Seminari
Moroni 6: Pjesëmarrja dhe Shërbimi në Kishën e Zotit


“Moroni 6: Pjesëmarrja dhe Shërbimi në Kishën e Zotit”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Moroni 6”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Moroni 6

Pjesëmarrja dhe Shërbimi në Kishën e Zotit

e re duke folur në mbledhjen e sakramentit

Si anëtarë të pagëzuar të Kishës së Krishtit, ne kemi mundësi të marrim pjesë dhe të shërbejmë në mënyra të ndryshme. Te Moroni 6, Moroni i vazhdoi udhëzimet e tij për të ndihmuar që Kisha të forcohej dhe ndërtohej. Ky mësim mund të të ndihmojë të përpiqesh fort t’u shërbesh të tjerëve dhe ta ndjekësh Shpëtimtarin si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Përpiquni fort që të jeni një shembull i dashurisë për të tjerët. Shpëtimtari e tregoi vazhdimisht kujdesin e Tij të sinqertë për secilin person. Ndërsa kultivoni një shpirt dashurie dhe respekti për nxënësit tuaj, shembulli juaj si i Krishtit mund t’i frymëzojë ata ta vlerësojnë njëri-tjetrin. Nxitini nxënësit t’i japin zemër njëri-tjetrit dhe të kërkojnë të mirën te kushdo.

Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund të vijnë të përgatitur për të treguar mënyrat se si të gjithë anëtarët e Kishës mund ta forcojnë njëri‑tjetrin, edhe pa një thirrje formale në një lagje ose degë.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Anëtarë të Kishës së Krishtit

bashkësi lagjeje duke kënduar në mbledhjen e sakramentit

Merreni parasysh të paraqitni një figurë të një bashkësie të Kishës dhe të diskutoni arsye të ndryshme përse njerëzit zgjedhin të jenë anëtarë të Kishës së Shpëtimtarit.

Për veprimtarinë vijuese, merreni parasysh ta vizatoni një përvijim të një personi në tabelë në mënyrë që nxënësit të mund ta përfundojnë veprimtarinë si klasë.

Në ditarin tënd të studimit ose në një fletë letre të veçantë, vizato një vijë për ta ndarë faqen në gjysmë. Në një gjysmë, vizato një vijëzim të një personi, që përfaqëson një anëtar të Kishës së Shpëtimtarit. Bëje vijëzimin të madh sa duhet për të shkruar brenda formës. Brenda figurës që vizatove, shkruaj dy ose tri gjëra që i bëre ose do të prisje t’i bëje për t’u përgatitur për pagëzimin në Kishë. Nëse dëshiron, mund të vazhdosh të shtosh në listën në vizatimin tënd gjatë gjithë mësimit.

Te Moroni 6, Moroni i vazhdoi mësimet e tij rreth ndërtimit të Kishës dhe forcimit të anëtarëve të saj. Në këtë kapitull, ne mësojmë disa nga rolet dhe mundësitë tona në kryerjen e punës së Zotit në Kishën e Tij.

Lexo te Moroni 6:1–3, duke kërkuar atë që dha mësim Moroni rreth mënyrës se si një person mund të tregojë se është i përgatitur për pagëzimin në Kishën e Krishtit. Shtoje atë që gjen në listën brenda figurës sate.

  • Si mendon se e përgatitin këto veprime dhe qëndrime një person për pagëzimin?

Moroni dha mësim se pasi pagëzohemi, ne “numër[ohemi] mes njerëzve të kishës së Krishtit” (Moroni 6:4). Ne bëhemi pjesëmarrës në një organizatë kishe që ka për qëllim të na forcojë dhe ndërtojë [shpirtërisht] si dishepuj të Jezu Krishtit. Ndërsa vazhdon të studiosh te Moroni 6, mendo rreth mënyrës se si mund t’u shërbesh të tjerëve dhe t’i forcosh ata si një anëtar i pagëzuar i Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Mundësitë dhe përgjegjësitë

Përreth figurës që vizatove më parë, shkruaj disa nga nevojat, shpresat ose dëshirat e anëtarëve të Kishës.

Ndihmojini nxënësit të kuptojnë se dallimi i këtyre nevojave te vetja dhe tek të tjerët mund t’i ndihmojë ata të mësojnë nga mësimet e ardhshme të Moronit. Jini i ndjeshëm dhe sigurojini nxënësit se atyre nuk u kërkohet ta tregojnë atë që kanë shkruar. Jepuni atyre kohë të mjaftueshme për të shënuar ide të shumta në vizatimet e tyre.

Shkruajeni të vërtetën vijuese të paplotë në tabelë, duke lënë vend që nxënësit ta përfundojnë thënien në disa mënyra.

Në gjysmën tjetër të fletës ose faqes së ditarit tënd, shkruaje të vërtetën vijuese të paplotë: Si anëtarë të Kishës së Shpëtimtarit, ne mund ta ndihmojmë dhe forcojmë njëri-tjetrin ndërsa …

Studioji vargjet te Moroni 6:4–9, duke kërkuar mënyra të shumta se si mund ta përfundosh thënien. Shkruaje listën tënde të thënieve të ndryshme në fletën tënde. Mund të jetë e dobishme të dish se të ushqesh do të thotë të përkrahësh ose nxitësh rritjen.

