“Alma dhe Amuleku në Burg”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)
Alma dhe Amuleku në Burg
Besim te Zoti gjatë kohëve të vështira
Alma dhe Amuleku dhanë mësim ungjillin në qytetin e Amonihës. Disa njerëz besuan te Zoti dhe u penduan. Por shumë të tjerë u nxehën me Almën dhe Amulekun dhe donin t’i shkatërronin ata. Njerëzit e zemëruar i lidhën Almën dhe Amulekun dhe i çuan dy burrat te kryegjykatësi i qytetit.
Kryegjykatësi nuk besonte që populli i tij kishte nevojë të pendohej. Njerëzit u nxehën me Almën dhe Amulekun. Ata i përzunë nga qyteti njerëzit që besuan te mësimet e Almës dhe Amulekut. Pastaj ata i hodhën në zjarr gratë dhe fëmijët që besonin te Zoti.
Amuleku ishte shumë i trishtuar kur pa njerëzit që po vuanin. Ai i kërkoi Almës të përdorte fuqinë e Perëndisë për t’i shpëtuar ata. Por Alma tha se Shpirti i Perëndisë nuk e lejonte atë. Ai i tha Amulekut se gratë dhe fëmijët do të ishin me Zotin. Zoti do t’i gjykonte njerëzit që i vranë ata.
Kryegjykatësi u tall me Almën dhe Amulekun ngaqë Zoti nuk i mbrojti gratë dhe fëmijët. Ai i futi Almën dhe Amulekun në burg.
Pas tri ditësh, kryegjykatësi shkoi në burg me priftërinjtë e tij të rremë. Ata bënë shumë pyetje. Por Alma dhe Amuleku nuk iu përgjigjën atyre.
Kryegjykatësi dhe priftërinjtë e tij i bënë gjëra të këqija Almës dhe Amulekut. Ata gjithashtu nuk iu dhanë Almës dhe Amulekut as ushqim, as ujë. Ata u tallën me atë që Alma dhe Amuleku kishin dhënë mësim.
Alma dhe Amuleku vuajtën për shumë ditë. Kryegjykatësi erdhi përsëri me priftërinjtë e tij. Ai i tha Almës dhe Amulekut se nëse ata kishin fuqinë e Perëndisë, ata duhet t’i këputnin litarët që i mbanin lidhur. Pastaj ai do t’u besonte atyre.
Alma dhe Amuleku e ndien fuqinë e Perëndisë. Ata u ngritën në këmbë. Alma kishte besim te Zoti dhe i kërkoi fuqi për t’i këputur litarët.
Alma dhe Amuleku i këputën litarët. Kryegjykatësin dhe priftërinjtë e tij i zuri frika. Ata u përpoqën t’ia mbathnin, por pastaj toka filloi të dridhej.
Muret e burgut u shembën mbi kryegjykatësin dhe priftërinjtë e tij dhe ata vdiqën. Por Zoti i ruajti Almën dhe Amulekun. Kur njerëzit dëgjuan zhurmën, ata vrapuan ta shihnin se ç’po ndodhte. Vetëm Alma dhe Amuleku dolën nga burgu. Njerëzit ishin aq të frikësuar nga Alma dhe Amuleku, saqë ia mbathën me vrap.