Seminari
Moroni 10:8–25: “Çdo Dhuratë e Mirë Vjen nga Krishti”


“Moroni 10:8–25: ‘Çdo Dhuratë e Mirë Vjen nga Krishti’”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Moroni 10:8–25”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Moroni 10:8–25

“Çdo Dhuratë e Mirë Vjen nga Krishti”

marrja e një dhurate

Cila është një dhuratë që e ke marrë, që ka sjellë një ndryshim kuptimplotë në jetën tënde? Çfarë të tregoi kjo dhuratë rreth personit që e dhuroi atë? Moroni dëshmoi për dhuratat që Perëndia ua ka dhënë fëmijëve të Tij nëpërmjet Shpirtit për dobinë e tyre. Moroni i nxiti më pas lexuesit t’i dallonin dhe merrnin këto dhurata shpirtërore. Ky mësim mund të të ndihmojë t’i kërkosh dhuratat e Shpirtit.

Ndihmojini nxënësit të ndihen të respektuar dhe të vlerësuar. Çdo nxënës është një fëmijë i Perëndisë me cilësi, talente dhe dhurata unike. Tregohuni vëzhgues dhe vëreni në dukje kur nxënësit përpiqen fort të kontribuojnë në mënyra pozitive. Nxitni një qëndrim pranimi dhe dashurie mes të gjithë anëtarëve të klasës.

Përgatitja e nxënësve: Ftojini nxënësit të mësojnë rreth dhuratave të Shpirtit. Ata mund të përdorin ndihma për studimin e shkrimeve të shenjta si zëri “Spiritual Gifts” [“Dhurata Shpirtërore”] te Gospel Topics [Temat e Ungjillit], që gjendet në topics.ChurchofJesusChrist.org.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Dhuratat

Mendo rreth disa prej dhuruesve më të mirë të dhuratave që ti njeh.

  • Çfarë karakteristikash kanë këta njerëz që i bëjnë ata dhurues të mirë dhuratash?

Jezu Krishti u dha mësim dishepujve të Tij rreth njërës prej karakteristikave të Atit Qiellor te Mateu 7:9–11. Lexoji këto vargje, duke kërkuar atë që Shpëtimtari dha mësim rreth Atit.

Merreni parasysh t’i renditni përgjigjet e nxënësve për pyetjen vijuese në tabelë. Në varësi të përgjigjeve të nxënësve, ju mund t’i lexoni vargjet e renditura në fund të pyetjes si klasë.

Sot do të kesh një mundësi për të mësuar rreth dhuratave nga Perëndia që quhen dhurata të Shpirtit ose dhurata shpirtërore. Ndërsa studion, mendo se si këto dhurata janë provë e dashurisë që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti kanë për ty dhe të tjerët. Gjithashtu, mendo se si të qenit i/e bekuar me këto dhurata mund të ndikojë në mirënjohjen dhe dashurinë tënde për Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin.

Dhuratat shpirtërore nga Perëndia

Paraqiteni përkufizimin vijues që nxënësit të mund ta përfshijnë atë në ditarin e tyre të studimit.

Dhuratat shpirtërore mund të përkufizohen si “bekime ose aftësi të dhëna nga Perëndia për fëmijët e Tij nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë. Dhuratat e Shpirtit jepen për t’i bekuar dhe në dobi të atyre që e duan Zotin dhe përpiqen t’i zbatojnë urdhërimet e Tij. (Shih te Doktrina e Besëlidhje 46:9.)” (Gospel Topics [Temat e Ungjillit], “Spiritual Gifts” [“Dhurata Shpirtërore”], topics.ChurchofJesusChrist.org).

Lexo te Moroni 10:8 duke kërkuar atë që dha mësim Moroni rreth dhuratave shpirtërore.

  • Çfarë mësove rreth dhuratave shpirtërore nga ky varg?

Një e vërtetë që mund të mësojmë nga ky varg, është se Perëndia ua jep dhuratat e Shpirtit fëmijëve të Tij për dobinë e tyre.

  • Si mendon se mund t’i përdorim bekimet ose aftësitë që Perëndia na jep nëpërmjet Frymës së Shenjtë, për të ndihmuar veten ose të tjerët?

Mendo për pyetjet që ke ende për dhuratat shpirtërore. Shkruaji këto pyetje në ditarin tënd të studimit. Ndërsa e vazhdon studimin, kërko mësime që ndihmojnë për t’iu dhënë përgjigje pyetjeve të tua.

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit t’i tregojnë disa nga pyetjet e tyre. Ju mund t’i shkruani ato në tabelë. Nxënësit mund të kenë pyetje të ngjashme me ato në vijim: Cilët janë shembujt e dhuratave shpirtërore? Me çfarë dhuratash shpirtërore më ka bekuar Perëndia? Si mund të marr dhurata shpirtërore?

Cilët janë shembujt e dhuratave shpirtërore?

Moroni tregoi disa shembuj të dhuratave shpirtërore që Perëndia mund të na japë. Lexo te Moroni 10:9–16, duke i kërkuar këta shembuj.

