“Kthimi në Jerusalem”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)
“Kthimi në Jerusalem”, Tregime nga Libri i Mormonit
Kthimi në Jerusalem
Udhëtimi për fletët prej tunxhi
Familja e Lehit dhe e Sarias udhëtoi në vendin e shkretë. Në një ëndërr, Zoti i tregoi Lehit rreth shkrimeve të shenjta të shkruara mbi fletë prej tunxhi. Një burrë i quajtur Laban, i kishte ato në Jerusalem. Zoti tha se familjes së Lehit i nevojitej t’i merrte me vete fletët prej tunxhi në udhëtimin e vet.
Zoti i tha Lehit t’i dërgonte përsëri në Jerusalem bijtë e tij për të marrë fletët prej tunxhi. Vëllezërit e Nefit u ankuan. Ata i thanë Lehit se ishte diçka e vështirë për t’u bërë. Ata nuk donin të shkonin.
Ishte diçka shumë e vështirë për t’u bërë, por Nefi dëshironte që të bindej. Ai e dinte se Zoti do ta ndihmonte atë dhe vëllezërit e tij. Nefi i tha Lehit se do të kthehej në Jerusalem dhe do t’i merrte fletët prej tunxhi.
Lamani, Lemueli, Sami dhe Nefi u kthyen përsëri në Jerusalem. Kur mbërritën atje, ata vendosën që Lamani do të shkonte në shtëpinë e Labanit dhe do të kërkonte fletët prej tunxhi.
Kur Lamani kërkoi fletët prej tunxhi, Labani e quajti atë vjedhës. Labani tha se do ta vriste Lamanin.
Lamani u largua me vrap dhe u tregoi vëllezërve të vet se çfarë ndodhi.
Katër vëllezërit ishin të trishtuar. Lamani, Lemueli dhe Sami dëshironin të ktheheshin te prindërit e tyre në vendin e shkretë, por Nefi pati një ide. Ai tha se mund të bënin një shkëmbim me Labanin për të marrë fletët prej tunxhi. Ata u kthyen në shtëpinë e tyre në qytet dhe morën të gjithë arin dhe argjendin e tyre për t’i shkëmbyer.
Kur ia treguan arin dhe argjendin Labanit, ai e donte të gjithë atë. Por prapëseprapë nuk do t’ua jepte fletët prej tunxhi. Në vend të kësaj, ai u tha shërbëtorëve të tij që t’i vrisnin vëllezërit, kështu që ai të mund ta merrte arin dhe argjendin e tyre.
Të katër vëllezërit vrapuan për të shpëtuar jetën dhe e lanë pas arin dhe argjendin e tyre. Shërbëtorët e Labanit nuk i kapën dot. Vëllezërit u fshehën në një shpellë.
Pas gjithë këtyre gjërave të vështira, Lamani dhe Lemueli ishin tepër të inatosur me Nefin. Ata i goditën Nefin dhe Samin me shkop.
Papritur erdhi një engjëll dhe i pyeti përse po e godisnin Nefin. Engjëlli tha se Nefi u zgjodh që t’i udhëhiqte ata. Më pas engjëlli iu tha të ktheheshin përsëri në Jerusalem. Zoti do të përgatiste një mënyrë që ata t’i merrnin fletët prej tunxhi.