“8–14 Janar: ‘Unë do të Shkoj dhe do të Bëj’. 1 Nefi 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)
“8–14 Janar. 1 Nefi 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2024)
8–14 Janar: “Unë do të Shkoj dhe do të Bëj”
1 Nefi 1–5
Libri i Mormonit fillon me një rrëfim për një familje reale që përjeton mundime reale. Kjo ndodhi në vitin 600 pr.K., por ka gjëra në këtë rrëfim që mund të duken të njohura për familjet sot. Kjo familje po jetonte në një botë me ligësi, por Zoti u premtoi atyre se po ta ndiqnin Atë, Ai do t’i udhëhiqte drejt sigurisë. Përgjatë udhës, ata patën çaste të mira dhe çaste të këqija, bekime dhe mrekulli të mëdha, por patën gjithashtu zënka dhe grindje. Rrallëherë gjendet në shkrimin e shenjtë një rrëfim kaq i hollësishëm i një familjeje që përpiqet ta jetojë ungjillin: prindër që luftojnë për të frymëzuar besim te familja e tyre dhe që shqetësohen për sigurinë e tyre, bij që vendosin a do t’u besojnë prindërve dhe vëllezër që përballen me xhelozi dhe grindje dhe ndonjëherë e falin njëri‑tjetrin. Në përgjithësi, ka një fuqi në shembujt e besimit të kësaj familjeje jo të përkryer.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Fjala e Perëndisë është “me … vlerë të madhe” për mua.
Një mesazh i spikatur në Librin e Mormonit është “vler[a e] madhe” e fjalës së Perëndisë (1 Nefi 5:21). Ndërsa lexoni te 1 Nefi 1–5, kërkoni mënyra se si fjala e Perëndisë e bekoi familjen në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë (për shembull, shihni te 1:11–15; 3:19–20; 5:10–22). Çfarë ju mësojnë këta kapituj rreth fjalës së Perëndisë? Çfarë gjeni që ju frymëzon të kërkoni në shkrimet e shenjta?
Shihni edhe këngën “Kur Kërkoj Shkrimet e Shenjta”, Himne, nr. 180; “Scriptures Legacy” [“Trashëgimia e Shkrimeve të Shenjta”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Unë mund ta fitoj dhe forcoj dëshminë time ndërsa i drejtohem Zotit.
Nefi njihet për besimin e tij të fuqishëm te Zoti, por atij iu desh të punonte për ta fituar dëshminë e vet, ashtu siç na duhet ne të gjithëve. Çfarë lexoni te 1 Nefi 2 që tregon arsyen përse Nefi qe në gjendje të fitonte një dëshmi që fjalët e babait të tij ishin të vërteta? Pse Lamani dhe Lemueli nuk e fituan këtë dëshmi? (Shihni edhe te 1 Nefi 15:2–11.) Kur e keni ndier që Zoti jua ka zbutur zemrën?
Shihni edhe “Zoti e Urdhëron Familjen e Lehit që të Largohet nga Jerusalemi” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Perëndia do të përgatitë një udhë për mua që ta bëj vullnetin e Tij.
Kur Zoti i urdhëroi bijtë e Lehit që të merrnin fletët prej tunxhi, Ai nuk dha udhëzime të posaçme mbi mënyrën se si ta bënin këtë gjë. Kjo është shpesh e vërtetë për drejtimin që marrim nga Perëndia, dhe mund të na duket sikur Ai na ka kërkuar “një gjë [të] vështirë” (1 Nefi 3:5). Çfarë ju frymëzon te përgjigjja e Nefit ndaj urdhrit të Zotit te 1 Nefi 3:7, 15–16?
Ndërsa lexoni te 1 Nefi 3–4, kërkoni larminë e vështirësive që hasi Nefi. Si “përgatit[i] një udhë” Zoti që Nefi të “plotëso[nte] gjënë, që ai urdhëro[i]”? Përse është e rëndësishme që ta dini atë që Zoti bëri për Nefin?
Një mënyrë e fuqishme se si Perëndia na ka përgatitur që t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, është duke dërguar Jezu Krishtin që të ishte Shpëtimtari ynë. Merreni parasysh të lexoni mesazhin e Presidentit Dallin H. Ouks “Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?” (Liahona, maj 2021, f. 75–77). Si ka përgatitur Jezu Krishti një udhë për secilin prej nesh? Duke e ditur se Ai i ka mundur të gjitha gjërat për ju, çfarë ndieni përshtypjen që të “shko[ni] dhe … bë[ni]”?
Shihni edhe “Nefi Udhëhiqet nga Shpirti për të Marrë Fletët prej Tunxhi” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]; Gospel Topics [Tema të Ungjillit], “Obedience” [“Bindja”], Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Mbajtja mend e veprave të Perëndisë mund të më japë besimin për t’iu bindur urdhërimeve të Tij.
