Seminari
3 Nefi 20–22: “Unë Do Ta Mbledh Popullin Tim Tok”


“3 Nefi 20–22: ‘Unë Do Ta Mbledh Popullin Tim Tok’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“3 Nefi 20–22”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

3 Nefi 20–22

“Unë Do Ta Mbledh Popullin Tim Tok”

Jezu Krishti me krahë të hapur

A të vjen ndër mend një kohë në jetën tënde kur qe e dobishme të ishe me njerëz të tjerë? Pse mendon se Zoti e ka udhëzuar në mënyrë të përsëritur popullin e Tij që të mblidhet fizikisht dhe shpirtërisht? Gjatë shërbesës së Shpëtimtarit midis nefitëve, Ai shpalli se Ati Qiellor do ta kujtonte besëlidhjen e Tij për ta mbledhur Izraelin e shpërndarë. Ai zbuloi shenja për të na ndihmuar ta dallojmë kur kishte filluar mbledhja e ditëve të mëvonshme. Ky mësim mund të të ndihmojë të marrësh pjesë në mbledhjen e Izraelit.

Ndihma ndaj nxënësve që të ndihen të vlerësuar. Kërkoni mënyra pozitive për t’i dalluar kontributet e nxënësve. Shprehni mirënjohje kur nxënësit përfshihen në procesin e të mësuarit dhe ndihmojini të gjithë nxënësit të ndihen të sigurt ndërsa i shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë gjatë leximit ditor të shkrimit të shenjtë për mënyra se si Libri i Mormonit i ka ndihmuar të vijnë më pranë Jezu Krishtit.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Të qenit të mbledhur

Në fillim, ngrini lart një degëz të vetme, shkop akulloreje ose kruajtëse dhëmbësh. Udhëzojini nxënësit të bëjnë sa vijon.

Ndalu një çast për të menduar për situata në të cilat ti ose ata që ti i do u ndien të vetmuar, të pasigurt ose sikur nuk u përkasin atyre.

Shtoni vetëm një degëz, shkopin e akullores ose kruajtësen e dhëmbëve në një grup të vogël të të njëjtit artikull.

  • Si mund të ndihmojë të qenit pjesë e një grupi për këto shqetësime?

    Merreni parasysh të tregoni se si një shkop i vetëm ose kruajtëse dhëmbësh mund të thyhet lehtësisht, ndërkohë që një grup prej tyre është më i vështirë për t’u thyer.

    Për ta ilustruar pyetjen e radhës, shtoni te grupi një copë druri të trashë, një gozhdë të madhe, ose një bllok prej metali.

  • Cilat janë avantazhet e të qenit pjesë e një grupi me Zotin dhe ata që e ndjekin Atë?

    Merreni parasysh t’i paraqitni thëniet vijuese dhe t’u jepni nxënësve disa çaste të qeta për të përsiatur dhe për të vlerësuar veten.

Përsiat për thëniet vijuese. Vlerësoje se sa mirë gjejnë zbatim tek ti këto thënie, duke përdorur “më së shumti”, “ndonjëherë”, ose “rrallëherë”.

  • Ndiej se kam një marrëdhënie me Zotin dhe se Ai më mbron, shëlbon dhe më do.

  • I dalloj mënyrat se si Zoti më fton të vij tek Ai dhe t’i marr këto bekime.

  • Unë përpiqem t’i ndihmoj të tjerët të mblidhen te Zoti dhe të ndiejnë siguri dhe përkatësi.

Ndërsa e studion këtë mësim, merri parasysh mënyrat se si Zoti përpiqet të të mbledhë ty dhe të tjerët pranë Tij dhe Kishës së Tij. Përsiat se si mund ta ndihmosh Zotin në punën e Tij të shenjtë të mbledhjes.

“Unë do ta mbledh”

Në ditën e dytë të vizitës së Shpëtimtarit në kontinentin amerikan, pasi Shpëtimtari u lut dhe i bekoi njerëzit, Ai ua administroi në mënyrë të mrekullueshme sakramentin. Më pas ai profetizoi rreth popullit të besëlidhjes së tij në ditët e mëvonshme. Për t’i kuptuar profecitë e Tij, është e rëndësishme të kujtojmë sa vijon:

  • Zoti i premtoi më përpara Abrahamit dhe pasardhësve të tij, duke përfshirë Jakobin (gjithashtu i quajtur Izrael), se ata do të kishin të drejtë në të gjitha bekimet e ungjillit dhe të priftërisë (shih tek Abrahami 2:6–11).

  • Pasardhësit e Izraelit, duke përfshirë nefitët, ishin shpërndarë anekënd botës. Zoti premtoi t’i mblidhte ata përsëri që t’i merrnin bekimet e ungjillit.

  • Kushdo që i bashkohet Kishës, që nuk janë pasardhës të vërtetë të Izraelit, birësohen në Izrael dhe mund t’i marrin të gjitha këto bekime të njëjta.

Lexo tek 3 Nefi 20:11–13, 18, 22, duke kërkuar atë që Zoti premtoi të bënte. Mund të jetë e dobishme të dish sa vijon:

  • Duajt (3 Nefi 20:18) janë tufa gruri të korrur.

