“29 Korrik – 4 Gusht: ‘Shiko te Perëndia dhe Jeto’. Alma 36–38”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)
“29 Korrik – 4 Gusht. Alma 36–38”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)
29 Korrik – 4 Gusht: “Shiko te Perëndia dhe Jeto”
Alma 36–38
Kur Alma pa ligësinë përreth tij, ai ndjeu “dhimbje” të thella, “fakeqësi” dhe “ankthe të mëdha të shpirtit” (Alma 8:14). “Ligësi[a] … mes këtij populli”, tha ai për zoramitët, “i shkakton dhembje shpirtit tim” (Alma 31:30). Ai ndjeu diçka të ngjashme pasi u kthye nga misioni i vet te zoramitët – ai vërejti se zemrat e shumë nefitëve “filluan të ngurtësoheshin dhe që ata filluan të fyhen për shkak të rreptësisë së fjalës” dhe kjo bëri që zemra e tij të “pikëll[ohej] shumë” (Alma 35:15). Çfarë bëri Alma lidhur me atë që pa dhe ndjeu? Ai nuk u bë thjesht i shkurajuar ose cinik për gjendjen e botës. Në vend të kësaj, “ai bëri që djemtë e tij të mblidheshin tok së bashku” dhe u mësoi atyre “gjërat që [kishin] të bë[nin] me drejtësinë” (Alma 35:16). Ai u mësoi atyre se “nuk ka udhë ose mjet tjetër, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtojë, por vetëm në dhe nëpërmjet Krishtit. … Vër re, ai është fjala e vërtetësisë dhe e drejtësisë” (Alma 38:9).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Unë mund të jem i/e lindur nga Perëndia.
Pak prej nesh do të kenë përvoja aq dramatike sa kthimi i Almës në besim. Por çdo njeri duhet të jetë i “lindur nga Perëndia”, ndonëse kjo zakonisht ndodh gradualisht (Alma 36:23; 38:6). Ndërsa lexoni tek Alma 36, mendoni se çfarë do të thotë të jesh i/e lindur nga Perëndia. Për shembull, në procesin e të qenit i/e lindur nga Perëndia, si ndiheni rreth mëkatit? Po rreth Jezu Krishtit? Si ndikon të qenit i/e lindur nga Perëndia tek ajo që bëni si përgjigje ndaj gabimeve tuaja? Çfarë ndryshimesh të tjera ndodhin te bindjet dhe veprimet tuaja? Përsiatni se si po i përjetoni këto ndryshime.
Shihni edhe te Mosia 5:7; 27:25–26; Alma 5:14; 22:15; Helamani 3:35; “Alma i Riu Kthehet në Besim te Zoti” (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Jezu Krishti e zëvendëson pikëllimin me gëzimin.
Nganjëherë njerëzit kanë frikë të pendohen, sepse e shohin pendimin si një ndëshkim të dhembshëm për mëkatin. Çfarë mendoni se do të thoshte Alma rreth kësaj? Për ta zbuluar, mund ta ballafaqoni se si ishte jeta e Almës përpara se të pendohej (shihni tek Alma 36:6–17) me përshkrimin e tij për veten pasi u pendua (shihni vargjet 18–27). Sipas vargjeve tek Alma 36:17–18, si e mori Alma këtë falje?
Shihni edhe Methju S. Holland, “Dhurata e Mrekullueshme e Birit”, Liahona, nëntor 2020, f. 45–47.
Shkrimet e shenjta janë ruajtur “për një qëllim të urtë”.
Merreni parasysh se çfarë mrekullie dhe bekimi është t’i kemi shkrimet e shenjta sot! Ndërsa lexoni kapitullin tek Alma 37, kërkoni bekimet që vijnë nga pasja e shkrimeve të shenjta (shihni për shembull vargjet 7–10, 18–19, 44–45).
Tek Alma 37:38–47, Alma e krahason “fjalë[n e] Krishtit” me Liahonën. Ndërsa përsiatni mbi këtë krahasim, reflektoni për mënyrat se si e keni përjetuar mrekullinë dhe fuqinë e mësimeve të Krishtit “ditë për ditë” (Alma 37:40).
Shihni edhe D. Tod Kristoferson, “Bekimi prej Shkrimeve të Shenjta”, Liahona, maj 2010, f. 32–35; “Kur Kërkoj Shkrimet e Shenjta”, Himne, nr. 180; [“Alma Këshillon Bijtë e Tij“ pjesën kur Alma i dëshmon birit të tij Helamanit” në kishaejezukrishtit.org] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
“Nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen.”
Nganjëherë mund të ndiejmë se problemet tona janë kaq të mëdha dhe të ndërlikuara, sa zgjidhjet duhet të jenë gjithashtu të mëdha dhe të ndërlikuara. Por ajo nuk është gjithnjë mënyra e Zotit. Teksa lexoni vargjet tek Alma 37:1–14, merreni parasysh atë që ju bën përshtypje te mënyra se si Ai e bën punën e Tij. Më pas mund të përsiatni dhe shënoni mënyrat se si e keni parë këtë parim në jetën tuaj.
