“Mbreti Beniamin”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)
Mbreti Beniamin
Duke i shërbyer popullit dhe Perëndisë
Mbreti Beniamin ishte një profet i Perëndisë i cili mbretëroi në tokën e Zarahemlës. Ai punoi shumë për t’i shërbyer popullit të tij dhe për t’i dhënë mësim rreth Perëndisë. Me ndihmë nga profetë të tjerë të Perëndisë, Beniamini e bëri Zarahemlën një vend paqësor dhe të sigurt për të jetuar.
Fjalët e Mormonit 1:17–18; Mosia 1:1–7
Beniamini u plak. Ai i kërkoi birit të tij, Mosias, që t’i mblidhte njerëzit së bashku. Beniamini dëshironte t’u thoshte atyre se Mosia do të ishte mbreti i tyre i ri.
Shumë njerëz erdhën nga i tërë vendi. Ata i vendosën çadrat e tyre pranë tempullit për të dëgjuar Beniaminin.
Beniamini foli nga një kullë me qëllim që shumë njerëz të mund ta dëgjonin. Beniamini tha se Perëndia e ndihmoi që t’i udhëhiqte ata. Si mbret, ai u dha mësim atyre që t’iu bindeshin urdhërimeve të Perëndisë. Ai nuk mori nga paratë e tyre ose nuk i bëri që t’i shërbenin atij. Përkundrazi, ai punoi për t’i shërbyer popullit të tij dhe Perëndisë.
Beniamini u tha njerëzve se kur i shërbenin njëri‑tjetrit, ata po i shërbenin edhe Perëndisë. Më pas ai u tha atyre se gjithçka që kishin, erdhi nga Perëndia. Në shkëmbim, Perëndia dëshironte që ata t’u bindeshin urdhërimeve të Tij. Kur u bindën, Perëndia u dha atyre më shumë bekime.
Beniamini u tha se ai nuk mund të ishte më mbreti ose mësuesi i tyre. Biri i tij, Mosia, do të ishte mbreti i tyre i ri.
Më pas Beniamini i tha popullit të vet se një engjëll e vizitoi atë. Engjëlli i tha se Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, do të vinte në tokë. Ai do të bënte mrekulli dhe do të shëronte njerëz. Ai do të vuante dhembje dhe do të vdiste për t’i shpëtuar të gjithë njerëzit. Beniamini dha mësim se Jezusi do ta falte çdo njeri që kishte besim tek Ai dhe pendohej.
Njerëzit e besuan atë që Beniamini u dha mësim rreth Jezusit. Ata e dinin se kishin nevojë të pendoheshin. Të gjithë njerëzit u lutën dhe i kërkuan Perëndisë që t’i falte. Pasi u lutën, Shpirti i Perëndisë ishte me ta. Ata u ndien të lumtur dhe e dinin se Perëndia i fali për shkak të besimit të tyre te Jezusi.
Njerëzit u ndien të ndryshuar e të ripërtërirë brenda vetes ngaqë kishin besim te Jezusi. Tani ata donin të bënin gjëra të mira gjatë gjithë kohës. Ata bënë një premtim që t’i ndiqnin urdhërimet e Perëndisë për pjesën në vazhdim të jetës së tyre. Ngaqë besuan te Jezusi dhe e bënë këtë premtim, ata u thirrën populli i Jezusit.