  • Në ditët e fundit, Zoti në drejtësinë e tij do ta shkatërrojë të ligun i cili nuk do të pendohet (shih te 3 Nefi 20:15–17, 19–20) dhe Shenjtorët do të mblidhen në një vend të quajtur Jerusalemi i Ri në kontinentin amerikan (shih te Nenet e Besimit 1:10).

  • Çfarë zbulove?

Dëgjojini me kujdes nxënësit. Ndërsa flasin, ftojini ata ta vënë në dukje çdo frazë ose të vërtetë që u bëri përshtypje atyre.

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga këto vargje është se Perëndia do ta përmbushë besëlidhjen e Tij për ta mbledhur shtëpinë e Izraelit në ditët e fundit.

Konsiderojeni me lutje se si mund t’i ndihmoni nxënësit t’i dallojnë përpjekjet e Zotit për t’i mbledhur ata. Merreni parasysh ta paraqitni figurën e fillimit të mësimit dhe të bëni pyetje si këto në vijim:

  • Cilat janë disa mënyra se si Zoti po na sjell “në njohurinë e Zotit … që na ka shëlbuar [ne]”? (3 Nefi 20:13).

  • Megjithëse profecitë për Jerusalemin e Ri do të përmbushen në Mijëvjeçar, si do t’i kenë ata që e ndjekin Shpëtimtarin “fuqitë e qiellit … në mes [të tyre]” tani? (3 Nefi 20:22). Në ç’mënyra mund ta kemi Zotin “në mesin” tonë? (3 Nefi 20:22).

  • Si mund të na ndihmojnë këto bekime në jetën tonë (duke përfshirë kur ndihemi të vetmuar, të pasigurt ose sikur nuk kemi përkatësi)?

Shenjat e mbledhjes së ditëve të mëvonshme

Zoti premtoi shenja në kohën tonë për të treguar se Ai e ka filluar mbledhjen e popullit të Tij.

Merreni parasysh t’u paraqitni ose jepni nxënësve një kopje të veprimtarisë vijuese me përkitje. Ftojini nxënësit të punojnë në dyshe ose në grupe të vogla për ta plotësuar atë. Përgjigjet janë 1-c, 2-b, 3-a.

  1. 3 Nefi 20:25–27

  1. “Një vepër madhështore dhe e mrekullueshme”, ose Rivendosja e Kishës së Krishtit nëpërmjet shërbëtorit të Tij, Jozef Smithit, është një shenjë e mbledhjes.

  1. 3 Nefi 21:1–2, 7

  1. Dalja në dritë e Librit të Mormonit, “këto gjëra që [Zoti i njoftoi]”, është një shenjë që Zoti po e mbledh shtëpinë e Izraelit.

  1. 3 Nefi 21:9–11

  1. Nëpërmjet atyre që kanë bërë besëlidhje me Zotin, “[do të] bekohen të gjitha fiset e tokës”.

  • Si mendon, pse do Zoti që ne t’i dallojmë shenjat e mbledhjes së Tij?

Si jeni mbledhur?

  • Si të ka ndihmuar një nga pikat vijuese të mblidhesh pranë Zotit dhe t’i shijosh bekimet që ofron Ai?

    • Anëtarët e Kishës që i mbajnë besëlidhjet e tyre

    • Libri i Mormonit

    • Kisha

Nxitini nxënësit t’i tregojnë mendimet dhe përvojat e tyre. Merreni parasysh t’i tregoni edhe mendimet dhe përvojat tuaja gjithashtu.

“[Do të] bekohen të gjitha fiset e tokës”

Si anëtarë të besëlidhjes së Kishës, është përgjegjësia jonë të ndihmojmë “të bekohen të gjitha fiset e tokës” nëpërmjet ungjillit të Jezu Krishtit (3 Nefi 20:27). Veprimtaritë vijuese mund të të ndihmojnë të përsiatësh se si ta ndihmosh Zotin në mbledhjen e Tij.

  1. Lexo për disa minuta në Librin e Mormonit, duke kërkuar vargjet ose frazat që të ndihmojnë të vish te Zoti, ta ndiesh dashurinë e Tij dhe t’i fitosh bekimet që ofron Ai. Shënoji referencat ose frazat kyç në ditarin tënd të studimit. Mendo për mënyra se si mund t’ua tregosh të tjerëve këto vargje.

  2. Përgatit atë që mund të thuash ose shkruash për t’ia treguar dikujt Librin e Mormonit. Përfshiji ndjenjat e tua për librin dhe se si mendon se mund ta ndihmojë atë të vijë më pranë Shpëtimtarit.

  3. Përgatite atë që mund të thuash për ta ftuar dikë të frekuentojë kishën ose një veprimtari të kishës me ty. Përfshiji mendimet e tua mbi mënyrën se si mund ta ndihmojë atë, sidomos si mund ta ndihmojë të afrohet më pranë me Zotin.

Ndërsa studion këtë javë, përzgjidh me lutje një mënyrë se si mund të ndihmosh të mblidhet Izraeli. Në mësimet e ardhshme do të paraqiten ide të tjera. Kërkoje udhërrëfimin e Zotit për të ditur se cila mund të jetë më e mira për t’u zbatuar.