Kur Lamanit dhe Lemuelit u vinte të mërmëritnin ose ankoheshin, ata zakonisht i kishin pranë Nefin dhe Lehin që t’i frymëzonin dhe përkrahnin ata. Kur ju vjen të mërmëritni, mund të jetë i dobishëm leximi i fjalëve të Nefit dhe Lehit. Si u përpoqën Nefi dhe Lehi t’i ndihmonin të tjerët për të ndërtuar besimin te Perëndia? (Shihni te 1 Nefi 4:1–3; 5:1–8; shihni edhe te 1 Nefi 7:6–21.) Çfarë mësoni që mund t’ju ndihmojë kur tundoheni të mërmëritni ose ankoheni?
“Isha i udhëhequr nga Shpirti.”
Te 1 Nefi 4:5–18, çfarë ju bën përshtypje tek aftësia e Nefit për ta dalluar dhe ndjekur Shpirtin? Mund të studioni mesazhin e Presidentit Rasëll M. Nelson “Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë” (Liahona, maj 2018, f. 93–96) për të mësuar më shumë rreth marrjes së zbulesës nga Zoti.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Unë mund të kem dëshminë time vetjake.
-
Nga e dinte Nefi se ajo që i kishte dhënë mësim babai i tij, ishte e vërtetë? Ndihmojini fëmijët tuaj t’i gjejnë përgjigjet për këtë pyetje te 1 Nefi 2:16, 19. Atyre mund t’u pëlqejë t’i shkruajnë veprimet e Nefit mbi blloqe ose sende të tjera dhe më pas të ndërtojnë diçka me sende. Kjo mund të çojë në një bashkëbisedim rreth mënyrës se si këto veprime na ndihmojnë të ndërtojmë një dëshmi.
-
Mund t’u tregoni fëmijëve tuaj figura ose sende që përfaqësojnë gjëra për të cilat fëmijët mund të kërkojnë një dëshmi, të tilla si një kopje të Librit të Mormonit ose një figurë të Jezu Krishtit, tempullit ose profetit të gjallë. Ftojini ata të zgjedhin njërën dhe të japin dëshmitë e tyre për atë gjë. Mund t’u tregoni fëmijëve edhe se si e morët ju dëshminë tuaj. Pse kemi nevojë për dëshminë tonë vetjake?
Perëndia do të më ndihmojë që t’i zbatoj urdhërimet e Tij.
-
Merreni parasysh të përdorni një ose më shumë nga këto burime për t’i ndihmuar fëmijët tuaj të bisedojnë rreth mënyrës se si Perëndia e ndihmoi Nefin të merrte fletët prej tunxhi: 1 Nefi 3–4; faqen e veprimtarisë së kësaj jave; “Guximi i Nefit” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 64–65) dhe “Kapitulli 4: Fletët prej Tunxhi” (tek Tregime të Librit të Mormonit, f. 8–12).
-
Juve dhe fëmijëve tuaj mund t’iu pëlqejë interpretimi me role i ngjarjeve te 1 Nefi 3:2–7. Ndoshta ju mund të bëni sikur jeni Lehi dhe t’u kërkoni fëmijëve tuaj të kthehen në Jerusalem për të marrë fletët prej tunxhi. Ftojini ata të përgjigjen me fjalët e tyre sikur të ishin Lamani dhe Lemueli ose Nefi. Cilat janë disa gjëra që Perëndia na ka urdhëruar të bëjmë? (Shihni figurat 103–115 te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit ose vargjet te Mosia 18:8–10 për ide.) Si mund të jemi si Nefi?
Shkrimet e shenjta janë një thesar i madh.
-
Shkrimet e shenjta ishin shumë të rëndësishme për familjen e Lehit. Për ta ilustruar këtë, mund t’i ftoni fëmijët tuaj që t’ju ndihmojnë ta tregoni ose ta luani me role atë që bënë Nefi dhe vëllezërit e tij për t’i marrë fletët prej tunxhi: ata përshkuan një largësi të madhe, hoqën dorë nga ari e argjendi i tyre dhe u fshehën në një shpellë për të shpëtuar jetën e tyre. Më pas mund të lexoni te 1 Nefi 5:21 dhe të bisedoni rreth arsyes pse shkrimet e shenjta ishin me aq vlerë për familjen e Lehit. Përse janë ato me vlerë për ne? Si mund t’i trajtojmë shkrimet e shenjta si një thesar?
Fryma e Shenjtë do të më udhëheqë kur përpiqem ta bëj vullnetin e Zotit.
-
Pasi të rishikoni së bashku te 1 Nefi 3 se si Nefi dhe vëllezërit e tij u përpoqën t’i merrnin fletët prej tunxhi, lexoni me fëmijët tuaj te 1 Nefi 4:6 për të zbuluar se çfarë bëri Nefi që mundi t’ia dilte mbanë më në fund. Më pas fëmijët tuaj mund të bëjnë një listë me gjëra që Perëndia dëshiron që ata t’i bëjnë. Si mund të na ndihmojë Fryma e Shenjtë në këto situata?