“Alma 39: ‘Vëru Kryq Këtyre Gjërave’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Alma 39”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Alma 39
“Vëru Kryq Këtyre Gjërave”
Gjatë gjithë kohës, Satani i ka shtyrë shumë njerëz të besojnë se marrëdhëniet seksuale jashtë martese janë të pranueshme. Ati Qiellor dhe Jezu Krishti na e kanë dhënë ligjin e dëlirësisë për mbrojtjen, paqen dhe lumturinë tonë. Profeti Alma e këshilloi me dashuri birin e tij, Koriantonin që t’i braktiste dhe të pendohej për mëkatet e tij, duke përfshirë një shkelje të ligjit të dëlirësisë. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh seriozitetin e mëkatit seksual dhe se si ta kundërshtosh tundimin për ta shkelur ligjin e dëlirësisë.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Ligji i dëlirësisë
Lexoji thëniet vijuese dhe përcakto se cila prej tyre në vijim i përfaqëson më mirë ndjenjat e tua:
-
Nuk jam dakord
-
Nuk jam dakord më së shumti
-
Jam dakord më së shumti
-
Jam dakord
-
Të rinjtë në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme e kuptojnë me qartësi ligjin e dëlirësisë ose ligjin e Zotit për pastërtinë seksuale.
-
Ata e kuptojnë përse ka rëndësi dhe përse Zoti do që ne ta jetojmë atë.
-
Mund të jetë e vështirë ta zbatosh ligjin e dëlirësisë në botë sot.
-
Të rinjtë në Kishë e dinë se si ta kundërshtojnë tundimin dhe ta mbajnë veten të pastër nga ana seksuale.
Ligji i dëlirësisë është ligji i Zotit për pastërtinë seksuale. T’i bindesh ligjit të dëlirësisë do të thotë që ta mbash veten të pastër në mendim, fjalë dhe veprim, duke përfshirë të qëndrosh larg çdo gjëje pornografike. Ai do të thotë gjithashtu ta shmangësh çdo marrëdhënie seksuale para martese dhe të jesh plotësisht besnik ndaj bashkëshortes ose bashkëshortit gjatë martesës. “Ashtu si dhunimet e tjera të ligjit të dëlirësisë, veprimtaria homoseksuale është një mëkat i rëndë. Ajo është në kundërshtim me qëllimet e tërheqjes seksuale njerëzore” (Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Chastity” [“Dëlirësia”], topics.ChurchofJesusChrist.org).
Gjeje një çast për të përsiatur për kuptueshmërinë dhe ndjenjat e tua rreth ligjit të dëlirësisë. Çfarë pyetjesh ke? Përse ka rëndësi për ty? Me çfarë tundimesh përballesh në lidhje me dëlirësinë? Ndërsa e studion këtë mësim, kërko përgjigje për pyetjet e tua dhe ndihmë për t’i mposhtur tundimet e tua.
Alma këshillon birin e tij, Koriantonin
Alma 39 është i pari nga katër kapitujt që përmbajnë këshilla, urdhërime dhe mësime nga Alma për birin e tij, Koriantonin. Koriantoni e kishte shoqëruar të atin dhe vëllanë e tij, Shiblonin, për t’u predikuar ungjillin zoramitëve. Megjithatë, gjatë këtij misioni, Koriantoni kreu disa mëkate të rënda.
Lexo tek Alma 39:1–5, duke kërkuar gabimet që bëri Koriantoni dhe se si u ndien Alma dhe Zoti për to. (Fjala grua e përdalë te vargu 3 i referohet një gruaje të pamoralshme ose prostitute.)
Për të të ndihmuar të përsiatësh se përse shkelja e ligjit të dëlirësisë është “brengos[ëse]” për një baba dhe profet (Alma 39:3) dhe një “neveri në pamjen e Zotit” (Alma 39:5), mund të jetë e dobishme t’i kuptosh bekimet prej zbatimit të tij. Lexo për bekimet dhe fuqinë tek “Të jetuarit e ligjit të dëlirësisë” në faqen 26 te materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (broshurë, 2022).
