“Kapiten Moroni dhe Pahorani”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)
Kapiten Moroni dhe Pahorani
Forcë nga Perëndia
Nefitët dhe lamanitët ishin në luftë. Moroni ishte kapiteni i ushtrive nefite. Udhëheqësit nefitë nuk dërguan mjaftueshëm ushtarë ose ushqim. Moroni u zemërua dhe i shkroi një letër Pahoranit, udhëheqësit të nefitëve.
Në letrën e tij, Moroni e pyeti Pahoranin pse nuk kishte dërguar ndihmë. Moroni mendonte se Pahorani nuk shqetësohej për njerëzit dhe thjesht donte pushtet. Moroni donte që njerëzit e tij të ishin të lirë.
Pahorani ishte i trishtuar që ushtritë nuk kishin ndihmë. Ai donte ta ndihmonte Moronin, por nuk mundi. Disa nga nefitët po luftonin kundër tij.
Ata nefitë quheshin njerëz të mbretit. Ata donin të kishin pushtet për vete dhe të sundonin mbi njerëzit. Ata ia kishin marrë qeverinë Pahoranit.
Pahorani donte të vazhdonte t’i udhëhiqte nefitët në mënyrë që t’i ndihmonte. Ashtu si Moroni, ai donte që nefitët të ndiqnin Perëndinë dhe të ruanin lirinë e tyre. Ai dëshironte që të mos u duhej të luftonin ndaj askujt. Por ishte i gatshëm të luftonte nëse kjo do të ndihmonte për të mbrojtur njerëzit.
Pahorani u kërkoi nefitëve ta ndihmonin të luftonte për të mbrojtur familjet e tyre, lirinë e tyre dhe të drejtën e tyre për të adhuruar Perëndinë. Ai e dinte se Shpirti i Perëndisë do të ishte me ta nëse do të zgjidhnin të luftonin për atë që ishte e drejtë. Shumë nefitë erdhën për ta ndihmuar Pahoranin të mbronte vendin e tyre.
Pahorani i shkroi një letër Moronit. Ai nuk ishte i zemëruar me Moronin. Ai i tregoi Moronit gjithçka që po ndodhte. Ai i kërkoi Moronit të vinte dhe ta ndihmonte të luftonte kundër njerëzve të mbretit. Pahorani e dinte se po ta ndiqnin Perëndinë, nuk kishin pse të trembeshin. Perëndia do t’i mbronte dhe do t’i ndihmonte.
Moroni u mbush me shpresë për shkak të besimit të Pahoranit. Por ai ishte i trishtuar që disa nefitë po luftonin kundër popullit të vet dhe nuk po i bindeshin Perëndisë. Moroni mori një ushtri dhe shkoi për ta ndihmuar Pahoranin. Ai mbante lart titullin e lirisë kudo që shkonte. Mijëra nefitë vendosën të luftonin për të mbrojtur lirinë e tyre.
Moroni dhe Pahorani i mundën njerëzit e mbretit bashkë me ushtritë e tyre. Pahorani u bë përsëri udhëheqësi i nefitëve. Moroni dërgoi shumë burra për të ndihmuar ushtritë nefite. U dërgoi edhe ushqime ushtrive. Tani që nefitët ishin të bashkuar, ata fituan shumë beteja. Ata rimorën shumë qytete nefite nga lamanitët.