Nxënësit mund ta përfundojnë thënien në disa mënyra, duke përfshirë sa vijon:

  • kujtojmë anëtarët e tjerë të Kishës (vargu 4).

  • e ushqejmë njëri-tjetrin shpirtërisht nga fjala e mirë e Perëndisë (vargu 4).

  • kujdesemi dhe lutemi për njëri-tjetrin (vargu 4).

  • e ndihmojmë njëri-tjetrin të mbështetemi te Shpëtimtari dhe Shlyerja e Tij (vargu 4).

  • mblidhemi bashkë shpesh për të agjëruar dhe lutur së bashku (vargu 5).

  • e forcojmë njëri-tjetrin shpirtërisht (vargu 5).

  • marrim sakramentin në kujtim të Jezu Krishtit (vargu 6).

  • i falim të tjerët kur ata pendohen (vargjet 7–8).

  • japim mësim dhe lutemi sipas fuqisë së Frymës së Shenjtë (vargu 9).

Merreni parasysh t’i përdorni disa nga pyetjet vijuese për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë secilën përgjegjësi dhe të mendojnë rreth mënyrës se si ta përmbushin atë. Kjo mund të jetë gjithashtu një kohë e mirë për t’i ftuar nxënësit të japin ide shtesë nga përgatitja e nxënësve.

  • Cili prej këtyre veprimeve të duket më i lehtë? Cili mund të jetë një sfidë? Përse?

  • Si mund të duken këto veprime në klasën ose kuorumin tënd?

  • Si mund të të ndihmojë të vepruarit sipas këtyre të vërtetave me nevojat e tua?

Dhënia dhe marrja

Mund të jetë e dobishme të paraqitni thënien vijuese që një nxënës ta lexojë me zë të lartë.

Presidentja Boni L. Oskarson, ish‑Presidente e Përgjithshme e Të Rejave, vërejti:

2:3

“Ne nuk jemi thjesht marrës dhe përfitues të asaj që na ofrohet në kishë; na nevojitet të jemi dhënës dhe furnizues. Të reja dhe të rinj, herën tjetër kur të jeni në [një veprimtari të rinjsh], në vend që të merrni celularin e të shihni se çfarë po bëjnë miqtë tuaj, ndaluni, shihni përreth, dhe pyeteni veten, ‘Kush ka nevojë për mua sot?’ Ju mund të jeni mjeti për t’iu afruar dikujt dhe për ta prekur jetën e një bashkëmoshatari apo t’i jepni zemër një miku që në heshtje po kalon vështirësi.

Kërkojini Atit tuaj Qiellor që t’ju tregojë njerëzit përreth jush që kanë nevojë për ndihmën tuaj dhe t’ju frymëzojë se si t’u shërbeni atyre më së miri. Sillni ndërmend se Shpëtimtari më shpesh u dha shërbesë njerëzve një e nga një.” (Boni L. Oskarson, “Nevojat përpara Vetvetes”, Liahona, nëntor 2017, f. 26–27)

  • Çfarë mendon se është e rëndësishme të kujtosh nga këshilla e Motrës Oskarson dhe përse?

  • Kur i ke parë të vërtetat që Moroni dha mësim në veprim? Çfarë ndryshimi solli të vepruarit sipas këtyre të vërtetave në jetën e të tjerëve?

  • Si mund të të ndihmojë ndjekja e këshillës së Moronit të bëhesh më shumë si Shpëtimtari?

Për një shembull të një të reje që e zbatoi këshillën e Moronit, shikoje materialin filmik “Sy për të Parë” nga kodi kohor 4:55 deri në 6:55 në ChurchofJesusChrist.org.

Nëse e shfaqni materialin filmik, merreni parasysh t’i diskutoni mënyrat se si e reja e zbatoi këshillën e Moronit dhe e ndoqi shembullin e Shpëtimtarit.

NaN:NaN

Hapat e mi të radhës

Jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme për t’i përsiatur dhe mbajtur shënim mbresat e tyre në ditarët e tyre të studimit. Nëse e lejon koha, ftojini nxënësit t’ia tregojnë klasës mendimet e tyre.

Përsiat për pak çaste atë që ke mësuar dhe ndier sot. Më pas përfytyro sikur po futesh në takimin ose veprimtarinë e radhës të Kishës. Çfarë mendon se do të donte Shpëtimtari që të bëje? Merre parasysh të bësh shënime në ditarin tënd të studimit për të të ndihmuar ta kujtosh udhërrëfimin që ke marrë.

Nëse dëshiron, mund të kërkosh gjithashtu ndihmën e Atit Qiellor në lutje për të ditur se kush ka nevojë për vëmendjen dhe ndihmën tënde. Ftoje Atë të të ndihmojë ta dish se çfarë mund të bësh për t’u kujdesur për anëtarët e tjerë të Kishës siç do të bënte Shpëtimtari.