Seminari
3 Nefi 17: “Kam Dhembshuri për Ju”


“3 Nefi 17: ‘Kam Dhembshuri për Ju’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“3 Nefi 17”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

3 Nefi 17

“Kam Dhembshuri për Ju”

Krishti duke shëruar një grua

Kishte qenë një ditë e gjatë për turmën e nefitëve kur Shpëtimtari lajmëroi se ishte koha që Ai të largohej. Megjithatë, lotët dhe dëshirimi i turmës që Ai të qëndronte edhe pak më gjatë e prekën zemrën e Tij. Duke shfaqur dhembshuri në mënyrë të mrekullueshme, Ai i shëroi, u lut me ta dhe i bekoi fëmijët e tyre me radhë. Ky mësim mund të të ndihmojë ta ndiesh dhembshurinë që ka Jezu Krishti për ty.

Përdorimi i materialeve filmike për Librin e Mormonit. Materialet filmike për Librin e Mormonit kanë për qëllim t’i ndihmojnë nxënësit të kenë përvoja kuptimplota me tekstin. Këto materiale filmike nuk kanë për qëllim ta zëvendësojnë leximin e shkrimit të shenjtë. Përcaktojeni me urtësi se kur dhe se si t’i përdorni materialet filmike për t’i përmirësuar përvojat e nxënësve me shkrimet e shenjta.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për rastet kur kanë ndier mëshirë, dhembshuri ose dashuri nga Perëndia. Nxënësit mund të përgatiten të tregojnë se si këto përvoja ndikuan në marrëdhëniet e tyre me Të.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Perceptimi i Shpëtimtarit

Imagjino sikur sapo ke kaluar një ditë me Shpëtimtarin dhe Ai ka lajmëruar se është koha që të largohet.

Për t’i ndihmuar nxënësit ta përfytyrojnë këtë ngjarje, mund ta shfaqni materialin filmik “Jezu Krishti dhe Engjëjt Japin Shërbesë me Dhembshuri” (11:59), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org, nga kodi kohor 0:12 deri në 1:30.

11:60
  • Si mund të ndihesh në këtë situatë?

Ndihmojini nxënësit ta kujtojnë atë që mësuan rreth Shpëtimtarit nga 3 Nefi 11–16. Ata mund ta shqyrtojnë atë që shkruan në ditarët e tyre të studimit nën kreun “Të mësuarit rreth Jezu Krishtit te 3 Nefi”.

Para se t’i përgjigjen pyetjes vijuese, mund të jetë e dobishme t’u kërkoni nxënësve t’i renditin në tabelë foljet që e përshkruajnë atë që bëri Shpëtimtari.

  • Si e treguan veprimet e Shpëtimtarit dashurinë e Tij për nefitët?

Sot ti do të lexosh më shumë rreth mënyrës se si e tregoi Shpëtimtari dhembshurinë e Tij të përzemërt midis nefitëve. Ndërsa studion, mendo se si veprimet e Tij japin mësim rreth karakterit të Tij. Kushtoji vëmendje mënyrës se si ndihesh rreth Tij.

Mund të jetë e dobishme të dish se të gjitha ngjarjet e shënuara tek 3 Nefi 11–17 ndodhën në një ditë.

Lexoji vargjet tek 3 Nefi 17:1–6, duke kërkuar se çfarë mund të mësosh rreth Jezu Krishtit nga fjalët dhe veprimet e Tij.

  • Çfarë gjete në këto vargje?

Nxënësit mund të zbulojnë një parim të ngjashëm me atë në vijim: Duke përsiatur dhe iu lutur Atit, ne i përgatitim mendjet tona për të marrë kuptueshmëri më të madhe.

Nëse do të donit të bënit më shumë me këtë parim, shihni pjesën “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit”.

Ti mund të kesh përcaktuar një të vërtetë të ngjashme me atë në vijim: Jezu Krishti është i mbushur me dhembshuri ndaj meje. Merre parasysh ta shënosh këtë të vërtetë afër vargut 6.

Plaku Ulises Soares, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim:

“Është domethënëse të vërejmë se veprimet plot dhembshuri të Jezusit nuk ishin shfaqje rastësore ose të detyruara, nisur nga një listë detyrash për t’u kryer, por shprehje të përditshme të realitetit të dashurisë së Tij të kulluar për Perëndinë dhe fëmijët e Tij dhe të dëshirës së Tij jetëgjatë për t’i ndihmuar ata.” (Ulises Soares, “Dhembshuria Jetëgjatë e Shpëtimarit”, Liahona, nëntor 2021, f. 14)

  • Me fjalët e tua, çfarë po na mëson Plaku Soares lidhur me dhembshurinë e Shpëtimtarit?

Dhembshuria e Shpëtimtarit

Pjesa tjetër e kapitullit tek 3 Nefi 17 tregon natyrën e dhembshur të Shpëtimtarit. Kujtohu se ajo që bëri Jezu Krishti tek 3 Nefi 17 ndodhi për shkak se Ai i perceptoi dëshirat e drejta të nefitëve dhe dëshiroi me sinqeritet të rrinte me ta dhe t’i bekonte.

Qëllimi i veprimtarisë vijuese është t’i ndihmojë nxënësit të zhvillojnë dashuri më të madhe për Shpëtimtarin nëpërmjet përfytyrimit të natyrës së Tij të dhembshur. Nxënësit mund ta kenë ushtruar këtë aftësi ndërkohë që studiuan kapitullin tek 3 Nefi 11. Përsëritja e kësaj aftësie mund t’i ndihmojë nxënësit ta rritin kapacitetin e tyre për ta përdorur atë.

Paraqitini pyetjet dhe fragmentet vijuese. Ftojini nxënësit të përzgjedhin se cilin fragment do të donin ta studionin dhe më pas kërkojuni atyre të reflektojnë mbi pyetjet ndërsa studiojnë. Nxënësit mund t’u përgjigjen këtyre pyetjeve në ditarët e tyre të studimit nën kreun “Të mësuarit rreth Jezu Krishtit tek 3 Nefi”.

Merreni parasysh t’i lejoni nxënësit të zgjedhin të studiojnë vetëm ose në heshtje me një partner.

  • Cili çast do të kishte qenë më i veçantë për ty? Përse?

  • Çfarë të bëri përshtypje rreth mënyrës se si Jezusi dha shërbesë?

  • Si ndikojnë fjalët dhe veprimet e Tij në mënyrën se si ndihesh për Të?

11:60

Merreni parasysh t’i shfaqni pyetjet e mëposhtme dhe t’u jepni nxënësve kohë për të menduar rreth tyre para se të përgjigjen.

  • Po të kishe qenë atje, si do të ndikonte kjo përvojë në marrëdhënien tënde me Shpëtimtarin Jezu Krisht?

  • Si mendon se tregon Jezu Krishti dhembshuri për ne sot?

  • Çfarë ndien shtysën të bësh për ta shprehur dashurinë tënde për Jezu Krishtin?

Nëse koha e lejon, merreni parasysh të këndoni një himn për dashurinë dhe dhembshurinë e Shpëtimtarit. Disa shembuj përfshijnë “Jezus, Vet’ Mendimi për Ty” (Himne, nr. 79), “Shpëtimtar i Shtrenjt’, i Dashur” (Himne, nr. 54) dhe “Dashuria e Shpëtimtarit Tonë” (Himne, nr. 59).

Sipas rastit, ftojini nxënësit ta tregojnë atë që ndien gjatë mësimit të sotëm. Nxitini ata të vazhdojnë të kërkojnë prova të dashurisë së Shpëtimtarit në jetën e tyre.