Mund të jetë e dobishme të dish se të mësuarit e “fjalës së diturisë” (vargu 9) mund t’i referohet aftësisë për t’i ndihmuar të tjerët ta përdorin gjykimin e mirë ose ta zbatojnë njohurinë e tyre; dhënia mësim e “fjalës së diturisë” (vargu 10) mund t’i referohet aftësisë për t’i ndihmuar të tjerët të arrijnë në njohjen e Perëndisë dhe ligjeve të Tij; dhe “të gjitha llojet e gjuhëve” (vargu 15) mund t’i referohet aftësisë për të folur në gjuhë të huaja ose të panjohura.

  • Cilat dhurata të Shpirtit u përmendën në këto vargje?

  • Cilët janë disa shembuj të mënyrës se si ti i ke parë të demonstruara këto dhurata?

Plaku Brus R. Mek-Konki (1915–1985), i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve, dha mësim se “dhuratat shpirtërore janë të pambarueshme në numër dhe të pafundme në larmi” (A New Witness for the Articles of Faith [1985], f. 371).

Merreni parasysh t’i ftoni nxënësit të mendojnë për shembujt e dhuratave shpirtërore me të cilat Perëndia mund t’i bekojë ata krahas atyre të renditura te Moroni 10. Nëse është e nevojshme, ju mund të jepni shembuj si ata në vijim.

Perëndia mund të na bekojë me një numër të pambarimtë të dhuratave shpirtërore, duke përfshirë besimin te Jezu Krishti, zbulesën vetjake, rritjen e kapacitetit për t’i zbatuar urdhërimet dhe ndjenjën e dashurisë si të Krishtit për të tjerët.

Për t’i përgatitur nxënësit që t’i diskutojnë pyetjet vijuese, ftojini të mendojnë rreth rasteve në jetën e tyre kur ata janë bekuar me dhurata shpirtërore nga Perëndia. Mund t’i ftoni ata të tregojnë shembuj që nuk janë tepër vetjakë. Mund të tregoni edhe shembuj nga jeta juaj.

  • Çfarë mëson rreth Atit Qiellor kur i merr parasysh dhuratat që Ai dëshiron të na japë?

  • Si mund të na ndihmojnë dhuratat shpirtërore të bëhemi më shumë si Perëndia?

Si mund t’i marrim dhuratat shpirtërore?

Lexo te Moroni 10:24–25, 30, duke kërkuar se çfarë dha mësim Moroni rreth marrjes së dhuratave shpirtërore nga Perëndia.

  • Çfarë të mësuan këto vargje rreth mënyrës se si mund të bekohemi me dhuratat e Shpirtit?

Thëniet vijuese mund të përdoren për t’i ndihmuar nxënësit ta kuptojnë më mirë se si ata mund ta ndjekin këshillën e Moronit për “të marrë” dhuratat shpirtërore (Moroni 10:30). Merreni parasysh t’i paraqitni këto thënie dhe të ftoni vullnetarë për t’i lexuar ato me zë të lartë.

Presidenti Xhorxh Q. Kenon (1827–1901), i Presidencës së Parë, tregoi një mënyrë se si mund t’i kërkojmë dhuratat shpirtërore:

“Nëse çdonjëri prej nesh është i papërkryer, është detyra jonë që të lutemi për dhuratën që do të na bëjë të përkryer. … Askush nuk duhet të thotë: ‘Oh, nuk mund të rresht së bëri këtë; është natyra ime’. Atë nuk e shfajëson kjo, për arsyen se Perëndia ka premtuar … të japë dhurata që do t’i çrrënjosin [dobësitë tona].” (Xhorxh Q. Kenon, “Kërkimi i Dhuratave Shpirtërore”, Liahona, prill 2016, f. 80)

Presidenti Henri B. Ajring, i Presidencës së Parë, tregoi një mënyrë tjetër se si mund të kualifikohemi për dhuratat e Shpirtit:

19:14

“Ne kultivojmë dhunti frymore duke mbajtur urdhërimet dhe duke u përpjekur të jetojmë një jetë të pamëkatë. Kjo kërkon besim tek Jezu Krishti për t’u penduar dhe për t’u pastruar nëpërmjet Shlyerjes së Tij.” (Henri B. Ajring, “Shërbeni me Shpirtin”, Liahona, nëntor 2010, f. 59)

  • Çfarë mësove nga këto thënie rreth mënyrave se si mund të bekohemi me dhurata shpirtërore?

  • Si mendon, përse veprimet e përmendura janë të nevojshme për t’u kualifikuar për dhuratat e Shpirtit?

Jepuni nxënësve kohë për të menduar rreth asaj çfarë kanë mësuar dhe se si do ta zbatojnë atë duke u dhënë udhëzimet vijuese. Më pas dëshmoni për të vërtetat që i keni studiuar sot, dhe nxitini nxënësit t’i kërkojnë dhuratat shpirtërore.

Mendo rreth asaj çfarë ke mësuar sot për dhuratat shpirtërore që dëshiron të mbash mend, duke përfshirë se si dhuratat shpirtërore mund të sjellin një ndryshim në jetën tënde. Përcakto se çfarë do të bësh për të pasur qasje më të madhe te dhuratat shpirtërore me të cilat Ati Qiellor dëshiron të të bekojë. Shënoji mendimet dhe mbresat e tua në ditarin tënd të studimit.