“Nefi, Profeti”, Tregime nga Libri i Mormonit (2023)
Nefi, Profeti
Të marrësh fuqi të madhe nga Zoti
Një grup i quajtur hajdutët e Gadiantonit sundonte në qytetin e Zarahemlës. Ata premtuan se do ta ndihmonin njëri‑tjetrin të bënin gjëra të këqija. Ata i grabitnin dhe i lëndonin njerëzit për të marrë para dhe pushtet. Shumica e njerëzve iu bashkuan hajdutëve. Ata donin të ishin të pasur.
Helamani 6:15–24, 38–39; 7:4–5
Profeti Nefi jetonte në Zarahemla. Nefi iu lut Perëndisë sepse ishte i trishtuar ngaqë njerëzit nuk po i zbatonin urdhërimet e Perëndisë. Nefi u kërkoi njerëzve të kujtonin gjithçka që Perëndia bëri për ta. Por shumë njerëz nuk do t’ia vinin veshin. Atyre u interesonin më shumë paratë dhe pushteti sesa bindja ndaj Perëndisë.
Nefi i paralajmëroi njerëzit për hajdutët. Ai tha se duhej të pendoheshin. Disa nga gjykatësit nefitë ishin bashkuar me hajdutët. Ata u zemëruan me Nefin dhe thanë se ai po gënjente. Ata donin që edhe njerëzit të zemëroheshin me Nefin.
Nefi tha se Perëndia u tregon profetëve të Tij shumë gjëra. Nefi u tha atyre se të gjithë profetët dhanë mësim rreth ardhjes së Jezu Krishtit. Ai tha se profetët i paralajmëruan njerëzit se Jerusalemi do të shkatërrohej nëse ata nuk pendoheshin. Ai i ndihmoi ata të kujtonin se Jerusalemi u shkatërrua.
Të nesërmen, gjykatësit i bënë pyetje Nefit për ta zënë me fjalë. Nefi u foli atyre për të keqen mes tyre. Disa njerëz i besuan Nefit dhe e dinin se ai ishte një profet.
Të tjerët nuk besuan. Gjithkush debatoi dhe më pas u largua. Nefit i erdhi ndërmend ajo që Zoti i kishte mësuar. Ai ishte i trishtuar për shkak të veprimeve të këqija të njerëzve.
Zoti i foli Nefit. Ai ishte i lumtur që Nefi u kishte dhënë mësim njerëzve. Për shkak të bindjes së Nefit, Zoti i dha atij fuqi të veçantë mbi gjërat në tokë dhe në qiell. Zoti e dinte që Nefi do ta përdorte fuqinë vetëm për t’i ndihmuar njerëzit të pendoheshin.
Zoti i tha Nefit të kthehej te njerëzit dhe t’u thoshte të pendoheshin. Nefi shkoi menjëherë. Por njerëzit u zemëruan me të dhe nuk e dëgjuan.
Ata u përpoqën ta futnin Nefin në burg. Por Shpirti i Perëndisë e ndihmoi Nefin të largohej.
Nefi vazhdoi ta jepte mësim fjalën e Perëndisë. Njerëzit prapë nuk ia vunë veshin. Ata filluan të debatonin dhe të luftonin me njëri‑tjetrin. Hajdutët i përkeqësuan përleshjet. Shpejt pati luftëra në çdo qytet. Shumë njerëz po lëndoheshin ose vriteshin. Nefi ishte i trishtuar. Ai nuk donte që njerëzit të shkatërroheshin nga luftërat.
Nefi i kërkoi Perëndisë të shkaktonte një zi buke të madhe në mënyrë që njerëzit ta kujtonin Zotin dhe të pendoheshin. Nuk ra shi për shumë vite. Toka u tha dhe të mbjellat nuk mund të rriteshin. Njerëzit ishin të uritur. Ata pushuan së luftuari dhe filluan të kujtonin Zotin. Njerëzit u penduan dhe i dëbuan hajdutët.
Njerëzit i kërkuan Nefit t’i lutej Zotit. Nefi pa që ata ishin penduar dhe hajdutët ishin larguar. Ai i kërkoi Zotit t’u jepte shi. Zoti iu përgjigj lutjes së Nefit. Ra shi dhe të mbjellat filluan të rriteshin. Njerëzit e falënderuan Perëndinë. Ata e dinin që Nefi ishte një profet dhe se kishte fuqi të madhe nga Perëndia.