Seminari
Moroni 1: Nuk do ta Mohoj Krishtin


“Moroni 1: Nuk do ta Mohoj Krishtin”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Moroni 1”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Moroni 1

Nuk do ta Mohoj Krishtin

Moroni

Të qenit një ndjekës i Jezu Krishtit nuk ka qenë kurrë e lehtë. Afër fundit të Librit të Mormonit, profeti Moroni zbuloi se ndjekësit e Krishtit dënoheshin me vdekje nëse nuk e mohonin Shpëtimtarin (shih te Moroni 1:2). Për shkak se Moroni refuzoi ta mohonte Jezu Krishtin, ai u detyrua të endej kudo ku mundej për të gjetur siguri dhe për të qëndruar i fshehur nga lamanitët. Mbase ti je ndier vetëm kur je përpjekur ta jetosh besimin tënd dhe të qëndrosh i vërtetë ndaj Shpëtimtarit dhe Kishës së Tij. Ky mësim mund të të ndihmojë të nxitesh për ta ndjekur gjithmonë Jezu Krishtin dhe për të mos e mohuar Atë.

Bëni pyetje që ftojnë shqyrtimin e vetvetes. Pyetjet që i ftojnë nxënësit t’i përsiatin shkrimet e shenjta, situatën e tyre të tanishme, ndjenjat e tyre ndaj Shpëtimtarit ose zbatimin e parimeve mund ta ftojnë Shpirtin t’u japë mësim atyre.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mendojnë për një përvojë kur ata ose dikush që e njohin e ndoqi Jezu Krishtin edhe pse është ndier vetëm ose është përndjekur.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Përballja me kundërshtimin

Ndalu një çast për të menduar rreth mënyrës se si ti priresh të veprosh kur je i rrethuar nga ata që mund të mos kenë standardet ose bindjet e tua rreth Perëndisë.

Merreni parasysh ta paraqitni këtë diagram në tabelë. Një mundësi tjetër do të ishte të keni katër letra me ngjyra të ndryshme që nxënësit t’i ngrenë lart gjatë veprimtarisë. Bërja e kësaj mund të ndihmojë që nxënësit të përfshihen në mësim.

katrorë të gjelbër, të verdhë, portokalli dhe të kuq

Ngjyrat në këtë diagram mund të të ndihmojnë të imagjinosh nivele të ndryshme kundërshtimi me të cilat mund të përballet një dishepull i Jezu Krishtit. E gjelbra mund të përfaqësojë mungesën e kundërshtimit. E verdha dhe portokallia mund të sugjerojnë nivele të rritura të kundërshtimit, ndërkohë që e kuqja mund të simbolizojë kundërshtimin më të vështirë.

Pasi ta paraqitni se çfarë përfaqësojnë ngjyrat në diagram, merreni parasysh të tregoni përvoja vetjake ose përvoja të dhëna në konferencën e përgjithshme, në të cilën dikush u përball me kundërshtim si një dishepull i Krishtit. Ftojini nxënësit ta zgjedhin ngjyrën që e ndiejnë se do ta përshkruante më mirë forcën e secilës situatë. Kjo mund të ndihmojë për të nisur një bisedë rreth të qenit i vërtetë ndaj Jezu Krishtit.

Presidenti Tomas S. Monson (1927–2018) shërbeu në ushtri kur ishte i ri dhe dëshmoi shumë vepra guximi. Ai tregoi shembullin vijues.

Mendo rreth ngjyrës që do të zgjidhje për të përfaqësuar nivelin e kundërshtimit që përjetoi ky i ri. Si mendon se do të veproje në një situatë të ngjashme?

16:18

“Një rast, të cilin nuk do ta harroj kurrë, ishte guximi i heshtur i një detari 18‑vjeçar – jo i fesë sonë – i cili nuk ishte tepër krenar për t’u lutur. Nga 250 burra në kompani, ai ishte i vetmi që çdo natë binte në gjunjë pranë shtratit të tij, nganjëherë në mes të talljeve të kërcënuesve dhe përqeshjeve të mosbesuesve. Me kokë të ulur, ai i lutej Perëndisë. Kurrë nuk u lëkund. Kurrë nuk u ligështua. Ai kishte guxim.” (Tomas S. Monson, “Ji i Fortë dhe Guximtar”, Liahona, maj 2014, f. 67)

  • Çfarë të bie në sy te ky shembull?

  • Ku mendon se qëndron vështirësia te ndjekja gjithmonë e Jezu Krishtit? Çfarë të ndihmon?

Rendit disa situata të tjera në të cilat ndjekja e Jezu Krishtit mund të jetë sfiduese. Përpiqu të imagjinosh hollësi të caktuara dhe merre parasysh se cila ngjyrë në diagram do t’i përshtatej më mirë secilës situatë.

Sigurisht, është shumë më e lehtë të flasim për zotimin tonë ndaj Jezu Krishtit sesa ta mbajmë atë në çastin që sfidohemi. Ndërsa studion, kërko të gjesh nxitjen që të nevojitet për t’i qëndruar i vërtetë ndaj besimit tënd te Jezu Krishti dhe ndaj standardeve të Kishës së Tij të rivendosur.

