Seminari
Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10: Libri i Mormonit; 1 Nefi–Moroni


“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10: Libri i Mormonit; 1 Nefi–Moroni”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit (2024)

“Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10”, Manual i Mësuesit për Librin e Mormonit

Vlerësoni të Mësuarit Tuaj 10

Libri i Mormonit; 1 Nefi–Moroni

person duke lexuar Librin e Mormonit

Reflektimi për të mësuarit tënd shpirtëror dhe vlerësimi i tij mund të të ndihmojnë të afrohesh më pranë Shpëtimtarit dhe ta forcosh kthimin tënd në besim. Ky mësim ka për qëllim të të ndihmojë të vlerësosh ecurinë dhe rritjen që ke përjetuar gjatë studimit tënd të Librit të Mormonit këtë vit.

Ftojini nxënësit t’i shënojnë ndjenjat dhe mbresat e tyre. Kujtojuani nxënësve se Fryma e Shenjtë mund t’u mësojë atyre gjëra gjatë orës mësimore që nuk thuhen me zë të lartë. Ndërsa nxënësit i mbajnë shënim këto mbresa shpirtërore, ata e rritin aftësinë e tyre për të dalluar dhe mësuar nëpërmjet Shpirtit. Kjo mund ta lejojë Zotin të vazhdojë ta udhërrëfejë jetën e tyre.

Përgatitja e nxënësve: Nxënësit mund të reflektojnë mbi studimin e tyre për Librin e Mormonit dhe të përgatiten për të treguar një ide ose të vërtetë që mësuan, e cila e ka rritur dashurinë e tyre për Jezu Krishtin.

Veprimtari të Mundshme të të Mësuarit

Në këtë mësim, nxënësit do të kenë mundësi të reflektojnë mbi mënyrën se si Libri i Mormonit i ka ndihmuar ata ta zhvillojnë besimin në Jezu Krisht dhe të bëhen më të kthyer në besimin tek Ai. Nëse do të ishte e dobishme të përqendroheni në të vërteta të veçanta që nxënësit i kanë studiuar në Librin e Mormonit, ju mund t’i përshtatni veprimtaritë për t’i përfshirë ato të vërteta. Nxënësit mund t’i plotësojnë veprimtaritë sipas cilësdo radhe.

Si ndihesh rreth Librit të Mormonit?

Kjo pjesë e mësimit ka për qëllim t’i ndihmojë nxënësit të mendojnë se si studimi i tyre për Librin e Mormonit këtë vit ka ndikuar në ndjenjat e tyre për Jezu Krishtin dhe ungjillin e Tij dhe në dëshminë e tyre për Ta. Nëse dëshironi, mund t’i përdorni pyetjet vijuese për të filluar një diskutim me nxënësit tuaj.

Presidenti Rasëll M. Nelson na ftoi të mendojmë për tri pyetje që lidhen me Librin e Mormonit:

Nëse dëshironi, mund t’i paraqitni në tabelë të tria pyetjet në deklaratën vijuese.

“Së pari, si do të ishte jeta juaj pa Librin e Mormonit? Së dyti, çfarë nuk do të dinit? Dhe së treti, çfarë nuk do të kishit?” (Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 61)

Ftojini nxënësit t’i diskutojnë të tria pyetjet në deklaratën e Presidentit Nelson. Në varësi të nxënësve tuaj, nëse doni, mund t’u jepni atyre kohë për t’i diskutuar ato në grupe të vogla përpara se ta bëjnë këtë si klasë. Ndërsa nxënësit përgjigjen, dëgjoni me kujdes dhe bëni pyetje për ndjekjen e ecurisë për t’i ndihmuar ata t’i shprehin mendimet e tyre më qartësisht dhe më thellësisht.

Çfarë kupton rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

Pjesa vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të shpjegojnë mësime të ndryshme rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit.

Presidenti Rasëll M. Nelson e përshkroi njërin prej roleve kyç të Librit të Mormonit:

“Diçka e mrekullueshme ndodh kur një fëmijë i Perëndisë kërkon të dijë më shumë rreth Tij dhe Birit të Tij të Dashur. Askund tjetër nuk jepen mësim më qartë dhe më fuqishëm këto të vërteta sesa në Librin e Mormonit.” (Rasëll M. Nelson, “Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 61)

Ndalu një çast për të reflektuar mbi atë që ke mësuar rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit ndërsa e ke studiuar Librin e Mormonit këtë vit. Mund t’i shqyrtosh shkrimet e tua të shenjta dhe ditarin e studimit për të vërteta rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit që mund t’i kesh shenjuar ose për të cilat të kesh bërë shënime gjatë vitit. Në ditarin tënd të studimit, rendit tri ose katër të vërteta që ishin veçanërisht kuptimplota për ty.

