva pas saj sa ta shtyja drejt. Por trungu tani kishte një diametër pothuaj 30 centimetra. Forca ime nuk llogaritej para saj. Mora nga veglat e mia një makara. E lidha njërin fund te pema dhe fundin tjetër në një vend të fortë. E tërhoqa litarin. Makaraja lëvizi fare pak dhe trungu i pemës u lëkund pak. Por kjo ishte e gjitha. …

Përfundimisht, me dëshpërim, mora sharrën dhe e preva degën e madhe dhe të rëndë nga ana e perëndimit. [Sharra la] një shenjë të stërmadhe rreth 20 centimetra përmes. Bëra prapa dhe e studiova atë që kisha bërë. Kisha prerë një pjesë të madhe të pemës, duke lënë … vetëm një degëz që rritej e drejtuar nga qielli. …

Kur pema u mboll fillimisht, një copë spangoje do ta kishte mbajtur në vend kundrejt forcave të erës. Unë mund ta kisha vendosur dhe duhej ta kisha pajisur me atë spango me shumë pak përpjekje, por nuk e bëra. Dhe ajo u përkul nga forcat që erdhën kundër saj.” (Gordon B. Hinckley, “Bring Up a Child in the Way He Should Go”, Ensign, nëntor 1993, f. 59; Mësime të Presidentëve të Kishës: Gordon B. Hinkli, f. 176–177)

  • Si mund të jetë zbatimi i urdhërimeve si mbështetja e një fidani në mënyrë që të rritet drejt dhe i fortë pavarësisht erës?

  • Si mund të ndikojë te ne shpërfillja e urdhërimeve kohë më vonë në jetë?

Për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë të vërtetën e dhënë mësim tek Alma 37:35, merreni parasysh t’i vendosni ata në grupe të vogla dhe t’i ftoni të krijojnë dy skenarë realistë: një në të cilin dikush përpiqet t’i zbatojë urdhërimet e Perëndisë në rininë e vet dhe një tjetër në të cilin dikush nuk i zbaton ato. Nxënësit mund të përfshijnë mënyrën se si njerëzit përpiqen t’i jetojnë ose të mos i jetojnë urdhërime të caktuara si dashuria për Perëndinë, studimi i shkrimeve të shenjta ose bindja ndaj Fjalës së Urtësisë. Vërini ata të përfshijnë mënyrën se si këta dy njerëz mund të jenë ndryshe pas pesë deri në 10 vjetësh. Ftojini nxënësit t’i tregojnë skenarët e tyre dhe atë që mësuan.

Merreni parasysh t’u kujtoni nxënësve përvojat e Almës kur ishte i ri. Pyetini: “Si mendoni, përse Alma ia dha këtë këshillë djalit të tij?”

Merre parasysh të shohësh materialin filmik [“Mbajtja e Premtimeve dhe Besëlidhjeve Tona” nga kodi kohor 7:29 deri në 8:35, në dispozicion në https://www.churchofjesuschrist.org/study/general-conference/2019/10/29rasband?lang=alb]. Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, tregoi se si ai vendosi t’i zbatonte urdhërimet e Perëndisë në rininë e tij.

Gjej disa minuta për të shkruar në ditarin tënd të studimit atë që po mëson rreth zbatimit të urdhërimeve të Perëndisë. Kërko me lutje të dish se si je bekuar për mënyrat se si i zbaton urdhërimet.

Pyetni a do të donte ndonjë nxënës të dilte vullnetar për t’i treguar mendimet dhe ndjenjat e veta. Merreni parasysh t’i shprehni mendimet dhe ndjenjat tuaja gjithashtu.

Merre parasysh të vendosësh një synim për një mënyrë se si do të doje ta përmirësoje bindjen tënde ndaj urdhërimeve të Zotit tani që je në rininë tënde. Kërko udhërrëfim nga Fryma e Shenjtë ndërsa e vendos këtë synim.

Këshilla për rininë

Alma u dha bijve të tij këshilla shtesë që mund të jenë të dobishme për ne.

Studioji fragmentet në vijim të shkrimit të shenjtë. Merre parasysh ta shenjosh këshillën që ti e ndien se do të ishte e dobishme për rininë sot, duke përfshirë veten tënde. Përgatiti përgjigjet e tua për pyetjet më poshtë.

  1. Alma 37:33–37 (“të bindur dhe të përvuajtur në zemër” = të përulur, të mësueshëm, të drejtë)

  2. Alma 38:1–5 (“të dëbohesh nga prania e tij” = fizikisht ose shpirtërisht të ndarë nga Perëndia)

  3. Alma 38:6–9 (“lindur nga Perëndia” = Shpirti i Zotit shkakton një ndryshim të madh në zemrën e personit)

  4. Alma 38:10–15 (“i përmbajtur” = që tregon përkore ose vetëkontroll; “arrogan[cë]” = sjellje mbizotëruese; “frenosh” = kontrollon)

  • Cila është një gjë që Alma donte që ta bënin ose dinin djemtë e tij? Në cilin varg e gjete atë?

  • Si mund ta ndihmojë një të ri njohja ose ndjekja e këtij parimi që ta ndjekë Jezu Krishtin më mirë?

  • Si mund të gjejë zbatim ky mësim në jetën e një të riu? A të vjen në mend ndonjë shembull kur ti e ke parë atë të zbatuar në jetën tënde? (Ju lutemi të mos tregoni asnjë gjë tepër vetjake.)

Pasi nxënësit t’u jenë përgjigjur pyetjeve, merreni parasysh t’u kërkoni atyre të ulen në rreth në mënyrë që të mund ta shohin njëri-tjetrin ndërsa e diskutojnë këshillën e Almës si klasë. Ftoni sa më shumë nxënës që të jetë e mundur të tregojnë atë që gjetën. Nxitini të gjithë nxënësit të dëgjojnë me kujdes dhe të mësojnë nga njëri-tjetri. Merreni parasysh të ndaloni herë pas here për t’i pyetur nxënësit se çfarë po mësojnë nga bashkëmoshatarët e tyre.

Shpenzo një çast duke përsiatur dhe mbaje shënim çdo mendim ose përshtypje rreth mënyrave të tjera se si mund ta zbatosh këshillën që e mësove sot. Për shembull, ti mund të mendosh për diçka që një prind ose udhëheqës i Kishës të nxiti kohët e fundit që të nisësh ose ta ndalosh së bëri. Ose nëse dëshiron, mund të këshillohesh me Zotin dhe të kërkosh drejtimin e Tij.

Shtyp në Letër