-
Si na përgatit zbatimi i ligjit të dëlirësisë që të marrim bekime të mëdha nga Zoti në këtë jetë dhe në tjetrën?
-
Çfarë do të ndodhë nëse një person nuk pendohet për mëkatin seksual? (Alma 39:7–9)
-
Cila është një pasojë shpesh e anashkaluar e shkeljes së ligjit të dëlirësisë? (Alma 39:11–13)
-
Bazuar në atë që mësove, pse mundet një prind, profet dhe Zoti të kenë ndjenja kaq të forta për dëlirësinë?
-
Si e tregon ligji i dëlirësisë dashurinë e Perëndisë për fëmijët e Tij?
“Mos shko më pas epsheve të syve të tua”
Përveç se i dha mësim të birit rreth seriozitetit të mëkatit seksual, Alma i dha mësim Koriantonit edhe se si ta shmangë bërjen e të njëjtave gabime në të ardhmen.
Shqyrtoje vargun tek Alma 39:9 dhe Alma 39:13, duke kërkuar fjalë ose fraza që mund të të ndihmojnë ta kundërshtosh tundimin dhe ta zbatosh ligjin e dëlirësisë. (Fraza “t’u vësh kryq” te vargu 9 do të thotë të ushtrosh vetëkontroll ose vetëzotërim.)
-
Çfarë parimi i mësoi Alma Koriantonit në këto vargje?
Një parim i mundshëm nga këto vargje është se ndërsa ushtrojmë vetëkontroll dhe kthehemi te Zoti, ne mund ta mposhtim tundimin për ta shkelur ligjin e Perëndisë për dëlirësinë.
Ushtrimi i vetëkontrollit dhe kthimi te Zoti për ta mposhtur tundimin mund të jetë i vështirë ndonjëherë. Mund të ndihmojë të mendosh për një larmi mënyrash për ta bërë këtë dhe më pas të ndjekësh nxitjet nga Shpirti rreth asaj që do të ishte më e dobishme për ty.
-
Lexoje pjesën tjetër të këshillës rreth pastërtisë seksuale te materiali Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve (shiko “pastërtia seksuale” te pjesa “Po për … ?”). Për këshillë shtesë nga anëtarët e Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, merre parasysh të lexosh “Personal Purity” (Jeffrey R. Holland, Ensign, nëntor 1998, f. 75–78) ose “Ne Besojmë në Qenien të Dëlirë” (Dejvid A. Bednar, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 41–44).
-
Gjej shkrime të shenjta që ti e ndien se mund të të forcojnë përballë tundimeve për ta shkelur ligjin e dëlirësisë. Ti mund të renditësh edhe himne ose këngë të Fillores që mund të duash t’u drejtohesh për forcë kur tundohesh.
-
Renditi mënyrat se si mund të përpiqesh të “kthehesh drejt Zotit” me “mendjen, fuqinë dhe forcën” tënde (Alma 39:13). Përfshije atë që ke bërë në të kaluarën që e ndien se të ka forcuar.
-
Shkruaje këshillën që ke marrë nga prindërit dhe udhëheqësit e Kishës që mund të të ndihmojë përballë tundimit.
-
Shikoje materialin filmik “Chastity: What are the Limits?” [“Dëlirësia: Cilët Janë Kufijtë?”] (3:59), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
3:59
Reflektimi vetjak
Gjeje një çast për të përsiatur pse dëshiron të qëndrosh i pastër nga ana seksuale. Më pas, mbaji shënim hapat që do të ndërmarrësh për t’iu bindur vazhdimisht ligjit të Zotit për dëlirësinë. Merre parasysh atë që Fryma e Shenjtë mund të të ketë frymëzuar të bësh dhe mbaje shënim çdo mendim tjetër në ditarin tënd të studimit. Nëse ti ose dikush që ti njeh e ka shkelur ligjin e dëlirësisë, kujtohu se Jezu Krishti ka “[ardhur] … për t’i marrë botës mëkatet” (Alma 39:15) dhe do t’i falë të gjithë ata që pendohen me sinqeritet dhe i braktisin mëkatet e tyre (shih te Mosia 26:30, Alma 39:9).