Seminari
3 Nefi 17–19: Vështrim i Përgjithshëm


“3 Nefi 17–19: Vështrim i Përgjithshëm”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“3 Nefi 17–19”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

3 Nefi 17–19

Vështrim i Përgjithshëm

Pasi i dha mësim turmës, Shpëtimtari lajmëroi se ishte koha që Ai të largohej. Sidoqoftë, lotët dhe dëshirimi i tyre që Ai të qëndronte pak më gjatë e prekën zemrën e Tij. Duke shfaqur dhembshuri në mënyrë të mrekullueshme, Ai i shëroi, u lut me ta dhe i bekoi fëmijët e tyre me radhë. Ai i udhëzoi rreth ordinancës së sakramentit dhe ua tregoi atyre se si të luteshin. Më pas u nis dhe, të nesërmen, turma u mblodh përsëri. Ata u pagëzuan dhe u mbushën me Frymën e Shenjtë dhe engjëjt u dhanë shërbesë atyre. Jezusi u shfaq edhe një herë dhe vazhdoi t’u jepte mësim atyre.

Përgatituni të Jepni Mësim

Informacioni i mëposhtëm u siguron ide mësuesve mbi ato që mund të nevojitet të përgatitin paraprakisht për çdo mësim.

3 Nefi 17

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit ta ndiejnë dhembshurinë që ka Jezu Krishti për ta.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për rastet kur kanë ndier mëshirë, dhembshuri ose dashuri nga Perëndia. Nxënësit mund të përgatiten të tregojnë se si këto përvoja ndikuan në marrëdhëniet e tyre me Të.

  • Materiale filmike: “Jezu Krishti dhe Engjëjt Japin Shërbesë me Dhembshuri” (11:59; shikojeni nga kodet kohore 0:12 deri në 1:30 dhe 1:30 deri në 11:45)

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Blloqet e shkrimeve të shenjta që nxënësit ta ushtrojnë përfytyrimin

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Për t’i ndihmuar nxënësit ta ushtrojnë përfytyrimin e asaj që bëri Shpëtimtari te 3 Nefi 17:7–25, ju mund të publikoni hallkat lidhëse të materialeve filmike me kode kohore. Nëse nxënësit dëshirojnë, ata mund t’ua heqin zërin mikrofonave dhe t’i fikin kamerat ndërkohë që i shohin këto materiale filmike. Pas një kohe të mjaftueshme, ftojini nxënësit të tregojnë se cilat çaste ishin më kuptimplota për ta.

3 Nefi 18:1–14

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit të kenë përvoja kuptimplota duke e kujtuar Shpëtimtarin ndërsa e marrin sakramentin.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të përsiatin se sa kuptimplota janë përvojat e tyre të sakramentit. Nxitini nxënësit të përsiatin se çfarë mund të bëjnë për t’i përmirësuar ato.

  • Material filmik: “Jezu Krishti i Paraqet Sakramentin Popullit” (10:49; shikojeni nga kodi kohor 0:12 deri në 6:12)

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Vlerësimi i vetes rreth sakramentit

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh ta përdorni funksionin e tabelës së bardhë për të krijuar tabelën rreth pasjes së një përvoje më kuptimplotë të sakramentit. Renditini përgjigjet e nxënësve në secilën anë të tabelës.

3 Nefi 18:15–39; 19:19–29

Qëllimi i mësimit: Ky mësim mund t’i ndihmojë nxënësit t’i ndjekin mësimet dhe shembullin e Jezu Krishtit për t’u lutur gjithmonë dhe për të pasur lutje më kuptimplota.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit ta lexojnë ose dëgjojnë bisedën e Presidentit M. Rasëll Ballard “Prandaj Rrini Zgjuar dhe Lutuni Kurdoherë” (Ensign ose Liahona, nëntor 2020, f. 77–79), duke kërkuar për të vërteta që mund t’i ndihmojnë ata me lutjet e tyre vetjake.

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Fjalia vijuese e shkruar në tabelë: Po të doja të mësoja rreth , do të ndiqja shembullin e sepse .

  • Material filmik: “Dishepujt Japin Shërbesë dhe Jezu Krishti Lutet për Njerëzit” (7:30; shikojeni nga kodi kohor 3:05 deri në 7:18)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Ftojini nxënësit ta përdorin funksionin e bisedës për t’i plotësuar fjalitë “Unë mund t’i ndjek mësimet e Shpëtimtarit për lutjen duke …” dhe “Unë mund ta ndjek shembullin e Shpëtimtarit në lutje duke …”

3 Nefi 19

Qëllimi i mësimit: Qëllimi i këtij mësimi është t’i ndihmojë nxënësit ta kuptojnë më mirë se si t’i marrin bekimet e Frymës së Shenjtë.

  • Përgatitja e nxënësve: Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të studiojnë pjesën “Dishepujt e Jezu Krishtit e kërkojnë dhuratën e Frymës së Shenjtë” në përvijimin e studimit për kapitujt nga 3 Nefi 17–19 tek Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 dhe të vijnë të përgatitur për të treguar se çfarë mësuan dhe ndien ndërsa e bënë këtë.

  • Material filmik: “Having the Holy Ghost” [“Pasja e Frymës së Shenjtë”] (2:56)

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh ta caktoni gjysmën e nxënësve të bëjë veprimtarinë A dhe gjysmën tjetër të bëjë veprimtarinë B. Kërkojuni nxënësve të përgatiten t’ia tregojnë një shoku të klasës atë që mësojnë. Pas një kohe të mjaftueshme për të studiuar, vendosini nxënësit në dhoma virtuale të ndara në mënyrë që t’i japin mësim njëri-tjetrit. Nëse është e mundur, grupojini në dyshe ata nxënës që studiuan veprimtari të ndryshme.

Përsëritja 20 e Zotërimit Doktrinor

Qëllimi i mësimit: Ky mësim do t’u japë nxënësve një mundësi për t’i mësuar përmendsh referencat e zotërimit doktrinor dhe frazat e tyre kyç të shkrimit të shenjtë dhe madje të mësojnë përmendsh fragmente të plota.

  • Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit t’i shqyrtojnë 12 fragmentet e fundit të zotërimit doktrinor të Librit të Mormonit dhe ta zgjedhin njërin (ose disa fraza kyç të shkrimit të shenjtë) që ata e ndiejnë se do të ishte i dobishëm ta mësonin përmendsh. Kërkojuni atyre të vijnë të përgatitur për t’i treguar rrethanat në të cilat mësimi përmendsh i këtij fragmenti (ose këtyre frazave) mund t’i ndihmojë dhe përse.

  • Përmbajtje për t’u paraqitur: Tabela e referencave të zotërimit doktrinor nga Alma deri te Moroni

  • Sugjerim për mësimdhënien me videokonferencë: Merreni parasysh t’i vendosni nxënësit në dhoma virtuale të ndara për të ushtruar mësimin përmendsh të shkrimeve të shenjta të zotërimit doktrinor. Një mënyrë se si mund të ushtrohen është ta përsëritin frazën kyç të shkrimit të shenjtë ose të gjithë fragmentin duke i ndryshuar fjalët.