“Jaredi dhe Familja e Tij”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)
Jaredi dhe Familja e Tij
Një udhëtim i udhëhequr nga Zoti
Jaredi dhe familja e tij jetuan në Babel mijëra vjet përpara se të lindte Jezu Krishti. Ata iu bindën Zotit. Por shumica e njerëzve në Babel nuk iu bindën Zotit. Ata njerëz filluan të ndërtonin një kullë në përpjekje për të arritur qiellin. Zoti ua ndryshoi gjuhën njerëzve në mënyrë që ata të mos ta kuptonin njëri‑tjetrin.
Jaredi kishte një vëlla. Zoti i mirëbesonte vëllait të Jaredit. Jaredi i kërkoi vëllait të tij t’i lutej Zotit për ndihmë. Në lutjen e tij, vëllai i Jaredit i kërkoi Zotit të mos e ndryshonte gjuhën e familjes dhe miqve të tij. Në këtë mënyrë ata mund ta kuptonin ende njëri‑tjetrin.
Zoti ishte i dashur dhe mirëdashës. Ai nuk e ndryshoi gjuhën e familjes dhe miqve të Jaredit. Më vonë, Zoti i tha vëllait të Jaredit se Ai kishte përgatitur një tokë të veçantë për ta. Zoti tha se do t’i udhëhiqte drejt asaj toke.
Jaredi dhe vëllai i tij mblodhën familjet dhe miqtë e tyre. Ata gjithashtu mblodhën kafshët e tyre dhe të gjitha llojet e farave. Pastaj i lanë shtëpitë e tyre dhe udhëtuan nëpër vendin e shkretë. Zoti i udhërrëfeu duke iu folur nga një re.
Pasi bënë një udhë të gjatë, arritën në një det. Ata jetuan në bregdet për katër vjet. Për një kohë të gjatë, vëllai i Jaredit nuk iu lut Zotit.
Zoti i tha vëllait të Jaredit që të lutej përsëri. Vëllai i Jaredit u pendua dhe iu lut Zotit. Zoti e fali.
Zoti e mësoi vëllanë e Jaredit të ndërtonte anije të quajtura mauna. Familjet mund të hipnin në maunat që do t’i çonin përtej detit për në tokën e premtuar.
Vëllai i Jaredit dhe familja e tij ndërtuan mauna. Ai pa që nuk kishte dritë brenda maunave. Ai e pyeti Zotin a do t’u duhej të udhëtonin përtej detit në errësirë. Zoti i tha vëllait të Jaredit që të mendonte për një mënyrë që anijet të kishin dritë.
Vëllai i Jaredit bëri 16 gurë të vegjël të tejdukshëm. Ai i kërkoi Zotit t’i prekte dhe t’i bënte të shkëlqenin. Zoti zgjati dorën dhe i preku gurët një nga një me gisht. Vëllai i Jaredit mundi ta shihte gishtin e Zotit. Ai u habit që Zoti kishte një trup si ai.
Zoti tha se vëllai i Jaredit kishte besim të madh. Atëherë Zoti u shfaq dhe ia tregoi trupin e Tij shpirtëror vëllait të Jaredit. Zoti tha: “Unë jam Jezu Krishti”. Ai tha se u zgjodh për të qenë Shpëtimtari. Ai i mësoi vëllait të Jaredit shumë gjëra të tjera.
Vëllai i Jaredit u kthye te familja dhe miqtë e tij. Ai shkroi atë që kishte mësuar ndërsa ishte me Zotin. I futi edhe gurët në mauna. Ata tani kishin dritë për udhëtimin e tyre.
Familjet u futën në mauna për të kaluar detin. Ata mirëbesuan se Zoti do të kujdesej për ta. Pati shumë stuhi dhe dallgë. Herë‑herë, uji i mbulonte plotësisht maunat. Por ata u lutën dhe Zoti i ktheu përsëri në sipërfaqe të ujit. Ata i kënduan shumë këngë falënderimi Zotit.
Pas gati një viti, ata arritën në tokën që Zoti u premtoi atyre. Ata qanë nga gëzimi dhe e falënderuan Atë.