Moroni ndiqet nga lamanitët

Kur Moronit iu dha përgjegjësia për t’i mbajtur dhe ruajtur analet e popullit nefit, edhe ai u përball me kundërshtim.

Lexo te Moroni 1:1–4, duke marrë parasysh se si mund ta vlerësosh kundërshtimin me të cilin u përball ai.

Për të të ndihmuar të krijosh një ide më të mirë se si mund të kishte qenë jeta për Moronin, mund të shohësh gjithashtu “Moroni i Fton të Gjithë që të Vijnë te Krishti” nga kodi kohor 0:00 deri në 3:59, në dispozicion në ChurchofJesusChrist.org.

8:37
  • Sa të fortë do ta vlerësoje kundërshtimin ndaj Moronit?

  • Çfarë mund të mësojmë nga shembulli i Moronit?

Një e vërtetë që mund të mësojmë është se ne mund të jemi të vërtetë ndaj Jezu Krishtit në çdo rrethanë dhe të mos e mohojmë Atë.

Merreni parasysh ta shkruani këtë të vërtetë në tabelë. Në këtë mënyrë nxënësit mund ta shohin atë ndërsa lexojnë shembuj të ndryshëm të njerëzve që e jetojnë këtë të vërtetë.

  • Përse është e rëndësishme për ne të jemi të vërtetë ose besnikë ndaj Jezu Krishtit?

  • Çfarë përvojash mendon se pati Moroni, që e ndihmuan atë të ishte kaq besnik ndaj Jezu Krishtit?

  • Çfarë di ti rreth Jezu Krishtit që mund të të nxitë ty të mos e mohosh Atë?

Merre parasysh t’i shenjosh fjalët e Moronit te vargu 3. Mund ta shënosh gjithashtu emrin tënd pranë atij të Moronit për të të ndihmuar të nxitesh ta ndjekësh gjithmonë Jezu Krishtin.

Ftojini nxënësit të tregojnë shembuj të individëve në shkrimet e shenjta që ishin të vërtetë ndaj Jezu Krishtit në rrethana të vështira. Merreni parasysh t’i përdorni disa prej shembujve më poshtë. Jepni kontekstin sipas nevojës. Gjithashtu, ndihmojini nxënësit të dallojnë se Jezu Krishti është gjithmonë besnik dhe i vërtetë. Ai vdiq me gatishmëri për secilin prej nesh.

Të treguarit e zotimit tonë

Kjo mund të jetë një kohë e mirë që nxënësit të raportojnë për përgatitjet e tyre për orën mësimore. Ju mund t’i ndihmoni nxënësit ta bëjnë këtë duke bërë pyetje si ajo në vijim.

  • Kur ke treguar ti ose dikush që e njeh zotim ndaj Krishtit në rrethana të vështira?

    Merreni parasysh t’i vini nxënësit të përgjigjen për pyetjet vijuese në ditarët e tyre të studimit.

  • A ka ndonjë rrethanë në të cilën ti po përballesh me kundërshtim ngaqë ndjek Jezu Krishtin?

  • Çfarë mund të bësh për të qenë i vërtetë ndaj Jezu Krishtit në ato rrethana?

Për t’i ndihmuar nxënësit të reflektojnë mbi atë që kanë mësuar në këtë mësim, merreni parasysh t’i ftoni ata të bëjnë një afishe ose një publikim në mediat shoqërore që mund t’i nxitë ata dhe të tjerët të qëndrojnë të vërtetë ndaj Krishtit në çdo rrethanë. Ata mund ta vendosin atë diku për nxitje vetjake ose t’ua shpërndajnë atë të tjerëve. Siguroni materialet që do t’u nevojiten nxënësve dhe udhëzimet për këtë veprimtari. Nëse është e mundur, jepni një shembull të kohëve të fundit nga revista Për Forcën e Rinisë. Më poshtë është një shembull.

afishe për Shlyerjen e Jezu Krishtit

Nxënësit mund të fillojnë duke parë një figurë për ta përdorur te pjesa “Image Collections” [“Koleksione Figurash”] në www.ChurchofJesusChrist.org/media. Më pas ndihmojini nxënësit të gjejnë shkrime të shenjta rreth të qenit i vërtetë ndaj Jezu Krishtit për t’i përfshirë në mesazhet e tyre. Ata mund të përdorin një varg nga Moroni 1, një shkrim të shenjtë që e gjejnë vetë, ose një nga një listë që ua jepni ju, si ajo në vijim.

Jepuni nxënësve kohë të mjaftueshme për ta krijuar publikimin ose afishen e tyre dhe lejojini ata t’ua tregojnë shokëve të klasës atë që krijuan. Kujtohuni të kërkoni mënyra për të krijuar një mjedis të sigurt ku nxënësit e dinë se ajo që krijuan vlerësohet dhe është domethënëse.