“3 Nefi 25: Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“3 Nefi 25”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
3 Nefi 25
Puna në Tempull dhe për Historinë Familjare
A ia ke shpjeguar ndonjëherë dikujt se përse kemi tempuj ose bëjmë punë për historinë familjare? Sa të rëndësishme janë për ty puna për historinë familjare dhe puna në tempull? Ndërkohë që iu dha mësim nefitëve, Jezusi citoi një mesazh që në fillim ia dha Malakias, i cili përfshinte kthimin e Elias dhe rolin e tij të rëndësishëm në punën në tempull dhe për historinë familjare. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të marrësh pjesë në punën për historinë familjare dhe në tempull.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Paraardhësit e tu
Reflekto mbi atë që di dhe ndien rreth jetës së njerëzve të tu të dashur, atë që mund të duash të dish dhe se si ata kanë ndikuar në jetën tënde.
-
Përse është e rëndësishme që të kërkojmë të dimë më shumë rreth paraardhësve tanë?
-
Në një shkallë nga 1–10 (1 = i painteresuar, 10 = jashtëzakonisht i interesuar), sa i interesuar je t’i njohësh paraardhësit e tu? Po të marrësh pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare? Përse?
Ndërsa studion, kërko ide që mund të të ndihmojnë të nxitesh për të marrë pjesë më shumë në këtë punë.
“Para ardhjes së ditës së madhe dhe të tmerrshme të Zotit”
Duke përdorur gjuhën e figurshme të pasur dhe fjalët simbolike të shënuara nga profeti Malakia i Dhiatës së Vjetër, Jezusi u dha mësim njerëzve të kontinentit amerikan rreth Ardhjes së Tij të Dytë në tokë dhe profetizoi rreth punës në tempull dhe për historinë familjare.
Lexo tek 3 Nefi 25:1–2, duke kërkuar atë që dha mësim Shpëtimtari se do të ndodhë kur Ai të kthehet në tokë. Përkufizimet dhe interpretimet vijuese të simboleve mund të jenë të dobishme.
-
Kashtë: Fije byku që mbeten në një fushë pas të korrave, të cilat një bujk i djeg
-
Rrënjë: Paraardhësit
-
Degë: Pasardhësit
-
Shërim në krahët e Tij: Shërimi dhe fuqia mbrojtëse e Zotit dhe e Shlyerjes së Tij
-
Viça stalle: Izraeli do të trajtohet mirë dhe do t’i plotësohen nevojat ashtu si kafshëve në një stallë
-
Si do ta shpjegoje atë që do të ndodhë në Ardhjen e Tij të Dytë sipas këtyre vargjeve? Çfarë do t’u ndodhë të ligjve?
-
Çfarë mësojmë nga këto simbole rreth Shpëtimtarit dhe bekimeve të Tij për ata që e ndjekin Atë?
Lexo tek 3 Nefi 25:5–6 dhe merre parasysh ta shenjosh atë që do të bënte Shpëtimtari për t’i ndihmuar familjet e botës përpara Ardhjes së Tij të Dytë. Një nga kuptimet e fjalës “kthehet” do të thotë lidhet apo vuloset (shih Mësimet e Presidentëve të Kishës: Jozef Smith [2009], f. 505). Poshtëshënimet në shkrimet e tua të shenjta mund të të ndihmojnë gjithashtu t’i kuptosh këto vargje më mirë.
Elija, një profet i lashtë, mbante çelësat e fuqisë vulosëse. Fuqia vulosëse i bën të vlefshme në qiell ordinancat e kryera nga autoriteti i priftërisë në tokë (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Vulos, Vulosje”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Lexo te Doktrina e Besëlidhje 110:13–16 për të parë se çfarë ndodhi në tempullin e Kirtlandit në vitin 1836 ku përfshihen Elia, Jozef Smithi dhe Oliver Kaudëri.