Po t’ia mësonit këtë parim dikujt, çfarë shembujsh nga natyra ose jeta e përditshme do të përdornit për ta ilustruar atë? Mund të gjeni disa në mesazhin e Presidentit Dallin H. Ouks, “Gjëra të Vogla dhe të Thjeshta” (Liahona, maj 2018, f. 89–92).
Cilat janë disa gjëra të vogla dhe të thjeshta që ju sjellin më pranë Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit?
Shpesh, zgjedhjet tona “të vogla dhe të thjeshta” sjellin ndryshime madhore në jetën tonë. Merreni parasysh të zgjidhni një temë nga broshura Për Forcën e Rinisë: Një Udhëzues për Bërjen e Zgjedhjeve dhe t’i bëni vetes pyetje si këto: Si ndikojnë zgjedhjet e mia rreth kësaj tek unë dhe njerëzit përreth meje? Çfarë ndryshimesh të vogla dhe të thjeshta mund të bëj që do të çojnë në paqe dhe lumturi më të madhe?
Shihni edhe Majkëll A. Dan, “Një Përqind më Mirë”, Liahona, nëntor 2021, f. 106–108; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Zgjedhje e Lirë”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
“Këshillohu me Zotin.”
Tek Alma 37:35–37, kërkoni ftesat e Almës drejtuar birit të tij, Helamanit. Sipas cilës prej këtyre ftesave ndiheni i/e nxitur të veproni? Për shembull, mund të përsiatni se çfarë do të thotë fraza “këshillohu me Zotin” (vargu 37). Si jeni përpjekur ta bëni këtë? Si ju ka drejtuar Ai për mirë?
Dhënia e dëshmisë sime për Jezu Krishtin mund t’i forcojë njerëzit që dua.
Fjalët e Almës ndaj djalit të tij, Shiblonit, japin një shembull të mirë të mënyrës se si t’i forcojmë dhe nxitim njerëzit që duam, për ta jetuar ungjillin. Studimi i kapitullit tek Alma 38 mund t’ju japë disa ide për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes dhe miqtë që të gjejnë forcë te Jezu Krishti. Shkruajeni atë që gjeni.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Pendimi më sjell gëzim te Jezu Krishti.
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta kuptojnë se pendimi sjell gëzim, mund t’u jepni atyre një fletë letre me një fytyrë të lumtur në njërën anë dhe një fytyrë të trishtuar në tjetrën. Kërkojuni që të mbajnë vesh ndërsa lexoni ose përmblidhni vargjet tek Alma 36:13, 17– 13 dhe të ngrenë lart njërën prej fytyrave për të treguar se si po ndihej Alma. Fëmijët më të mëdhenj mund të shkruajnë fjalë ose fraza që përshkruajnë se si u ndje ai. Çfarë e trishtonte Almën dhe çfarë i sillte gëzim atij? Më pas mund t’u tregoni atyre rreth gëzimit që ndieni kur pendoheni.
“Nëpërmjet gjërave të vogla dhe të thjeshta gjëra të mëdha bëhen.”
-
Fëmijëve tuaj mund t’u pëlqejë të gjejnë objekte të vogla që bëjnë të ndodhin gjëra të mëdha. Objekte si një bateri, një çelës makine ose madje një lodër që i ngushëllon ata, mund të jenë shembuj të kësaj. Më pas mund të lexoni tek Alma 37:6–7 së bashku dhe të mendoni për disa gjëra të vogla ose të thjeshta që Perëndia dëshiron që të bëjmë ne. Çfarë gjërash të mëdha mund të ndodhin kur u bindemi këtyre urdhërimeve të vogla ose të thjeshta?
-
Fëmijët tuaj mund të provojnë edhe diçka si kjo: të fillojnë duke mbushur një gotë me ujë, me pika një e nga një. Si lidhet kjo me vargjet tek Alma 37:6–7? Më pas mund të bisedoni rreth mënyrës se si gjëra[t e] vogla dhe të thjeshta” të Zotit, të tilla si leximi i shkrimeve të shenjta përditë, janë si pikat e ujit në një gotë.
-
Ndihmojini fëmijët tuaj të mendojnë mënyra se si bëjnë të ndodhin gjëra të mëdha në shtëpi, shkollë ose kishë. Kënga “‘Jep’, Tha o Rrëkeza” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 116) e ilustron gjithashtu këtë parim.
Shkrimet e shenjta mund të më ndihmojnë çdo ditë.
-
Si mund t’i ndihmoni fëmijët tuaj të zhvillojnë dashuri për fjalën e Perëndisë, sikurse bëri Alma për Helamanin? Merreni parasysh t’u tregoni atyre një figurë të Liahonës (të tillë si Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 68), ose t’i ftoni ata të vizatojnë një të tillë ndërsa tregojnë se çfarë dinë rreth saj (shihni tek Alma 37:38–47; 1 Nefi 16:10, 28–29). Ku ngjasojnë shkrimet e shenjta me Liahonën?