“Gideoni, Alma dhe Nehori”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)
“Gideoni, Alma dhe Nehori”, Tregime nga Libri i Mormonit
Gideoni, Alma dhe Nehori
Mbrojtja e së vërtetës me fjalët e Perëndisë
Nefitët e zgjodhën Alma të Riun që të ishte kryegjykatësi i tyre. Alma ishte gjithashtu prifti i lartë i Kishës.
Një burrë i quajtur Nehor filloi t’u mësonte njerëzve diçka që ai e quante fjala e Perëndisë. Por ai u mësoi njerëzve se nuk kishin nevojë t’i bindeshin Perëndisë ose të pendoheshin.
Shumë njerëz i pëlqyen dhe i besuan ato që tha Nehori. Ai dëshironte që njerëzit t’i jepnin para dhe ta lavdëronin atë. Ai mendoi se ishte më i mirë nga njerëzit e tjerë. Ai krijoi kishën e vet dhe shumë njerëz ia vunë veshin.
Një ditë, Nehori u takua me një burrë të moshuar, të quajtur Gideon. Gideoni ishte një mësues në Kishën e Perëndisë dhe kishte bërë shumë të mira. Nehori donte që njerëzit të largoheshin nga Kisha, prandaj ai bëri debat me Gideonin. Gideoni përdori fjalët e Perëndisë për të treguar se Nehori nuk po jepte mësim të vërtetën. Nehori u inatos. Ai e vrau Gideonin me shpatë.
Njerëzit e çuan Nehorin tek Alma për ta gjykuar. Nehori u përpoq të mbronte atë që kishte bërë. Ai nuk donte të ndëshkohej.
Alma tha se mësimet e Nehorit ishin të gabuara dhe mund t’i lëndonin njerëzit. Alma ndoqi ligjin. Ngaqë Nehori vrau Gideonin, Nehori u dënua me vdekje.
Përpara se të vdiste, Nehori u tha njerëzve se ai kishte gënjyer. Ai nuk kishte dhënë mësim fjalën e Perëndisë. Edhe pse Nehori tha se ai kishte gabuar, shumë njerëz e ndoqën shembullin e tij. Ata i gënjyen njerëzit që të fitonin lavdërim dhe para. Por njerëz të tjerë ia vunë veshin Almës. Ata u kujdesën për të varfrit dhe i zbatuan urdhërimet e Perëndisë.