Për shkak të fuqisë vulosëse të rivendosur, ne mund ta bëjmë punën e tempullit edhe për veten, edhe për paraardhësit tanë që kanë ndërruar jetë.
-
Çfarë ke mësuar nga 3 Nefi 25 dhe Doktrina e Besëlidhje 110?
-
Cilat janë disa mënyra të veçanta se si të rinjtë mund të marrin pjesë në punën e tempullit dhe për historinë familjare?
-
Si mund ta ndihmojë dikë pjesëmarrja në punën e tempullit dhe për historinë familjare të përgatitet për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit?
Është thelbësore që të kuptosh se, jo vetëm që Shpëtimtari i rivendosi çelësat vulosës, por vetëm me anë të Shlyerjes së Tij ne dhe ata që janë pjesë e familjeve tona mund të shëlbohen, pastrohen dhe marrin ordinancat dhe bekimet e përjetshme, duke përfshirë ordinancën vulosëse.
Përsiat përse puna e tempullit dhe për historinë familjare ka rëndësi në jetën tënde. Ndërsa përsiat, mund të duash të shikosh materialin filmik “The Promised Blessings of Family History 2” [“Bekimet e Premtuara të Historisë Familjare 2”] (4:04), në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
-
Çfarë përvojash ke pasur me tempujt dhe historinë familjare?
-
Çfarë bekimesh ke vënë re në jetën tënde si rrjedhojë e kësaj?
Pjesëmarrja në punën në tempull dhe për historinë familjare
Për të të ndihmuar të marrësh pjesë në punën e tempullit dhe për historinë familjare, bëje njërën ose dy nga pikat në vijim. Mund të marrësh parasysh edhe të bësh diçka tjetër që lidhet me punën e tempullit ose për historinë familjare që ti ndihesh i udhërrëfyer ta bësh me anë të Shpirtit.
-
Duke përdorur llogarinë tënde në ChurchofJesusChrist.org, kyçu në FamilySearch.org. Eksploro burime për të mësuar rreth njërit prej paraardhësve të tu. Merre parasysh të fillosh me “Si dëshiron ta nisësh?”
-
Dërgo mesazh me tekst, telefono ose cakto një kohë për të folur me prindërit, gjyshërit ose të afërm të tjerë për të mësuar më shumë rreth jetës, historive të tyre ose kthimit të tyre në besimin në ungjill. Merre parasysh ta shënosh atë që mëson.
-
Merr pjesë në indeksim. Për ndihmë për të kuptuar se çfarë është kjo dhe se si të fillosh, merre parasysh që në fillim të shohësh materialin filmik “FamilySearch Indexing – How it Works” [“Indeksimi në FamilySearch – Si Funksionon”] (1:48), në dispozicion në FamilySearch.org.
1:48 -
Gjeji emrat e paraardhësve që kanë ndërruar jetë për të cilët duhet të kryhet puna e ordinancës në tempull në programin kompjuterik FamilySearch ose në adresën FamilySearch.org. Merre parasysh të fillosh me “Si dëshiron ta nisësh?”
-
Çfarë është diçka që ti e ndien se Zoti do të donte që ta bëje që të vazhdosh të marrësh pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare? Çfarë ndryshimi do të sjellë kjo në jetën tënde?
Ndërsa kërkon të vazhdosh të marrësh pjesë në punën në tempull dhe për historinë familjare, kujtoje këtë thënie nga Presidenti Rasëll M. Nelson:
“Në çfarëdo kohe që bëni çfarëdo gjëje që e ndihmon cilindo – në çdonjërën prej anëve të velit – të hedhë një hap drejt bërjes së besëlidhjeve jetike me Perëndinë dhe marrjes së ordinancave të veta thelbësore të pagëzimit dhe tempullit, ju po ndihmoni që Izraeli të mblidhet.” (Rasëll M. Nelson dhe Uendi W. Nelson, “Shpresa e Izraelit” [takim shpirtëror mbarëbotëror për rininë, 3 qershor 2018], ChurchofJesusChrist.org)