Pasi t’i shqyrtojnë ditarët e tyre të studimit ose shkrimet e shenjta, nxënësit mund të renditin të vërteta kuptimplota në tabelë. Nxënësit mund të përfshijnë edhe mendime nga përgatitja e tyre për orën mësimore.

Për t’i nxitur kujtimet e nxënësve ose ndihmuar ata që kanë vështirësi me leximin, merreni parasysh ta shfaqni njërin prej materialeve filmikë për Librin e Mormonit të përfshirë te “Veprimtari Plotësuese të të Mësuarit”.

Gjej të paktën një fragment të shkrimit të shenjtë që e mbështet secilën të vërtetë që rendite në ditarin tënd të studimit. Shkruaje referencën e shkrimit të shenjtë pranë secilës të vërtetë dhe shpjegoje se si mund ta përdorësh fragmentin e shkrimit të shenjtë për ta dhënë mësim atë të vërtetë.

Nëse nxënësve u nevojitet ndihmë për t’i gjetur në Librin e Mormonit fragmentet që japin mësim të vërteta rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit, ju mund t’u tregoni atyre disa nga ato në vijim. Jini vigjilent/e dhe gati për t’i ndihmuar nxënësit që mund të kenë nevojë për ndihmë shtesë.

Jepuni nxënësve kohë që t’i tregojnë mësimet e Librit të Mormonit që zgjodhën në orën mësimore. Nxënësit mund t’ia tregojnë të gjithë klasës ose mund të ndahen në grupe më të vogla.

Si ka ndikuar Libri i Mormonit në mënyrën se si ti e jeton jetën tënde?

Pjesa vijuese mund t’i ndihmojë nxënësit të reflektojnë dhe të shprehen se si po përpiqen fort për ta jetuar doktrinën dhe mësimet e Librit të Mormonit.

Lexoje thënien vijuese nga Profeti Jozef Smith (1805–1844), duke kërkuar atë që ai dha mësim rreth fuqisë së Librit të Mormonit:

Shënim: Nxënësit mund ta gjejnë dhe lexojnë thënien vijuese në paragrafin e gjashtë te hyrje në Librin e Mormonit.

Profeti Jozef Smith

© 1998 David Lindsley

“Unë u thashë vëllezërve se Libri i Mormonit ishte më i sakti nga çdo libër mbi tokë dhe guri kyç i fesë sonë, dhe se një njeri do t’i afrohet më shumë Perëndisë duke iu bindur parimeve të tij, sesa të ndonjë libri tjetër.” (Hyrje në Librin e Mormonit; shih edhe History of the Church, 4:461)

T’iu “bindesh parimeve të tij” do të thotë t’i jetosh parimet dhe mësimet që përmbahen në Librin e Mormonit. Reflekto për disa çaste se si mendimet, qëndrimet ose veprimet e tua janë ndikuar për shkak të asaj që ke mësuar nga Libri i Mormonit.

Jepuni nxënësve kohë të përgjigjen për njërën prej pyetjeve vijuese në ditarët e tyre të studimit. Nxitini ata të jenë të vëmendshëm dhe ta ftojnë Frymën e Shenjtë t’i ndihmojë të shohin se si jeta e tyre është ndikuar nga mësimet e Librit të Mormonit.

  • Si të ka ndihmuar studimi yt i Librit të Mormonit të ndihesh më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?

  • Cilat janë disa mësime të veçanta që ke mundur t’i zbatosh nga studimi yt i Librit të Mormonit?

  • Çfarë bekimesh ke përjetuar ndërsa e ke studiuar rregullisht Librin e Mormonit?

Ftojini nxënësit t’i tregojnë përgjigjet e tyre. Nëse e lejon koha, tregojuni dëshminë tuaj rreth Librit të Mormonit dhe mësimet kuptimplota që kanë ndikuar në jetën tuaj.