“Mormoni 9:7–27: ‘Një Perëndi Mrekullish’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)
“Mormoni 9:7–27”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit
Mormoni 9:7–27
“Një Perëndi Mrekullish”
Ndonjëherë kur lexojmë rreth mrekullive në shkrimet e shenjta, ne mund të pyesim veten se përse nuk kemi mrekulli të ngjashme në kohën tonë. Moroni e dinte se disa njerëz do ta shtronin këtë pyetje në ditët e fundit. Ky mësim mund të të ndihmojë ta kuptosh se si të pasurit e besimit në Perëndi mund ta lejojë Atë të kryejë mrekulli në jetën tënde.
Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit
Një Perëndi mrekullish
Ne mund të mendojmë se shumë ngjarje në jetën tonë janë mrekulli. Megjithatë, disa mund t’i shohin ato vetëm si rastësi. Mendo për disa shembuj mrekullish që disa veta mund t’i ngatërrojnë me rastësitë.
-
Çfarë mendon se i bën njerëzit t’i ngatërrojnë mrekullitë me rastësi?
-
Përse do të ishte e rëndësishme që njerëzit të kenë besim që Perëndia po bën mrekulli në jetën tonë sot?
Reflekto mbi besimin tënd se Perëndia mund të bëjë mrekulli. Sa fort beson te mrekullitë në shkrimet e shenjta, në jetën e të tjerëve dhe në jetën tënde?
Moroni dëshmon për mrekullitë e Perëndisë
Moroni, që e pa kohën tonë, u shkroi një mesazh atyre që e mohojnë se ende mund të ndodhin mrekulli.
Lexo te Mormoni 9:7–11, duke kërkuar se çfarë dha mësim Moroni rreth Perëndisë.
-
Çfarë të bie në sy nga këto vargje?
-
Çfarë të vërtetash mund të përcaktosh?
Dy të vërteta që Moroni i dha mësim, janë që Perëndia është i njëjtë dje, sot dhe përgjithmonë dhe se Perëndia është një Perëndi mrekullish.
-
Si mund të ndikojë kuptueshmëria e këtyre të vërtetave në besimin tonë te Perëndia?
Imagjino sikur je në gjendje ta ndihmosh Moronin ta japë mesazhin e tij duke përgatitur një paraqitje që i shpjegon këto të vërteta.
Krijo një pamflet duke e palosur një fletë letër në gjysmë, në mënyrë që të përfitosh një kapak, dy pjesë të brendshme dhe një pjesë të pasme. Për të të ndihmuar për organizimin e pamfletit tënd, merre parasysh ta emërtosh çdo pjesë dhe të vendosësh një figurë ose ilustrim mbi kapak.
-
Pjesa një (kapaku): “Perëndia është një Perëndi mrekullish”.
-
Pjesa dy: “Shembuj mrekullish”.
-
Pjesa tre: “Mrekullitë që ndodhin sot”.
-
Pjesa katër: “Si ta ftosh Perëndinë të bëjë mrekulli”.
Gjatë gjithë mësimit, shto mendimet, ndjenjat, mbresat dhe idetë që të lindin ndërsa studion.
Shembuj mrekullish
Lexo te Mormoni 9:11–18, duke kërkuar mrekullitë që Moroni donte që t’i dallojmë. Rendite atë që zbulove, në faqen e dytë të pamfletit tënd.
Pasi t’i kesh përcaktuar disa mrekulli që i përmendi Moroni, rendit mrekulli të tjera nga shkrimet e shenjta që mund të të vijnë në mendje.
-
Çfarë të ndihmojnë këto mrekulli të kuptosh rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Mrekullitë që ndodhin sot
Lexo te Mormoni 9:19, duke kërkuar atë që dha mësim Moroni rreth mrekullive sot.
Plaku Ronald A. Rasband, i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim rreth mënyrës se si mund t’i dallojmë mrekullitë në kohën tonë.
“Mrekullitë, shenjat dhe çuditë gëlojnë mes pasuesve të Jezu Krishtit sot, në jetën tuaj dhe në jetën time. Mrekullitë janë vepra hyjnore, shpërfaqje dhe shprehje të fuqisë së pakufishme të Perëndisë dhe një pohim se Ai është ‘i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë’. …
Shumë prej jush kanë dëshmuar mrekulli, më shumë nga sa mund ta përfytyroni. Ato mund të duken të vogla krahasuar me ngritjen e të vdekurve nga Jezusi. Por nuk është madhështia ajo që e dallon një mrekulli, por vetëm fakti që vjen nga Perëndia.” (Ronald A. Rasband, “Vini Re! Unë Jam një Perëndi Mrekullish”, Liahona, maj 2021, f. 109–110)
-
Çfarë mund të na ndihmojë të kuptojmë kjo thënie rreth mrekullive?
-
Cilat janë disa mrekulli të mëdha dhe të vogla që mund të vijnë nga Perëndia sot?
Në faqen e tretë të pamfletit tënd të emërtuar “Mrekullitë që ndodhin sot”, shkruaj mrekullitë që ti ose ata që ti njeh, i keni dëshmuar.
Si ta ftosh Perëndinë të bëjë mrekulli
Mendo rreth disa mrekullive që ti e ndien se janë më të nevojshmet ose më të shpresuarat sot.
Lexo te Mormoni 9:20–28, duke kërkuar atë që Perëndia na kërkon të bëjmë që të mund të na bekojë me mrekulli.
-
Si mund ta ftojmë Perëndinë të bëjë mrekulli në jetën tonë?
Lexoje thënien vijuese nga Presidenti Rasëll M. Nelson ose shikoje materialin filmik “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, nga kodi kohor 13:30 deri në 14:05, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.
“Zoti do t’ju bekojë me mrekulli nëse besoni tek Ai, ‘pa dyshuar asgjë’. Bëjeni punën shpirtërore që nevojitet për të kërkuar mrekulli. Kërkojini Perëndisë në lutje që t’ju ndihmojë të ushtroni atë lloj besimi. Ju premtoj se mund ta përjetoni vetë faktin që Jezu Krishti ‘i jep forcë të lodhurit dhe rrit fuqinë e të këputurit’.” (Rasëll M. Nelson, “Fuqia e Hovit Shpirtëror”, Liahona, maj 2022, f. 99–100)
-
Çfarë të bie në sy nga fjalët e Presidentit Nelson?
-
Çfarë pune shpirtërore mund të na nevojitet të bëjmë për të kërkuar mrekulli?
-
Çfarë mësove ose ndjeve rreth Perëndisë ndërsa studiove te Mormoni 9?
-
Çfarë do të bësh për t’i ftuar mrekullitë e Tij në jetën tënde?